Sport

Me Edgen erdhën edhe fitoret e mëdha të Trepçës

Fundori Darnell Edge po del të jetë përforcimi më i qëlluar i Trepçës deri më tani këtë edicion. Amerikani iu bashkua Trepçës para një muaji. Atij i kanë mjaftuar pak ndeshje për t’u konfirmuar si njëri prej lojtarëve kryesorë të ekipit nga Mitrovica.

Në fakt, Edge po dëshmohet të jetë lojtari që i ka munguar trajnerit Adis Beqiragiq për ta kompletuar ekipin mitrovicas. 26-vjeçari është stabilizuar menjëherë në skuadrën e re, ndërsa ardhja e tij tashmë ka dhënë rezultat. Edge në total ka gjashtë ndeshje të zhvilluara për Trepçën në të gjitha garat, dy prej të cilave ishin në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup. Ndërkohë, katër të tjera janë në Superligën e Kosovës në basketboll, të cilat Trepça i ka fituar për të dalë në krye të tabelës me 20 pikë të mbledhura, një më shumë se kampionia në fuqi, Peja.

Edge (188 cm i gjatë) me vetëm katër paraqitje në elitë është bërë edhe koshashënuesi më i mirë te Trepça. Ai po luan me mesatare prej 18 pikëve, 5 kërcimeve dhe 6 asistimeve për ndeshje. Në një intervistë për KOHËN, Edge ka pranuar se është i kënaqur me kontributin e tij të deritashëm te Trepça, por premton paraqitje edhe më të mira me kalimin e kohës.

Thotë se është përshtatur menjëherë dhe se të gjithë e kanë pritur shumë mirë në Mitrovicë.

“Përfundimisht jam i kënaqur me kontributin tim por mundem edhe më shumë dhe do të punoj në këtë aspekt për të qenë edhe më i mirë në të ardhmen. Duket se i gjithë ekipi jemi në një linjë sa u përket synimeve këtë edicion dhe po vazhdojmë të ngrihemi së bashku. Personalisht jam i kënaqur me lojën që kam treguar dhe jam krenar që së bashku kemi një ecuri të mirë”, ka thënë Edge.

Ai pranon se është i kënaqur me vendimin për t’iu bashkuar Trepçës, ndërsa shton se ka pritur të ketë një ndikim pozitiv në ekip. Para Trepçës, Edge ka bërë karrierë në Ukrainë, Turqi, Rumani e Poloni. Thotë se përvoja e krijuar në këto liga të Evropës ka bërë që të ketë start të mirë në Kosovë.

“Kur kam firmosur e kam njohur ekipin, pasi më kanë paralajmëruar për gjërat që kishin nevojë nga unë për t’i ndihmuar të përmirësohen. Kështu që kam qenë i fokusuar pikërisht në ato gjëra duke u përpjekur ta udhëheq ekipin, të ofroj energji pozitive dhe të jem lojtari në të cilin kanë llogaritur kur më kanë transferuar”, tha Edge.

“Trepçën e shoh si një ekip shumë mirë të organizuar në Kosovë, sigurisht me synime të mëdha dhe jam i lumtur që jam pjesë e saj. Prejse kam ardhur të gjithë kanë qenë shumë të mirë me mua, ndërsa përkrahja e tifozëve është e jashtëzakonshme”.

Sa i përket ligës së Kosovës, Edge thotë se është e mirë, me ekipe të forta dhe lojtarë të talentuar. Shton se konkurrenca është e mirë dhe tejet “energjike”, ndërsa tifozët thotë se janë hijeshia e ndeshjeve për shkak të dashurisë për basketbollin.

Edge thekson se jo vetëm ai por të gjithë lojtarët duan të japin maksimumin nga vetja për ta ndihmuar ekipin. Amerikani e ka parasysh se Trepça edhe këtë edicion synon kthimin e titullit të kampionit, sukses të cilin nuk e ka përjetuar që nga viti 2012. Trepça ka ekip për një sukses të tillë, sipas Edges.

“E di shumë mirë që Trepça ka kohë që nuk e ka fituar titullin. Mendoj se kemi një grup solid të lojtarëve që janë të komponuar shumë mirë mes veti dhe përderisa vazhdojmë të punojmë dhe të jemi të fokusuar deri në fund, atëherë mund të jemi të suksesshëm këtë edicion. Realisht mendoj se kemi ekip që mund ta fitojë titullin, pasi ky edhe mbetet synimi kryesor këtë edicion”, tha Edge.

Trepça këtë edicion e ka fituar Superkupën e Kosovës, ndërsa në dy edicionet e kaluara ka triumfuar në Kupën e Kosovës.

Trepça këtë edicion për herë të parë u paraqit në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup, ku u eliminua duke përfunduar e fundit në Grupin G me një fitore nga katër ndeshje të luajtura.