Igor Mihajlovski dhe Kostas Flevarakis të hënën patën një të përbashkët – u shkarkuan nga klubet e Superligës së Kosovës në basketboll ku ishin të angazhuar si trajnerë. Largimi i Mihajlovskit u bë publik nga Proton Cable Prizreni të hënën paradite, ndërsa ai i Flevarakisit nga Golden Eagle Ylli në mbrëmje.
Aventura e maqedonasit Mihajlovski te Prizreni zgjati vetëm katër ditë, ndërsa greku Flevarakis ishte trajner i Yllit prej fillimit të edicionit. Si Prizreni, ashtu edhe Ylli morën vendim për largimin e trajnerëve pas humbjeve që i pësuan në kuadër të xhiros së 18-të që u zhvillua fundjavën e kaluar. Prizreni pësoi në derbin lokal nga Bashkimi me rezultatin 77:58, ndërsa Ylli u mposht në Suharekë nga kampionia në fuqi, Peja me rezultatin 77:72.
Mihajlovski ishte trajneri i dytë te Prizreni këtë kampionat. Në fillim të edicionit ishte angazhuar turku Tuncay Bostanci. Me të Prizreni i ndau rrugët para gjashtë ditësh, kurse pesë ditë më parë u prezantua Mihajlovski. Ai udhëhoqi skuadrën vetëm në një ndeshje dhe u shkarkua. Mund të jetë largimi më i shpejtë i një trajneri nga basketbolli kosovar.
Prizreni ka paralajmëruar se emri i trajnerit të ri do të bëhet i ditur gjatë kësaj jave. Ndërkohë tek Ylli presin që të bëhen me trajner mesjavën e ardhshme.
Drejtori sportiv i Golden Eagle Yllit, Egzon Fetiu, tha të martën për KOHËN se deri te ndërprerja e bashkëpunimit me trajnerin nga Greqia erdhi si pasojë e rezultateve jo të mira të ekipit në xhirot e fundit. Humbja nga Peja ishte e dyta rresht për Yllin, ndërsa e treta në pesë ndeshjet e fundit. Aktualisht Ylli renditet i pesti në tabelë me 28 pikë të tubuara.
“Ishim të kënaqur me trajnerin Flevarakis, pasi ka qenë profesional dhe i përkushtuar ndaj punës. Por rezultat e fundit nuk kanë treguar se mund të jemi pretendentë për trofe me të dhe për këtë arsye ka ardhur deri të ndërprerja e bashkëpunimit. Ne e llogarisim veten pretendentë për trofe dhe duam të jemi të tillë”, është shprehur Fetiu.
“Jemi në negociata me disa trajnerë dhe deri javën tjetër do ta bëjmë publik emrin e atij që do ta angazhojmë. Jemi në negociata me një italian dhe një lituan”.
Largimi i dy trajnerëve brenda një dite ndodhë rrallë. Por largimi i trajnerëve nga skuadrat kosovare të basketbollit ndodhë shpesh. Çdo edicion shumë prej skuadrave vendosin për ndryshim të trajnerëve gjatë rrjedhës së kampionatit. Kjo vlerësohet se dëshmon që klubet nuk kanë ndonjë projekt të qartë dhe nëse kanë, nuk i përmbahen atij deri në fund.
Këtë edicion ka pasur ndryshime të trajnerëve në pesë prej tetë skuadrave që garojnë në elitën e basketbollit kosovar.
Trepça, që është lidere, prej fillimit të edicionit e ka të angazhuar Adis Beqiragiqin. Kampionia Peja po vazhdon të drejtohet nga Rami Hadar, ndërsa tek Istogu është Fikret Shatri. Në fakt, Shatri është trajneri i vetëm kosovar për momentin në Superligë.
Ndryshime në shtabin teknik kanë bërë edhe Sigal Prishtina, Vëllaznimi e Bashkimi.
Prishtina e nisi edicionin me lituanin Zydrunas Urbonas, të cilin e largoi në muajin nëntor. Në vend të tij ekipin e mori Albert Sylejmani, kurse prej javës së shkuar te Prishtina është trajner kroati Jaksha Vuliq. Edhe te Vëllaznimi është trajneri i tretë. Aktualisht ekipin gjakovar po e drejton kroati Vladimir Krstiq, i cili ka zëvendësuar kroatin tjetër Josip Plantak.
Plantak mori drejtimin e Vëllaznimit pas largimit të Audrius Prakuraitisit, i cili u shkarkua pas katër xhirosh.
“Nuk e di pse i ndërrojnë kaq shpesh trajnerët në Kosovë por e di që këtë klubet e bëjnë shumë këtë. Ndoshta kërkojnë rezultate të menjëhershme apo kanë ambicie më të mëdha me kalimin e kohës. Megjithatë, kjo nuk është diçka e re, sepse kështu e ka puna e trajnerit. Por nuk mund të them nëse bëjnë mirë me këto ndërrime të shpeshta apo jo, duhet të pritet fundi i edicionit”, ka thënë kroati Josip Plantak, i cili edicionin e shkuar e udhëhoqi Vëllaznimin drejt pjesëmarrjes në plejof.
Ish-trajneri i Trepçës, Aleksandar Jonçevski, javë më parë mori drejtimin e Bashkimit nga Prizreni, duke e zëvendësuar në këtë post Edin Kërveshin.
Presioni te trajnerët është i madh në këtë fazë të edicionit, sidomos duke pasur parasysh se pas tri javësh do të luhet “Final 8” i Kupës së Kosovës, turne që do të mbahet në Gjakovë.
Të gjitha skuadrat, me përjashtim të Istogut, kanë shprehur ambiciet për ta fituar këtë trofe dhe këtë e kanë pranuar edhe trajnerët që janë angazhuar së fundmi.
“Besoj se deri para fillimit të turneut të Kupës do të jemi të kompletuar në çdo aspekt dhe në formën më të mirë të mundshme. Kështu që sigurisht se Kupa është trofeu i parë që do të tentojmë ta marrim”, ka thënë ditë më parë trajneri i Prishtinës, Vuliq.
Kryetari i Vëllaznimit, Ideal Bakija përmend vetëm dy arsye për ndërrimin e trajnerit.
“Ndryshimet e trajnerëve janë të zakonshme dhe këtë e dinë të gjithë. Ndodhin për shkak të dy arsyeve të cilat lidhen me rezultatet apo ambiciet e klubit. Ne ishim të detyruar të bëjmë ndryshim në shtabin teknik për shkak se ishim të bindur se kjo freski do të ishte e mirëseardhur për ekipin. Po ashtu, besojmë se kemi ekip që mund të shkoj më larg këtë edicion dhe vendosëm për këtë ndryshim”, është shprehur Bakija.
Pas 18-të xhirove në Superligë, Trepça ka bërë shkëputje në krye të tabelës me 34 pikë, tri më shumë se Peja që zë vendin e dytë. Prishtina është e treta me 30 pikë të mbledhura. Trepça tashmë e ka fituar Superkupën e Kosovës me trajnerin Beqiragiq, i cili ka drejtuar edhe Yllin e Pejën, skuadra me të cilat po ashtu ka fituar trofe.