Sport

Një çmim ngjitjeje, që mund të jetë i fundit për fitues

Lart në malin Lunag Ri në Nepal, alpinisti austriak David Lama filloi të shqetësohej se mund të humbiste gishtat e këmbëve. Lama, duke u përpjekur ta përshkallëzojë i vetëm në vitin 2018, mund të kishte përfunduar i vdekur nëse do të kapej nga një stuhi me ngrica të rënda ose do të lëndohej nga një rënie. Një shpëtim do të ishte pothuajse i pamundur.

Gishtat e austriakut nuk ngrinë kurrë plotësisht dhe ai vazhdoi në majë të malit. Imazhi i tij në majën e mali është ai për të cilin alpinistët ëndërrojnë. Për ngjitjen e tij, Lama fitoi një “Piolet d'Or” - Sëpata e Artë të Akullit - çmimi më i madh i alpinizmit. Por, Lama nuk ishte i pranishëm për të pranuar çmimin në ceremoninë e mbajtur në Ladek-Zdroj, Poloni, në shtator të vitit 2019. Ai kishte vdekur pesë muaj më parë nga një ortek, ndërsa po përpiqej të ngjitej në një rrugë të re në majën e rrezikshme Howse në shkëmbinjtë kanadezë. Në aksident humbën jetën edhe dy partnerët e tij, amerikani Jess Roskelley dhe austriaku Hansjorg Auer. Auer, gjithashtu, u nderua me një "Piolet d'Or" në Poloni, për një ngjitje në Lupghar Sar West të Pakistanit. Dhënia e çmimeve për Laman dhe Auerin ishte si “të kishe një festë për dikë që vdiq nga sëmundja e mëlçisë”, tha Rolando Garibotti, 50 vjeç, një alpinist argjentinas.

Garibotti është një nga disa alpinistë të rëndësishëm që luftojnë për të fituar çmimet për ngjitjet.

“Ka shumë ngjitje alpine ku njerëzit mezi u larguan me lëkurën e tyre”, tha Garibotti. “Dhe asnjë nga ata njerëz dhe ngjitje, në mendjen time, nuk duhet të kualifikohen për ‘Piolet d'Or’. Nëse duam të krijojmë një kulturë në të cilën jo shumë nga djemtë kryesorë të përfundojnë duke vdekur, ne duhet të bëjmë disa ndryshime”.

Komenti i Garibottit për vdekjen e alpinistëve kryesorë bazohet në fakte: që nga viti 2008, të paktën shtatë fitues të ‘Piolet d'Or’, përfshirë alpinistin zviceran Ueli Steck, kanë vdekur në male. “Piolets d'Or 2021”, 30 vjetori i ceremonisë, u mbajt fundjavën e shkuar në Briançon, një qendër e ngjitjes alpine në Francë. Veprimtaria shfaqi trofe vezullues, fjalime dhe ovacione. Ngjitjet këtë vit kishin kufij më të mëdhenj sigurie sesa ato të Lamas ose Auerit.

“Rreziku nuk është një faktor në procesin e përzgjedhjes të fituesve, që do të thotë se ngjitjet e gjykuara si shumë të rrezikshme nuk merren në konsideratë”, tha Christian Trommsdorff, organizatori i “Piolets d’Or”.

Ky çmim u themelua në vitin 1992 në Francë si një bashkëpunim midis revistës “Montagnes” dhe grupit “Group de Haute Montagne”, president i të cilit është Trommsdorff. Duke lënë mënjanë rrezikun, ka pasur debat gjatë viteve se si të gjykohen ngjitjet, të cilat kanë një cilësi subjektive pasi alpinistët debatojnë në mënyrë rutinore për “stilin” ose se si arrihet në majën e malit. Gjërat arritën kulmin në vitin 2007 kur alpinisti slloven Marko Prezelj refuzoi të pranonte çmimin “Piolet d'Or”. Më vonë atë vit, ai e argumentoi këtë se alpinistët “inkurajohen të zgjerojnë kapacitetin e tyre, të përdorin substanca që rrisin performancën dhe të marrin rreziqe të papërfillshme”.

Kështu në vitin 2009, “Piolets d'Or” prezantoi një format të ri, duke nderuar disa ngjitje, të gjitha të shpallura muaj para ceremonisë. Mirëpo, Garibotti e di rrezikun për këtë. Sipas të dhënave të tij, më shumë se 30 njerëz me të cilët ka kontaktuar kanë vdekur më vonë duke u ngjitur. “Piolets d'Or” dy herë u përpoq të nominonte Garibottin për çmimin (2006, 2009), por ai refuzoi në të dy rastet. Sigurisht, për shumë alpinistë, rreziku është një pjesë e madhe e këtij sporti.

“Ne duhet të pranojmë se në alpinizmin tradicional, vdekja është një mundësi”, tha Reinhold Messner 77-vjeç, një nga alpinistët më të lavdëruar të shekullit të kaluar. “Nëse nuk është mundësi, nuk është alpinizëm. Arti i të mbijetuarit është pikërisht ai. Është një art”.

Pavarësisht kritikëve, shumë alpinistë kryesorë janë në favor të Piolets d'Or. Symon Welfringer, një francez 27-vjeçar dhe një nga fituesit e “Piolets d'Or” të këtij viti për ngjitjen e tij të parë në faqen jugore të Sani Pakkush të Pakistanit, tha se çmimi ishte një nga synimet kryesore të tij për të filluar alpinizmin.

“Në alpinizëm ne nuk kemi aq shumë njohje”, shpjegoi Welfringer.

Uisdean Hawthorn, një alpinist skocez 28-vjeçar, është një tjetër fitues i çmimit këtë vit me partnerin e tij, Ethan Berman, për rrugën e tyre të re në “Mount Robson's Emperor Face”, në Kanada.

“Unë mendoj se është një gjë e mirë. Kjo ceremoni bashkon alpinistët për të diskutuar. Kështu që, unë mendoj se çdo gjë e tillë është pozitive”, tha ai.