Përderisa Peja e Trepça filluan kompletimin e ekipeve me zyrtarizimin e trajnerëve, Sigal Prishtina ka nisur të bëhet gati për edicionin e ri me angazhimin e lojtarëve. Peja ka konfirmuar trajnerin Rami Hadar edhe për një vit, ndërsa Trepça ka angazhuar Adis Beqiragiqin, ish-trajnerin e Yllit.
Prishtina fillimisht po merret me basketbollistë. Të hënën e prezantoi Muhamedali Janjevën, ndërsa të martën kanadezin Devoe Joseph. Fundori Joseph është përforcimi i parë i huaj te Prishtina për edicionin e ri, që pritet të nisë në muajin shtator.
Joseph nuk është i panjohur në basketbollin kosovar. Në kampionatin e fundit e fitoi titullin me skuadrën e Pejës. Ai ishte ndër më të dalluarit te Peja që u shpall kampione pas një dekade, ndërsa u shqua për saktësinë nga distanca. Ka shkëlqyer sidomos në ndeshjen vendimtare.
33-vjeçari luajti edhe në finalen e Ligës Ballkanike me Pejën, ndërsa pati mesatare prej 15 pikëve, 3 kërcimeve dhe 3 asistimeve për ndeshje. Joseph pritet të jetë armë e fortë për Prishtinën, sidomos me gjuajtjet për tri pikë.
Para se të vendosej në Kosovë, në fillim të këtij viti, Joseph ka bërë karrierë nëpër disa prej ligave të njohura evropiane, si në Turqi, Poloni, Ukrainë, Spanjë, Francë, Mal të Zi, Greqi, Rumani e Finlandë. Joseph për KOHËN ka thënë se me padurim pret t’i bashkohet ekipit të ri, me të cilin synon trofe të tjerë. Ai ndihet i lumtur që edhe edicionin e ardhshëm do të luajë në Kosovë.
“Në edicionin e ardhshëm do të jem pjesë e Prishtinës dhe sigurisht që synimet janë të mëdha. Dua të fitoj trofe pasi ky është edhe plani im, por edhe i klubit. Me të fituar titullin me Pejën, kam filluar të mendoj për tjetrin dhe tani do të përpiqem ta fitoj me Prishtinën”, është shprehur Joseph.
Janjeva dhe Joseph janë paralajmërimet e para se Prishtina do të ndërtojë një ekip shumë cilësorë për edicionin e ri. Ekip kualitativ kanë paralajmëruar në klubin e kaltër, duke insistuar se deri në fund të këtij muaji do të kompletohen.
Prishtina edicionin e kaluar triumfoi vetëm në Superkupën e Kosovës, ndërsa u mposht në finale të Kupës së Kosovës dhe u eliminua në gjysmëfinale të plejofit. Titullin nuk e ka fituar prej vitit 2019.
“Me të përfunduar kampionati ne kemi filluar të punojmë për edicionin e ri. Veçse kemi filluar me përforcime, ku e kemi shtuar Muhamedali Janjevën si vendor dhe Devoe Josephin të huaj. Synimi është të krijojmë një ekip që do të jetë shumë i fortë dhe konkurrent”, është shprehur kryetari i Sigal Prishtinës, Blerand Stavileci.
Nga Prishtina kanë bërë të ditur se të gjithë lojtarët vendorë që ishin pjesë e ekipit edicionin e shkuar kanë kontrata edhe për edicionin e ri. Vendorëve pritet t’u shtohet Arti Hajdari, që me shumë mundësi do të zyrtarizohet ditëve në vijim te Prishtina.
Sa i përket trajnerit, është vetëm çështje kohe përpara se të zyrtarizohet. Edicionin e shkuar në krye të ekipit ishin tre trajnerë, të gjithë nga Turqia. Skuadra nisi me Ekrem Memnunin, i cili u largua pas ndeshjes së parë. Vazhdoi me ndihmësin e tij, Murat Bilge, përpara se ta mbyllte edicionin me Ahmet Kandemirin. Prej lojtarëve të huaj që i pati edicionin e shkuar, Prishtina synon të kthejë Dustin Thomasin e Derrick Wilsonin.
“Shpresojmë që deri më 15 qershor të kompletojmë ekipin, përfshirë këtu edhe trajnerin”, ka theksuar Stavileci.