Rreth 10 mijë e 500 sportistë do të paraqiten në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” që mbahen prej 26 korrikut deri më 11 gusht. Një pjesë e tyre janë të profilit më të lartë botëror.
“Al Jazeera” ka përzgjedhur dhjetë superyje që duhet të shikohen më vëmendje gjatë Olimpiadës në Paris.
Simone Biles (SHBA)
E vlerësuar njëra prej gjimnasteve më të mirë, e të gjitha kohërave, Biles siguroi paraqitjen e tretë rresht në Lojëra Olimpike me fitoren në garën e të gjitha veglave ,në kampionatin kualifikues të SHBA-së. Fituesja e katër medaljeve të arta olimpike, kishte kampanjë të ndërlikuar në “Tokio 2020”. 27-vjeçarja kthehet në Lojëra Olimpike në Paris, ndërsa duket në formë si asnjëherë më parë.
Rafael Nadal (Spanjë)
Fituesi i 22 turneve Grand Slam në tenis, do të bashkohet me yllin e ri, Carlos Alcaraz, për garën në çifte në Paris. Besohet se do të garojë edhe në konkurrencë individuale. 38-vjeçari shmangu garën në Wimbledon për t’u përgatitur për Olimpiadë. Gara e tenisit në Lojëra Olimpike do të mbahet në Roland Garros, ku Nadali ka 14 tituj, që është rekord.
Spanjolli mungoi thuajse gjatë gjithë vitit 2023, për shkak të një problemi në ijë. U kthye këtë vit, por kishte një këputje muskulore. Ka pasur tjera telashe gjatë përgatitjeve për French Open.
Nadali ka një të artë olimpike në konkurrencë individuale në vitin 2008, ndërsa në çifte triumfoi në vitin 2016.
Shelly-Ann Fraser-Pryce (Xhamajkë)
Mbretëresha e sprintit nga Xhamajka, Fraser-Pryce, do të garojë në Olimpiadën e pestë dhe njëherit, të fundit për të. Ajo do të paraqitet në vrapimin 100 metra.
37-vjeçarja, që ka tetë medalje olimpike, prej tyre tri të arta, do të pensionohet pas “Parisi 2024”. Ajo është prej atleteve më të mira në histori dhe ka inspiruar gjenerata të shumta sprinterësh.
“Duhet të mendojmë për gjeneratat që vijnë pas nesh dhe t’u japim të rinjve mundësi për të ëndërruar. Dhe që të kenë ëndrra të mëdha po ashtu”, ka thënë Fraser-Pryce.
Victor Wembanyama (Francë)
Ylli francez, Wembanyama, që ishte “rookie” i vitit në NBA, rrëmbeu shfaqjen me ngulitjen me një dorë në ndeshjen e parë të fazës përgatitore të Francës.
Franca synon të artën olimpike në basketboll.
Në Tokio, Franca kishte humbur nga SHBA-ja në ndeshjen për medalje të artë. Shpresat janë të mëdha që ekipi i Vincent Collet do të triumfojë në shtëpi. Shumë pritet nga Wembanyama.
Ai është sportisti më i gjatë në Lojërat e Parisit. Është i gjatë 224 centimetra. Por ka aftësi teknike të një lojtari shumë më të shkurtër.
Falë Wembanyamas, Franca konsiderohet prej përfaqësueseve të forta, së bashku me SHBA-në, Kanadanë e Gjermaninë.
20-vjeçari është i entuziazmuar për mundësinë e një finaleje tjetër të Francës me SHBA-në. Kështu ylli i ri do të përballej me superyje si LeBron James, Kevin Durant e Stephan Curry.
“Mezi pres të përballem me ta. Do të jetë shumë interesant”, ka thënë Wembanyama. “Si basketbollist është ëndërr të luash ndaj SHBA-së dhe ndaj gjithë këtyre legjendave”.
Caeleb Dressel (SHBA)
Notari Dressel, është sportisti më intrigues i profilit të lartë që paraqitet në Lojërat e Parisit.
