Bayern Munichu ka rinovuar edhe për një vit kontratën me sulmuesin me përvojë, Thomas Mueller.
Me këtë veprim, Mueller do të jetë pjesë e Bayernit deri në fund të edicionit 2024/25, duke e pasur mundësinë që të bëhet lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e klubit bavarez. Rinovimi i kontratës ka bërë që 34-vjeçari Mueller të jetë në linjë për të shënuar një çerek shekulli në klubin, të cilit iu bashkua në moshën 10-vjeçare.
“Ai është lider si brenda ashtu dhe jashtë fushës. Është gjithmonë model dhe tepër i vlefshëm për të gjithë ekipin”, tha drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund.
“Thomasi shtyn ekipin me mënyrën e tij të hapur dhe pozitive brenda dhe jashtë fushës. Mënyra se si ai luan është jashtëzakonisht e zgjuar. Luan për ekipin dhe është i gjithanshëm. Thomasi nuk është pothuajse kurrë i lënduar, gjithmonë është i gatshëm për lojë”.
Kontrata e Muellerit u rinovua për herë të fundit në maj të vitit 2022 dhe do të mbaronte në fund të këtij edicioni. Pra verën e ardhshme. Zgjatja njëvjeçare e bashkëpunimit vjen pas një marrëveshjeje të ngjashme që iu ofrua portierit Manuel Neuer muajin e kaluar, pas kthimit të tij në fushë nga lëndimi. Sulmuesi Mueller ka regjistruar 684 paraqitje për Bayernin në të gjitha garat deri më tani dhe është vetëm 22 ndeshje larg rekordit për t’u bërë lojtari me më së shumti ndeshje në histori të bavarezëve. Aktualisht këtë rekord e mbanë portieri Sepp Maier, i cili ka qenë pjesë e Bayernit në vitet 1960 dhe 1970.
Mueller është shprehur i lumtur me rinovimin e kontratës me Bayernin dhe ka theksuar se synon që gjatë kësaj periudhe të fitoj edhe shumë trofe tjerë.
“Është e rëndësishme për mua të jem themel dhe të ndihmojë ta drejtojë ekipin në drejtimin e duhur”, tha Mueller. “Dua të emocionoj tifozët tanë me gola. Dua të kontribuoj duke ndihmuar në krijimin e golave, me dashurinë time për lojën, pasionin tim për futbollin dhe shpresoj me shumë tituj të tjerë”.
Müller ka fituar titullin e kampionit të Gjermanisë 12 herë me Bayernin dhe dy herë fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve, në mesin e shumë sukseseve tjera.
Roli i tij te Bayerni është zvogëluar në edicionet e fundit, por Mueller ka shënuar një gol dhe ka asistuar katër herë në 12 ndeshje të Bundesligës këtë edicion. Ka kontribuar për ekipin, pavarësisht se në shtatë prej ndeshjeve është inkuadruar në lojë nga bankina.
Mueller u kthye në përfaqësuesen e Gjermanisë në shtator, përpara Kampionatit Evropian të vitit të ardhshëm. Për Gjermaninë, që është nikoqire e Evropianit, ka gjithsej 126 paraqitje.