Sikur të mos mjaftonin shkrimet “Mirë se vini në ferr” në aeroport, ishte djali i derës në hotel që me veprimin që simbolizonte prerjen së fytit paralajmëroi lojtarët kur mbërritën. Ishin po ashtu edhe telefonatat e planifikuara qëllimisht gjatë natës për të prishur gjumin dhe balta që hidhej në autobusin e klubit që kishte marrë rrugën për në stadium.
Në fund kjo u konfirmua me policinë që grumbulloi lojtarët për ti dërguar drejt zhveshtores, derisa mbanin mburojat e tyre, pas përfundimit të ndeshjes.
Ndeshjen e parë të Manchester Unitedit në Ligën e Kampionëve ndaj Galatasarayt në stadiumin e skuadrës turke, “Ali Sami Yen”, shumë e mbajnë në mend. Tridhjetë vjet më vonë Unitedi është kthyer në Stamboll dhe përsëri lufton për të qëndruar në garë – diçka që nuk arriti ta bënte në vitin 1993.
“Kjo ishte ndoshta atmosfera më frikësuese në të cilën kam luajtur ndonjëherë”, ka thënë mesfushori i atëhershëm i Unitedit, Bryan Robson.
Lojtarët e Unitedit ndoshta menduan se ndeshja në Premier League të dielën kundër Evertonit, të mbushur me pakënaqësi për heqjen e dhjetë pikëve, ishte e vështirë për t’u përballuar. Megjithatë, ndeshja e së mërkurës kundër Galatasarayt premton të jetë po aq - nëse jo më shumë - e zjarrtë.
Ka shumë gjëra në lojë, si në vitin 1993 kur Unitedi mundi vetëm të barazonte 0:0 dhe u eliminua me golat jashtë fushe pas barazimit 3:3 në “Old Trafford”. Këtë herë humbja do t'u jepte fund shpresave të Unitedit për të arritur në 1/8 e finales, me skuadrën e Erik ten Hagut që ka humbur tri nga katër ndeshjet e para të Grupit A - përfshirë atë në shtëpi ndaj Galatasarayt më 3 tetor.
Unitedi e nis ndeshjen si i fundit në grup me tri pikë, një më pak se Galatasaray dhe Copenhageni. Bayern Munichu me 12 pikë tashmë është kualifikuar si fitues i grupit. Unitedi ka luajtur si mysafir ndaj Galatasarayt dy herë në Ligën e Kampionëve që nga viti 1993, por nuk ishte në të njëjtin rrezik kualifikimi në ato udhëtime. Ish-mesfushori i Unitedit, Mike Phelan tha se lojtarët e vjetër të ekipit duhet të rriten dhe ta tregojnë veten këtë herë.
“Në ndeshje dhe raste të mëdha, ju keni nevojë për lojtarët tuaj të mëdhenj”, tha Phelan, i cili luajti në atë ndeshje në Stamboll 30 vjet më parë. “Mendoj se ju duhet ta kontrolloni lojën sepse nuk mund ta kontrolloni atmosferën. Ndoshta me mbajtjen e topit mund ta heshtni turmën, por është shumë vështirë një gjë e tillë në stadiumin e Galatasarayt. E them këtë nga ajo që kam përjetuar”.
Galatasaray, i cili është i dyti në ligën turke vetëm falë goldallimit, ka në radhët e veta një ish-lojtar të Unitedit, Wilfried Zaha, dhe ka mjaft lojtarë me përvojë në futbollin anglez. Tanguy Ndombele dhe Davinson Sanchez - të cilët kanë luajtur për Tottenhamin - dhe ish-mesfushori i Arsenalit, Lucas Torreira, kanë ringjallur karrierën pas vështirësive në Premier League. Sulmuesit Dries Mertens dhe Mauro Icardi kanë përvojë të madhe në ndeshje të tilla me ish-klubet Napoli dhe Paris Saint-Germain.
Marcus Rashfordi do t'i mungojë Unitedit për shkak të suspendimit, por danezi Rasmus Hojlund është rikthyer nga lëndimi.
United duket se ka marrë veten disi pas një fillimi të dobët të edicionit, duke fituar tri nga katër ndeshjet e fundit - të gjitha në Premier League.
Ndeshja Galatasaray – Manchester United zhvillohet prej orës 18:45.