Fundori Fatlind Shoshaj ishte startues te Peja në ndeshjen e katërt të serisë finale të plejofit kundër Trepçës. Peja e fitoi të dielën ndeshjen për ta barazuar serinë në 2:2, ndërsa Shoshaj për 19 minuta në parket kontribuoi me 7 pikë, 4 asistime e 1 kërcim. Minutazhë dhe paraqitje të tillë, 20-vjeçari pret të ketë edhe në ndeshjen e pestë finale në të cilën do të shpallet kampioni i Kosovës për këtë edicion.
Dueli i pestë zhvillohet të enjten mbrëma në palestrën “Minatori”, ndërsa Shoshaj insiston se Peja do të udhëtojë në Mitrovicë për t’u kurorëzuar me titullin e kampionit, sukses që nuk e ka shijuar tashmë një dekadë.
“Synimi i Pejës prej fillimit të edicionit ka qenë ta fitojmë titullin e kampionit dhe me këtë synim do të futemi edhe në ndeshjen e pestë, duke pasur parasysh se nuk kemi çfarë të humbim më. Është ndeshja e fundit e serisë finale dhe duhet të fitojmë për ta kthyer titullin në Pejë”, është shprehur Shoshaj të hënën për KOHËN. “Besoj në një lojë të mirë dhe në fund të festojmë me titull. Në përgjithësi në këtë seri finale kemi luajtur mirë, me përjashtim të dy ndeshjeve të fundit ku kemi rënë në çerekun e katërt. Mirëpo, këtë herë do të jemi gati ta mbajmë ritmin prej fillimit deri në fund”.
Titulli i kampionit të Kosovës do të ishte suksesi i parë i madh për Shoshajn në nivelin senior. Kjo është hera e parë që ai po luan në Kosovë.
Shoshaj është i lindur dhe i rritur në Belgjikë, shtet në të cilën edhe është formuar si basketbollist. Në fillim të këtij viti iu bashkua Pejës, prej nga edhe e ka prejardhjen. Ai ka thënë se gjithmonë ka ëndërruar të luajë në Kosovë dhe të fitojë trofe me fanellën e Pejës.
“Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në Kosovë dhe ta fitoj titullin me Pejën. Nëse e arrij këtë sukses do të ishte diçka e jashtëzakonshme për mua. Po ashtu do të ishte titulli i parë në nivelin senior, i cili do të bënte që të më hapen edhe më shumë dyert në karrierën time”, është shprehur Shoshaj. “Unë jam i lindur dhe i rritur në Belgjikë, ku edhe jam marrë me basketboll. Pra, atje jam zhvilluar si lojtar por gjithmonë kam dashur të luaj në Kosovë dhe tani po e jetoj ëndrrën që besoj se do të më realizohet me titullin e kampionit”.
Shoshaj ka luajtur nëpër ekipet zinxhirë të klubit Antwerp Giants, ndërsa para se t’i bashkohej Pejës ka qenë me seniorët e skuadrës Kangaroes Mechelen. Ai thotë se transferimi te Peja ka ndodhur papritur dhe kur ka marrë ofertën nuk është menduar fare për të qenë pjesë e ekipit.
“Unë erdha për pushime në Kosovë në fillim të këtij viti dhe pasi bisedova me Pejën mendova se ishte momenti i duhur për të ardhur në Kosovë dhe të zhvillohem më shumë si lojtar. Kur mora ofertën nuk mendova dy herë pasi gjithmonë kam dashur të jem pjesë e këtij ekipi”, është shprehur Shoshaj, që ka shtuar se është i kënaqur me paraqitjet e tij te Peja. “Me titullin e kampionit besoj se do të më hapeshin dyert për të ardhmen time, ndonëse nuk e përjashtoj mundësinë e qëndrimit në Kosovë edhe edicionin tjetër. Unë jam i kënaqur me lojën time dhe minutazhën që e kam te Peja, pasi si 20-vjeçar nuk është lehtë të kesh përgjegjësi të tillë. Megjithatë, unë po e shpërblej besimin e klubit dhe trajnerit në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Sa i përket ligës së Kosovës, Shoshaj thotë se niveli është shumë i lartë. Por, ajo që më së shumti e ka impresionuar është atmosfera e krijuar në palestra, sidomos në katër ndeshjet e serisë finale, ku dy u luajtën në Mitrovicë dhe dy tjera në Pejë.
“Mendoj që viteve të fundit liga në Kosovë ka shkuar shumë lart, kurse këtë edicion rivaliteti dhe cilësia kanë qenë shumë të mëdha. Më pëlqen shumë atmosfera, sidomos kjo e serisë finale e krijuar në Pejë dhe Mitrovicë. Falënderoj të gjithë tifozët për një atmosferë të tillë, të cilën shumë liga në Evropë do ta ëndërronin”, shtoi Shoshaj.
Shoshaj ka luajtur për Përfaqësuesen U20 të Kosovës, ndërsa së fundmi ishte pjesë e listës së zgjeruar të ekipit A, por që nuk arriti të jetë pjesë e listës finale. Megjithatë, ai beson se paraqitja me fanellën e Pejës dhe përvoja në elitën e basketbollit kosovar do të bëjnë që në të ardhmen të jetë pjesë e padiskutueshme e Përfaqësueses së Kosovës.