Pasi e organizoi vjet Kampionatin Evropian të Divizionit B për hendbollistet deri 19-vjet, Federata e Hendbollit e Kosovës gjatë verës së këtij viti do t’i organizojë dy Evropianë të Divizionit B për hendbollistët e rinj.
Bëhet fjalë për Evropianin U20 dhe atë U18. Në Evropianin e Divizionit B për grupmoshën U20 do të paraqiten plot 12 përfaqësuese, ndërsa në Evropianin U18 do të jenë tetë përfaqësuese.
Evropiani U20 mbahet prej 13 deri më 21 korrik, ndërsa U18 prej 12 deri më 18 gusht.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini e ka vlerësuar sukses marrjen e së drejtës për organizimin e këtyre dy ngjarjeve.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të martën, Saraçini ka thënë se vendimin e mori Komiteti Ekzekutiv i EHF-së në mbledhjen e mbajtur në fundjavë.
“Dëshirojmë të informojmë se FHK-ja, përkatësisht Kosova, do të jetë nikoqire e dy kampionateve evropiane. Atij U20 që do të mbahet nga data 13 deri më 21 korrik dhe U18 që do të mbahet nga data 12 deri më 18 gusht. Këtë vendim e ka marrë Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Hendbollit më datën 29 të këtij muaji. Paraprakisht kemi qenë në komunikime të vazhdueshëm dhe kemi shprehur gatishmërinë që të jemi organizatorë të këtyre ngjarjeve dhe pas diskutimeve të shumta kemi dëshmuar se jemi në gjendje të bëjmë një organizim të tillë. Federata Evropiane ka vendosur që këto dy ngjarje të mëdha të mbahen në Kosovë”, ka thënë Saraçini.
Në konkurrencë të 20-vjeçarëve do të jenë Belgjika, Bullgaria, Estonia, Finlanda, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Letonia, Luksemburgu, Lituania, Sllovakia, Turqia dhe Kosova.
Ndërkohë te 18-vjeçarët do të garojnë Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Luksemburgu dhe Kosova.
“Pra, në kampionatin U20 do të paraqiten 12 ekipe, ndërsa në U18 do të jenë tetë. Me këtë rast dëshirojmë që të ftojmë për bashkëpunim të gjithë partnerët e rëndësishëm të FHK-së, duke filluar nga MKRS-ja dhe sponsorët që do të jenë partnerë në organizimin e këtyre eventeve të rëndësishme”, ka shtuar Saraçini.
Ai ka folur edhe për aktivitetet tjera ndërkombëtare që FHK-ja do t’i ketë gjatë këtij viti. Federata e Hendbollit doli federata e dytë në vend në kategorizimin e publikuar ditë më parë nga MKRS-ja.
Menjëherë në muajin shkurt, hendbollistet e Kosovës U18 do ta kërkojnë kualifikimin në Botëror përmes garës IHF Trophy.
“Në kuadër të aktiviteteve të këtij viti do të kemi edhe ekipin U18 të femrave që nga data 28 shkurt do të marrë pjesë në turneun ‘IHF Trophy Intercontinencal’ që Uzbekistan, e ku synojmë kualifikimin për Botërorin që mbahet në muajin gusht të këtij viti në Shangai të Kinës. Ekipi U16 i vajzave do të jetë pjesë e garave mesdhetare që do të mbahen nga 25 shkurti deri më 3 mars në Podgoricë”, ka thënë Eugen Saraçini.
Në prill, përfaqësuesja A e hendbollisteve do të luajë ndeshje kualifikuese me Poloninë.
Saraçini ka thënë se aktivitete ndërkombëtare do të ketë edhe në të ardhmen në Kosovë, falë bashkëpunimit të mirë të FHK-së me EHF-në dhe IHF-në.