Thirrjet “Serbia, Serbia” të tifozëve rumunë bënë që ndeshja e futbollit mes Rumanisë dhe Kosovës të ndërpritet. Në fakt futbollistët e përfaqësueses së Kosovës e braktisën fushën në “Arena Nationala” në Bukuresht, të premten mbrëma, dhe refuzuan të kthehen.
Vazhdon të ketë shumë reagime për atë ndeshje që u ndërpre kur rezultati ishte 0:0, në minutat shtesë. Ndërkohë, në fundjavë do të ketë një tjetër përballje kosovare-rumune në sport.
Bëhet fjalë për ndeshjen e hendbollit mes kampionit të Kosovës, Rahovecit, dhe skuadrës së madhe rumune, Minaur Baia Mare. Ndeshja i takon raundit të tretë të Kupës Evropiane për hendbollistë, që është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollit. Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Ndeshja e kthimit është më 30 nëntor në Baia Mare të Rumanisë.
Kampionin e Kosovës e pret punë shumë e vështirë. Hendbolli në Rumani është shumë i zhvilluar, ndërsa Baia Mare është prej skuadrave të mëdha. Lojtarë nga Suedia, Ukraina, Çekia, Brazili, Mali i Zi e Serbia janë pjesë e kësaj skuadre. Dhjetë hendbollistë cilësorë të huaj janë pjesë e skuadrës Minaur Baia Mare.
Në raundin e dytë të Kupës Evropiane, skuadra rumune e eliminoi Beykozin turk. Vjet ishte deri në gjysmëfinale, që dëshmon për nivelin e lartë që ka. Në vitin 2022 ka luajtur në finale.
Rahoveci është duke kaluar momentin më të mirë në histori. Në skenën evropiane debutoi në vitin 2022, ndërsa u ndal në pengesën e parë. Në edicionin e kaluar fitoi titull historik, ndërsa në xhiron e dytë të EHF European Cup e eliminoi skuadrën belge, Bocholt. Në Belgjikë, Rahoveci humbi 32:29. Ndërkohë në Rahovec, “vreshtarët” fituan 37:25.
Në ndeshjen e 26 tetorit, Rahoveci kishte përkrahje të madhe nga tribunat. Rahovecasit kanë bërë thirrje që përkrahja të jetë e madhe edhe të shtunën ndaj ekipit rumun.
“Është mision jashtëzakonisht i vështirë, pasi kemi të bëjmë me një ekip me përvojë të jashtëzakonshme në këto nivele. Madje mund të themi se ekipi rumun është një nga favoritet e kësaj gare. Minaur Baia Mare është tri herë kampion i Rumanisë, gjashtë herë fitues i Kupës, dy herë fitues i EHF Cup, gjysmëfinalist i edicionit të fundit në EHF European Cup dhe finalist në vitin 2022. Ka pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve. Përkundër disa vështirësive me të cilat përballet, ka ekip kompakt me lojtarë shumë të fortë. E gjithë kjo është vetëm motiv shtesë për ne”, ka shkruar Rahoveci.
Skuadrat kosovare të hendbollit maksimalisht kalojnë nga një kundërshtar në gara evropiane. Rahoveci synon të shkruajë histori, duke u bërë ekipi i parë që kalon dy kundërshtarë në një edicion. Me skuadrën cilësore rumune megjithatë, e pret punë e vështirë.