Edicioni në Superligën e Kosovës në basketboll është muaj larg përfundimit. Por skuadra e Prishtinës vlerëson se tashmë ka trofeun e saj. Ky “trofe” nuk qëndron në vitrinë, por shkëlqen në parket në secilën ndeshje me fanellën e skuadrës. Bëhet fjalë për talenten e madhe të basketbollit, Malvina Haziri.
Malvina vlerësohet basketbollistja me potencialin më të madh në vend. 14-vjeçarja me plot sukses po e luan edicionin e parë në nivelin e të rriturave. Te Prishtina, njëra prej skuadrave më të mira në vend, është lojtare e pesëshes së parë.
Në secilën ndeshje te Prishtinës, Haziri luan mbi 35 minuta, ndërsa ka mesatare prej 10 pikëve, 3 kërcimeve e 2 asistimeve. Specialitet i saj janë gjuajtjet për tri pikë, ndërsa ka saktësi mbi 35 për qind. Pas vetëm 10 ndeshjeve të luajtura në kampionat, Haziri ka impresionuar Prishtinën, por edhe të gjitha klubet dhe ata që e përcjellin Superligën e basketbollisteve.
Te Prishtina nuk janë të befasuar me shpërthimin e Hazirit, e cila para fillimit të këtij edicioni u bë pjesë e këtij ekipi. Te Prishtina mburren që kanë në skuadër një lojtare si Malvina.
“Jo vetëm Malvina, por besoj që edhe dy apo tri lojtare të reja janë trofe të Prishtinës sivjet. Por njëra ndër to deri më tash është Malvina”, vlerëson trajneri i Prishtinës, Lorik Kllokoqi.
Vetë Haziri nuk ka pritur ta ketë një fillim të tillë. Thotë se është munduar në mënyrën më të mirë të mundshme t’ia shpërblejë trajnerit besimin e dhënë. Ajo është falënderuese për mundësinë që i është dhënë për të shfaqur talentin në Superligë.
“Unë ndihem shumë mirë së pari që më është dhënë mundësia të luaj, pasi shumë vajzave dhe djemve të gjeneratës sime nuk u jepet mundësia të luajnë në këtë nivel. Unë për vete nuk e kam pritur ta bëj këtë shpërthim. Por ndoshta prej meje mund të pritet më shumë, pasi besoj në veten dhe trajnerin që më ka dhënë mundësinë dhe besoj se do të shkojnë gjërat edhe më mirë”, tha Malvina Haziri.
“Shpresoj që mund të jap edhe më shumë. Nuk kam ndonjë limit, por do të punoj çdo ditë e më shumë për të arritur edhe më tepër”.
Ajo prej moshës tetëvjeçare ka filluar me basketboll. Fillimisht kishte dashur të luante futboll, por në fund ndërroi mendje dhe vendosi ta provonte basketbollin.
“Si fëmijë kam qenë shumë energjik dhe nuk kam ditur me çfarë sporti të merrem. Ka qenë pushimi i verës dhe nuk mund të rrija në shtëpi tërë kohën, kështu që thashë ta provoj basketbollin dhe veprova ashtu. Fillimisht e kam menduar futbollin, por thashë të ndërroj pak sportin dhe të mos bëhem si të gjithë”, tregon Haziri.
Malvina është stërvitur te skuadra e Vushtrrisë dhe thotë se trajnerët e saj të parë e kanë ndihmuar shumë të përmirësohet. Te Vushtrria qëndroi për pesë vjet. Në të ardhmen synon ligat më të forta të Evropës.
Paraqitjet e mira këtë edicion te Prishtina, Malvina shpreson t’i sigurojnë vend në përfaqësuesen A të Kosovës.
“Kam filluar në Vushtrri te trajnerët Arianit Morina dhe Arsim Berisha, të cilët më kanë ndihmuar shumë. Atje kam stërvitur për pesë vjet dhe tani jam këtu. Me basketboll kam filluar të merrem prej moshës tetëvjeçare. Është nder ta përfaqësoj shtetin tim, që e kam përfaqësuar më herët dhe shpresoj ta bëj edhe në të ardhmen. Për vete nuk kam ndonjë qëllim të caktuar për të ardhmen, por mendoj që të arrij ligat evropiane, t’i kaloj dhe të shkoj sa më larg që të jetë e mundur”.
Trajneri i Prishtinës, Kllokoqi, thotë se këtë edicion kanë vendosur të bëjnë ndërrimin e gjeneratës dhe për këtë arsye janë fokusuar te lojtarët e reja. Sipas tij, Malvina Haziri është potenciali më i madh në basketbollin kosovar.
“Ideja e klubit të Prishtinës sivjet ka qenë të përtërijë gjeneratën në ligën seniore dhe kemi bërë një program që kemi marrë 5-6 lojtare të reja dhe njëra ndër to është Malvina. Besojmë që është një ndër lojtaret me potencialin më të madh që ka ekzistuar në basketbollin e femrave në Kosovë. Shpresojmë që të ketë fat dhe të vazhdojë karrierën ashtu qysh e ka filluar”, ka thënë Kllokoqi.
Për të nuk ka qenë befasi paraqitja e Hazirit, duke pasur parasysh përgatitjet që i ka bërë dhe punën me trajnerët te Vushtrria, të cilët i ka falënderuar.
“Për mua nuk ka qenë fare frikë të kem besim tek ajo pasi e ka dëshmuar veten dhe normal që unë jam një trajner vendor dhe kam dëshirë që lojtareve vendore t’u jap përparësi dhe të kenë mundësi të zhvillohen. E them prapë që Malvina është ndër potencialet më të mëdha në basketbollin femëror dhe shpresoj që ta shoh sa më lart dhe besoj se shpejt do ta shohim të gjithë së bashku në majat e basketbollit”, shtoi trajneri prishtinas.
Kllokoqi pranon se ka qenë pak rrezik ta inkuadrojë Malvina Hazirin në pesëshen e parë, por thotë se ka marrë guximin për një veprim të tillë dhe se basketbollistja e talentuar ia ka shpërblyer në mënyrën më të mirë të mundshme.