Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i nisi të hënën, me mungesa të shumta, përgatitjet për ndeshjet miqësore të këtij muaji. Kosova të premten luan miqësoren e parë kundër Armenisë në Jerevan, ndërsa më 26 mars luan kundër Hungarisë në Budapest.
Në stërvitjen e parë të Përfaqësueses nën urdhrat e selektorit Franco Foda munguan kapiteni Amir Rrahmani, pastaj Elbasan Rashani, Edon Zhegrova, Mirlind Kryeziu, Donat Rrudhani, Florent Muslija, Blendi Idrizi, Bersant Celina dhe portieri Arijanet Muriq. Të gjithë lojtarët munguan shkaku i angazhimeve me klubet e tyre në fundjavë, ndonëse një pjesë e mirë e tyre kishin ndeshje të shtunën.
Nga FFK-ja nuk është njoftuar se ndonjëri prej tyre do të mungojë në ditët në vijim shkaku i ndonjë shqetësimi apo lëndimi.
Mungesën e lojtarëve në stërvitjen e parë e ka konfirmuar vetë trajneri gjerman gjatë një konference të mbajtur mesditën e së hënës.
Foda ka bërë të ditur se ekipi do të jetë i kompletuar në stërvitjen e dytë që ekipi do ta zhvillojë të martën.
Foda gjatë stërvitjes së parë ishte i rrethuar nga ndihmësit e tij, ndërsa u vërejt një ndryshim i vogël në mënyrën e punës.
Stërvitja u zhvillua e qetë. Nuk pati interesim nga tifozët për ta përcjellë stërvitjen e zhvilluar në Qendrën Nacionale të FFK-së në Hajvali.
Stërvitja nisi me ngrohje të zakonshme, para se puna të vazhdonte me detyra të caktuara. Disponimi i lojtarëve të pranishëm dukej i mirë. Pas një kohe në stërvitje me Kosovën të pranishëm ishin të kthyerit Vedat Muriqi, Albion Rrahmani e Valon Berisha. Sulmuesit Muriqi e Rrahmani munguan për shkak të lëndimeve.
Kosova ka rikthyer edhe Blendi Idrizin, Bersant Celinën, Edon Zhegrovën e disa të tjerë. Për herë të parë me “Dardanët” janë grumbulluar sulmuesi i Malishevës, Drilon Hazrollaj dhe portieri i Llapit, Ilir Avdyli.
Të mërkurën Përfaqësuesja niset për në Jerevan të Armenisë.