Të dielën në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe ka nisur Kampionati Botëror i xhudos për seniorë. Të dielën është zhvilluar gara në kategoritë 48 e 52 kilogramë te xhudistet dhe 60 kilogramë te xhudistët. Kosova nuk kishte ndonjë përfaqësues.
Ishte planifikuar që Kosova të paraqitet me tre garues në Botërorin e xhudos. Por në momentin e fundit për shkak të një lëndimi pjesëmarrjen e ka anuluar Loriana Kuka e kategorisë deri 78 kilogramë. Ajo ka pasur një problem me gjurin, por pritet të jetë gati për lojërat olimpike “Parisi 2024”.
Trajneri Driton Kuka e ka gjithë fokusin te Lojërat Olimpike në Paris dhe për këtë arsye ka lënë jashtë Botërorit edhe Distria Krasniqin e Nora Gjakovën, dy kampionet olimpike.
Distria ka pasur shumë gara në vitin e fundit, ndërsa Nora është në fazën finale të rikuperimit të një lëndimi.
Kështu Kosovën në Botëror e përfaqësojnë vetëm Akil Gjakova e Laura Fazliu. Akili garon të hënën në kategorinë deri 73 kilogramë. Nuk është në mesin e bartësve. Shorti nuk e ka favorizuar shumë xhudistin pejan. Në xhiron e parë nuk pritet të ketë telashe me Faye Njie të Gambisë. Por në xhiron e dytë do të përballet menjëherë me Hidayat Heydarovin e Azerbajxhanit, që është bartës i parë.
Gjakova me Heydarovin i ka pesë luftëra. Katër të parat i ka humbur, ndërsa në Prishtinë më 16 dhjetor të vitit të kaluar, në kuadër të Evropianit të Hapur, Akil Gjakova shënoi fitore.
Heydarov është prej më të mirëve në kategori, por Akili, po ashtu, është në grupin e xhudistëve elitarë të kategorisë deri 73 kilogramë.
Në kategorinë deri 73 kilogramë janë plot 52 xhudistë pjesëmarrës. Gjithsej në Botëror paraqiten 658 garues nga 107 shtete.
Laura Fazliu garon në kategorinë deri 63 kilogramë, të martën. Ajo ka munguar disa muaj për shkak të një lëndimi muskulor, por është e treta në ranglistë dhe bartësja e tretë në Botëror. Në xhiron e parë Laura është e lirë. Në të dytën e pret fituesen e duelit mes kroates Katarina Kristo dhe izraelites Inbal Shemesh. Në kategorinë deri 63 kilogramë janë 49 xhudiste.
Akili e Laura janë në kërkim të medaljeve të para në Kampionat Botëror.