Sport

Mbrojtësi Ivkiq premton gola të tjerë për ta ndihmuar Fushë Kosovën në misionin e mbijetesës

Luan qendërmbrojtës, por është golashënuesi më i mirë i Fushë Kosovës pas xhiros së tetë në Superligën e Kosovës në futboll. Fushë Kosova ka luajtur shtatë ndeshje deri më tani këtë edicion, ndërsa sllovenit Dominik Ivkiq i kanë mjaftuar gjashtë paraqitje për t’u shndërruar në lojtarin kryesor të ekipit.

26-vjeçari ka shënuar tre prej gjashtë golave që Fushë Kosova i ka realizuar në elitën e futbollit kosovar. Me golat e Ivkiqit, Fushë Kosova ka arkëtuar dy pikët e vetme. Ivkiq shënoi golat e barazimit ndaj Prishtinës (2:2) dhe Dritës (1:1). Ai shënoi edhe në duelin me Lirinë, të cilin Fushë Kosova e humbi me shifrat 2:1.

Për KOHËN, Ivkiq ka thënë se shënimi i golave nuk është i rastësishëm për të. Thotë se edhe në ekipet ku ka luajtur më parë është shquar për golat e shënuar, pavarësisht pozitës që ka.

“Sinqerisht nuk e kam pritur një start të tillë, por nuk është aksidental për shkak se edicionin e shkuar kam shënuar katër gola për ekipin ku kam luajtur. Në stërvitje angazhohem shumë, sidomos për të shënuar gola prej ndërprerjeve. Kështu që është një fillim i mbarë për mua”, është shprehur Ivkiq.

Futbollisti slloven iu bashkua Fushë Kosovës në fillim të këtij edicioni, pa ndonjë bujë të madhe. Ai te Fushë Kosova u transferua nga ND Ilirija, ekip që garon në kategorinë e dytë të futbollit slloven. Insiston se do të përpiqet të shënojë edhe gola të tjerë për ta ndihmuar Fushë Kosovën.

Fushë Kosova është ekipi i vetëm pa fitore në elitë, ku krahas dy barazimeve ka regjistruar edhe pesë humbje. Zë vendin e fundit në tabelë.

“Besoj shumë se do të shënoj edhe gola të tjerë, pasi dua ta ndihmoj ekipin në çdo aspekt. Gjëja më e rëndësishme është të marrim pikët dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë në secilën ndeshje që e luajmë”, shtoi Ivkiq, i cili tha se meritat më të mëdha për transferimin e tij te Fushë Kosova i ka drejtori sportiv, Kujtim Arifi.

“Meritat më të mëdha shkojnë për vëllain tim dhe sigurisht Kujtimin, të cilët pasi vendosën kontaktin, i përfunduan shpejt procedurat e transferimit. Po ndihem shumë mirë këtu, sikur në shtëpi. Të gjithë më kanë mirëpritur dhe jam i gatshëm ta ndihmoj ekipin në çdo aspekt”.

Synimi i Ivkiqit këtë edicion lidhet kryekëput me objektivin e skuadrës së Fushë Kosovës, që është mbetja në Superligë. Fushë Kosova u kthye në elitë pas nëntë vjetësh. Mbrojtësi beson se Fushë Kosova ka potencial për ta siguruar mbijetesën.

“Synimi personal është që të jem i shëndetshëm dhe të luaj në secilën ndeshje të Superligës, në mënyrë që ta ndihmoj ekipin në arritjen e synimeve. Sigurisht që dua të shënoj sa më shumë gola që të jetë e mundur. Ekipi ka synim mbijetesën në Superligë dhe jam i bindur se ka shumë potencial e cilësi, por nganjëherë po na mungon përvoja dhe fati”, pranoi Ivkiq. “Jam 100 për qind i bindur se do të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje, pasi nuk po luajmë dobët dhe këtë e kemi dëshmuar në duelet e fundit”.

Ivkiq thotë se niveli i Superligës së Kosovës është shumë i lartë. Sipas tij, në Kosovë ka shumë lojtarë të mirë.

“Disa njerëz mendojnë se është lehtë në Superligën e Kosovës, por nuk është aspak e lehtë, përkundrazi është ligë shumë e fortë dhe e vështirë. Është ligë e mirë me shumë lojtarë të mirë. Për mendimin tim, Ballkani po tregon se pse është ekipi më i mirë për momentin, ndonëse skuadrat e tjera janë afër. Secila ndeshje e Superligës po vendoset nga detajet e vogla”, shtoi Ivkiq.

Ivkiq ka karrierë në futbollin profesionist. Është zhvilluar te të rinjtë e Domzhales, përpara se të debutojë me ekipin e parë në vitin 2016. Krahas Domzhales, në Slloveni ka luajtur për ekipet Zarica Kranj, Radomlje, Brinje Grosuplje e Fuzinar. Në Kroaci ka qenë pjesë e skuadrave Sesvete e Hrvastki Dragovoljac, ndërsa në Estoni ka luajtur për Kalevin. Ka qenë pjesë e grupmoshave U16, U18 dhe U19 të Sllovenisë.

“Kam luajtur kryesisht në Slloveni, por kam përvojë edhe nga Kroacia, Estonia e Irani. Gjithashtu kam qenë edhe kapiten i Sllovenisë deri te gjenerata U18. Në Kroaci kam fituar titullin e kampionit në kategorinë e dytë dhe jemi promovuar në Superligë”, tregoi Ivkiq. “Sa i përket së ardhmes nuk po mendoj, pasi kam kontratë me Fushë Kosovën dhe jam i lumtur këtu. Jam i fokusuar në çdo stërvitje dhe ndeshje deri në fund të edicionit, ndërsa çka sjell e ardhmja do të shohim”.

Ndeshjen e radhës, Fushë Kosova e luan të shtunën. Do të përballet me Feronikeli ’74 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.