Pas akuzave të rënda është koha që Mitrovica dhe EP Hajvalia të përballen në fushë për trofeun e parë të këtij edicioni në futbollin e femrave. Dy ekipet dominuese në futbollin kosovar do të luajnë kundër njëra-tjetrës në finalen e Kupës së Kosovës, ndeshje kjo që zhvillohet të mërkurën prej orës 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Duke pasur parasysh rivalitetin e madh që kanë këto skuadra, Federata e Futbollit e Kosovës të martën ka njoftuar se për finale do të përdoret sistemi VAR.
Në fakt, situata mes klubeve është tensionuar në prag të finales. Nga Mitrovica kanë akuzuar rëndë EP Hajvalinë. Kanë akuzuar klubin rival për tentim të kurdisjes. I menjëhershëm ishte reagimi i Hajvalisë që ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka paralajmëruar padi për shpifje. Pritet që dueli i futbollisteve në fushë të jetë shumë i fortë dhe i nxehtë.
Si Mitrovica ashtu edhe Hajvalia po synojnë trofeun e parë të këtij edicioni përpara se të fokusohen në garën për titullin e kampionit. Të dy skuadrat janë në garë edhe për titullin e kampionit. Janë shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrave dhe mbajnë dy pozitat e para me pikë të barabarta pas 19 xhirove të zhvilluara. Kanë tubuar nga 53 pikë, por Mitrovica prin në tabelë falë goldallimit më të mirë se EP Hajvalia, që është kampione në fuqi.
Te Hajvalia insistojnë se janë maksimalisht të motivuara për ta fituar trofeun e parë të edicionit, i cili do t’i motivonte edhe në garën për titull. Suada Jashari, trajnere te Hajvalia, ka thënë të martën për KOHËN se të gjitha lojtaret janë gati.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje finale dhe fokusi ynë do të jetë maksimal për ta fituar trofeun e parë të këtij edicioni, i cili do të na hapte rrugën edhe më shumë drejt mbrojtjes së titullit. Të gjitha futbollistet janë gati dhe maksimalisht të motivuara për lojë”, është shprehur Jashari. “Sigurisht, synimi është ta fitojmë Kupën dhe pastaj edhe titullin. Jemi gati në të gjitha aspektet për ta mbyllur edicionin me dy trofe, duke filluar nga kupa. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe ne jemi të gatshme për ta fituar”.
Në dy ndeshjet e luajtura këtë kampionat asnjëra prej ekipeve nuk ka arritur fitore. Në duelin e parë në Mitrovicë rezultati ishte 2:2, kurse në të dytin në Prishtinë ndeshja përfundoi 1:1.
Trajneri i Mitrovicës, Fahrudin Duraku, pret një përballje të fortë dhe tejet interesante në finalen e Kupës së Kosovës. Mitrovica është fituese në fuqi e Kupës.
“Është derbi mes dy klubeve më të mira në futbollin e femrave. Në fakt, është derbi edhe në kupë, edhe në kampionat, duke pasur parasysh rivalitetin e këtij edicioni. Kjo është ndeshja e parë për trofe këtë edicion ku shpresojmë dhe besojmë se do ta fitojmë. Motivi është maksimal dhe pres maksimumin nga lojtaret e mia. Besoj se do ta arrijmë synimin ta fitojmë Kupën, ndonëse në këtë derbi të gjitha rezultatet janë të mundshme”, është shprehur Duraku.
Shpresohet se në “Fadil Vokrri” do të mblidhen numër më i madh shikuesish për të përkrahur futbollistet më të mira në vend.