Sport

Misioni i “pamundur” i Rahovecit

Trajneri nga Irlanda, Daniel Nelson, e ka shumë mirë parasysh misionin e tij tejet të vështirë te KB Rahoveci.

Megjithatë, Nelson insiston se së bashku me basketbollistët e tij nuk e kanë ndërmend të dorëzohen. Ai tha të mërkurën për KOHËN se Rahoveci do të luftojë deri në ndeshjen e fundit për të tentuar të largohet nga pozita, në të cilën gjendet aktualisht në Superligën e Kosovës në basketboll. Rahoveci është i fundit në tabelë, pozitë kjo që dërgon sezonin e ardhshëm në një rang më të ulët të garave. Deri në fund të pjesës së rregullt të sezonit, kanë mbetur edhe nëntë xhiro, në të cilat Rahoveci do të bëjë të pamundurën për ta evituar pozitën që aktualisht e mban. Ka tubuar 21 pikë pas 19 xhirove të zhvilluara deri më tani, ku ka regjistruar vetëm dy fitore karshi 17 humbjeve. Aktualisht, pozitën e parafundit në tabelë, e cila siguron ndeshjen e plejautit, e mban Vëllaznimi që ka 26 pikë dhe pesë fitore më shumë se Rahoveci.

“Nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi. Do të luftojmë për të fituar sa më shumë ndeshje që është e mundur në Superligë në përpjekjen për t’u ngritur në tabelë, si dhe nuk do të dorëzohemi as në Kupën e Kosovës”, paralajmëroi Nelson. “Sigurisht, se gjasat janë të vështira në këto nëntë ndeshjet e fundit, por ne jemi të motivuar maksimalisht. Kemi dy fitore dhe nëntë ndeshje të tjera deri në fund, ku do të mundohemi të marrim sa më shumë fitore që të jetë e mundur”.

Nelson erdhi në krye të Rahovecit në fillim të këtij viti, duke e zëvendësuar në postin e trajnerit Muhamed Thaqin, i cili dha dorëheqje. 38-vjeçari e ka udhëhequr ekipin në katër ndeshje deri më tani dhe thotë se synimi është ta bëjë një fitore sa më shpejt që është e mundur për motivin e skuadrës. Ndeshjen e fundit, Rahoveci e ka fituar në muajin nëntor kur e mposhti Bashkimin (98:95) në palestrën “Mizahir Isma”.

“Hapi i ardhshëm është ta marrim fitoren për këtë ekip të rindërtuar dhe pastaj në bazë të saj të ngrihemi për fitoret e tjera. E kemi parasysh se na presin nëntë ndeshje të vështira dhe atë me ekipe të forta, por neve na duhet fitorja e parë këtë vit. Misioni nuk do të jetë i lehtë pasi Vëllaznimi e Ponte Prizreni kanë nga shtatë fitore”, shtoi Nelson.

Si trajner, Nelson thotë se nuk është në natyrën e tij të dorëzohet dhe prejse ka ardhur te Rahoveci po punon me përkushtim të madh. Ai tha se kur u kontaktua nga Rahoveci ishte i lirë dhe nuk hezitoi për ta pranuar sfidën, pasi kishte njohuri për të shkuarën e klubit.

“Për mua është nder të jem trajner i këtij ekipi dhe këtyre lojtarëve. Sigurisht, që kam përgjegjësi para të gjithëve dhe puna ime është ta bëjë të pamundurën ta ndihmoj ekipin për të fituar ndeshjet. Unë nuk jam trajner futbolli, ku me barazim kënaqesh, por trajner basketbolli, sport në të cilin vetëm fitorja ka rëndësi”, tha Nelson, i cili ka një karrierë mbi dy dekada si trajner përkundër moshës së re. “Isha i lirë kur erdhi opsioni i Rahovecit dhe e pranova për shkak se jam person që kam dëshirë të garojë dhe të punojë për zhvillimin e ekipeve dhe lojtarëve. I kam pasur parasysh vitet e kaluara të lavdishme të Rahovecit dhe është nder për mua që jam pjesë e këtij ekipi për ta ndihmuar të rindërtohet që të kthehet në skenën e madhe”.

Gjatë karrierës së tij, Nelson ka punuar në Rusi, Gjermani, Australi, Zelandë të Re, Britani, Rumani, Qipro, Spanjë e Itali. Në disa prej këtyre shteteve ishte trajner, ndërsa në disa të tjera ka punuar si trajner dhe skaut.

Thotë se e vlerëson lart Superligën e Kosovës, e cila këtë sezon është forcuar shumë me lojtarë cilësorë dhe trajnerë me përvojë të madhe. Po ashtu, thotë se edhe tifozët në të gjitha palestrat janë shumë pasionantë dhe kjo është e mirë për zhvillimin e basketbollit. Ndërkohë, Nelson nuk ka përjashtuar mundësinë që të jetë në krye të Rahovecit edhe sezonin tjetër, pavarësisht asaj se çka ndodh këtë edicion pasi thotë se është pritur dhe po ndihet mirë. Rahoveci është inkuadruar në elitën e basketbollit kosovar në sezonin 2015/16 dhe në disa sezone ka luajtur rregullisht në plejof duke arritur deri në serinë finale. Gjithashtu, është paraqitur edhe në FIBA Europe Cup, ndërsa me telashe financiare është përballur prej edicionit të shkuar. Sezonin e shkuar luajti në plejaut, ndërsa këtë sezon duket një mision pothuajse i pamundur plejauti.