Sport

Megi Bislimi, 15-vjeçarja që udhëhoqi Dritën drejt titullit

Megi Bislimi

Megi Bislimi e mbylli edicionin në Superligën e Kosovës në volejboll në mënyrën më të mirë të mundshme. Të dielën mbrëma ajo e fitoi titullin e kampionit me Dritën. Ishte trofeu i dytë brenda një muaji për Megin dhe bashkëlojtaret e saj. Në prill skuadra nga Gjilani triumfoi edhe në Kupën e Kosovës.

Të dielën, Drita e mposhti skuadrën e Skenderajt për t’u shpallur kampione e këtij edicioni. Triumfoi 3:2 në serinë finale të plejofit, derisa ndeshjen e fundit gjilanaset e fituan me 3:0 në sete.

Megi Bislimi, edhe pse vetëm 15-vjeçare, ishte ndër më të merituarat për këtë sukses të Dritës. Ajo u zgjodh MVP (lojtarja më e vlefshme) si në finalen e Kupës së Kosovës ashtu edhe në serinë finale të plejofit të Superligës. Për Megi Bislimin kjo është hera e parë që shpallet më e mira në të dy garat brenda një edicioni në nivelin senior. Ajo shpreson që me suksese të tilla të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ndeshja vendimtare është luajtur në palestrën e stërmbushur. Ndërkohë koreografia e tifozëve të Dritës kishte të bënte me numrin e Bislimit. Në panon e shpalosur në tribuna ishte e vizatuar volejbollistja me numrin shtatë duke mbajtur trofeun. Megi bart fanellën me numrin shtatë.

“Jam shumë e lumtur dhe e entuziazmuar për këtë sukses, por edhe për çmimin MVP, si e para që në këtë moshë e ka marrë ndonjëherë. Dhe ky është një motiv shtesë për të punuar edhe më shumë fuqishëm, pasi puna vlerësohet”, tha Bislimi të hënën për KOHËN.

Për Bislimin ishte edicioni i tretë me ekipin e parë të Dritës, me të cilin ka fituar tre tituj kampioni, si dhe ka triumfuar po aq herë në Kupën e Kosovës. Ajo thotë se Drita tashmë është shndërruar në forcë të volejbollit të femrave në Kosovë dhe dominimi i saj do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Volejbollistja e talentuar thotë se Drita prej fillimit të edicionit synim e ka pasur përfundimin e edicionit me dy trofetë kryesorë. Bislimi insiston se te Drita kanë besuar se do ta mbrojnë titullin e kampionit, pavarësisht faktit që pas dy ndeshjeve të serisë finale ishin në disavantazh 2:0 përballë Skenderajt.

“Të them të drejtën kam besuar se do të fitonim. Kur për të gjithë dukej pothuajse një gjë e pamundur pas dy humbjeve, një zë brenda vetes me thoshte të kundërtën. Dhe, jam shumë e lumtur që ndjenja ime në fund doli me rezultatin që e donim të gjithë”, thotë Megi Bislimi, e cila me ekipin e parë të Dritës ka debutuar në moshën 12-vjeçare.

“Pa dyshim që Drita do ta vazhdojë dominimin e saj dhe për këtë e falënderoj trajnerin Lorik Ilazi që ka lënë gjurmë në ngritjen time si sportiste. Drita është ekip me traditë dhe punon shumë me lojtaret e reja. Tani unë jam njëra prej atyre që numërojnë tre tituj kampioni dhe tri kupa të Kosovës”.

Paraqitjet e mira të Bislimit dhe dominimi i Dritës nuk e kanë befasuar aspak trajnerin Lorik Ilazi. Ai insiston se te Drita u kushtojnë shumë rëndësi edhe gjeneratave të reja, përkatësisht nxjerrjes së talenteve dhe promovimit të tyre në ekipin e parë, siç kanë bërë me Bislimin që tashmë është stabilizuar si njëra prej lojtarëve më premtuese.

Për Dritën, ky ishte titulli i shtatë në tetë edicionet e fundit, ndërsa Ilazi paralajmëron se këtë dominim në volejbollin e femrave synon ta vazhdojë.

“Drita gjithmonë punon për suksese dhe rezultati i punës po shihet. Për suksese po punojmë edhe në të ardhmen pasi fokusin e kemi te lojtaret e reja të akademisë sonë. Megi është lojtare e veçantë dhe këtë e dëshmoi, ndërsa ne jemi në kërkim të lojtareve sikurse ajo për të ardhmen e klubit”, tha Ilazi. “Në akademi kemi mbi 200 fëmijë dhe këtë edicion treguam se ne kemi besim te lojtaret vendore dhe ato të qytetit të Gjilanit, të cilat në fund na bënë kampion”.