Forma e mirë që Ferizaj ka treguar në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll ka forcuar edhe më shumë bindjen e trajnerit Andrej Panadiq se ekipi i tij do të jetë pjesë e elitës edhe sezonin tjetër. Ferizaj stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e fundit në tabelë, ndërsa seria e rezultateve pozitive në pranverë ka bërë që ekipi të ngrihet për një vend më lart. Aktualisht, Ferizaj është i parafundit në tabelë me 21 pikë. Dy barazime dhe dy fitore ndaj skuadrave të mëdha kanë bërë që trajneri Panadiq të besojë edhe më fort në arritjen e objektivit – mbijetesës.
Ferizaj barazoj me Gjilanin e Malishevën, ndërsa mposhti Prishtinën dhe Dritën në katër ndeshjet kampionale këtë vit. Kroati Panadiq në një intervistë për KOHËN thotë se ka pritur që ekipi i tij të tregojë një formë të tillë pas ndryshimeve të mëdha që u bën në skuadër gjatë dimrit. Ferizaj largoi disa lojtarë, por edhe bëri afrime, të cilat po dalin të jenë të qëlluara në këtë ecuri deri më tani. Madje, ai insiston se Ferizaj do të luajë edhe më mirë, pasi thotë se disa lojtarë ende nuk janë në ritmin e duhur.
“Ka pasur shumë largime, por edhe ardhje gjatë dimrit dhe mendoj se kemi bërë ekip të mirë në kohën e duhur, pasi kemi pasur kohë të mjaftueshme në përgatitje për t’u punuar që të jemi sa më të gatshëm për pranverë. Kishim edhe probleme me lëndime e sëmundje të lojtarëve, të cilët do të jenë edhe më të mirë kur të futen në ritmin e duhur”, është shprehur Panadiq të mërkurën.
Panadiq mori drejtimin e Ferizajt në fund të vitit të shkuar pas largimit të Arbnor Morinës, ndërsa vendosi ta vazhdojë bashkëpunimin me klubin deri në fund të sezonit. Ai insiston se gjithmonë ka qenë optimist në gjasat e Ferizajt për mbijetesë.
“Unë kam qenë optimist i madh prej fillimit. Realisht, unë nuk pres asgjë, unë besoj. E them këtë për shkak se duhet të besosh në punën që bën. Futbollistët po luajnë mirë dhe kanë bërë një punë fantastike duke i luajtur tri ndeshje për shtatë ditë. Ata dëshmuan se mund t’ia dalin mbanë”, shtoi ai.
Panadiq shpreson që Ferizaj do të vazhdojë me formën që e ka nisur stinorin pranveror, por insiston se është shumë e rëndësishme që të qëndrojnë me këmbë në tokë. Ai thotë se ende asgjë nuk ka përfunduar dhe zbulon se mendon ndeshje pas ndeshjeje.
“Ne po përpiqemi të përmirësohemi çdo ditë. Më e rëndësishmja është të vazhdojmë me këtë ritëm ende dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi asgjë nuk ka përfunduar. Personalisht, përgatitem nga ndeshja në ndeshje, pasi nuk ka dëshirë të mendoj më larg. Në fund, fuqishëm besoj se rezultati do të jetë pozitiv”, ka thënë Panadiq. “Unë e kam synimin tim, të cilin jam këtu ta realizoj. E ai synim është mbetja në Superligë”.
Duelin e radhës, Ferizaj e luan të shtunën dhe atë ndaj rivalit direkt për mbijetesë. Udhëton në Skenderaj për t’u përballur me skuadrën e Drenicës, e cila ka një pikë më pak se Ferizaj dhe i ka humbur të gjitha ndeshjet deri më tani në stinorin pranveror. Ferizaj këtë edicion është rikthyer në elitë, ndërsa pas 22 xhirove të zhvilluara, ka regjistruar katër fitore karshi nëntë barazimeve dhe po aq humbjeve.