Ylli i sprintit, Dressel, fitoi pesë të arta në Tokio në vitin 2021. Më pas mori vendimin tronditës për t’u larguar në vitin 2022. Tha se po largohej për t’u kujdesur për shëndetin mendor.
Në rikthim, 27-vjeçari nuk u kualifikua për të mbrojtur titullin në 100 metra stil të lirë. Por do të paraqitet në 50 metra stil të lirë dhe 100 metra delfin. Kjo do të thotë se do të ketë shansin për të mbrojtur dy prej tre titujve individualë në Lojëra Olimpike.
Eliud Kipchoge (Keni)
Vrapuesi nga Kenia, Eliud Kipchoge pritet të bëj histori me medaljen e tretë rresht të artë në vrapimin maratonë.
39-vjeçari ka thënë se vendi i dhjetë në Maratonën e Tokios, që ishte rezultat dëshpërues, dhe mosha e tij nuk vënë në dyshim gjasat për Paris.
Në vitin 2019, Kipchoge u bë i pari sportist që i vrapo 42.2 kilometra për më pak se dy orë. Por rekordi nuk iu numërua pasi ishte i shoqëruar nga shumë asistentë dhe koha nuk u vendos në një garë të hapur.
LeBron James (SHBA)
Pak muaj para se t’i mbush 40 vjet, shënuesi më i mirë në histori të NBA-së kthehet për paraqitjen e katërt në Lojëra Olimpike. Për Jamesin është paraqitja e parë që nga viti 2012.
Në Paris, fituesi i katër titujve të NBA-së do të bëhet basketbollisti i parë amerikan që paraqitet në Olimpiada në tri dekada të ndryshme.
Fituesi i tri medaljeve të arta olimpike, James, ka thënë se ende luan në nivelin më të lartë.
“Ende e dua lojën e basketbollit. Kam ndier se ishte e rëndësishme që këtë verë të jem në gjendje të paraqitem atje dhe të luaj së bashku me djemtë tjerë”, ka thënë James.
Katie Ledecky (SHBA)
Gjithnjë mbresëlënëse, notarja Ledecky do të mundohet ta ruajë dominimin e SHBA-së në pishinën olimpike në Paris. Një ekip i hatashëm nga Australia po pritet të jetë konkurrencë e madhe.
Ledecky është kualifikuar në 200 metra, 400 metra, 800 metra dhe 1500 metra në stil të lirë. Ajo pritet të heq dorë nga gara në 200 metra që të fokusohet në triumfin e katërt rresht në 800 metra stil të lirë dhe për një tjetër të artë në 1500 metra. Por po ashtu synon ta kthejë titullin në 400 metra stil të lirë.
Me shtatë të arta olimpike dhe 21 tituj të botës, Ledecky tashmë është prej notareve më të mira në histori. Pritet të shtojë të tjera medalje në Paris.
Naomi Osaka (Japoni)
Pas largimit të hershëm nga Wimbledoni, tenistja japoneze Naomi Osaka ktheu fokusin te Lojërat e Parisit. Osaka u kthye në gara këtë vit, pas pushimit prej 15 muajsh nga sporti për shkak të lindjes së fëmijës së parë të saj.
Do të jetë Olimpiada e dytë për 26-vjeçaren, që ka katër tituj Grand Slam. Osaka përfundoi vetëm e nënta në Tokio 2020, ku ishte edhe bartësja e fundit e flakadanit olimpik në ceremoninë hapëse.
Sky Brown (Britani e Madhe)
Sky Brown është bërë britanikja më e re me medalje olimpike, kur si 13-vjeçare fitoi të bronztën në Tokio në “skateboarding”, me një paraqitje sensacionale.
Ajo vjet fitoi të artën në Botëror.
Shumë e famshme edhe në rrjetet sociale, 16-vjeçarja ka një synim të madh për Paris. Planifikon të garojë në dy sporte të ndryshe, “skateboarding” dhe në surfim.
Ndonëse nuk u kualifikua direkt për surfim, Brown është alternativa e parë për ekipin e femrave të Britanisë së Madhe dhe shpreson të fitojë dy të arta në Paris.