Dy fitore në po aq ndeshje të luajtura. Shtatë gola të shënuar dhe vetëm një i pranuar. Vendi i parë në tabelë. Ky është bilanci i skuadrës së Malishevës në start të edicionit 2023/24 në Superligën e Kosovës. Pavarësisht këtij starti, trajneri Senad Alirifa ka thënë se ka kërkuar nga futbollistët e tij të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe mos të kaplohen nga euforia. Malisheva e nisi edicionin me fitore minimale 1:0 në udhëtim ndaj Dukagjinit, përpara se ta mposht me rezultatin e thellë 6:1 skuadrën e Fushë Kosovës. Trajneri Alirifa, të hënën ka thënë për KOHËN, se është i kënaqur me paraqitjet e ekipit e tij në dy ndeshjet e para dhe shpreson që të vazhdohet me këtë ritëm. Ai ka pranuar se synimi i Malishevës këtë edicion është që të tubojë sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Megjithatë, ka shtuar se nuk do të jetë lehtë për shkak se qasja e ekipeve kundërshtare në ndeshjet e ardhshme, do të jetë shumë më serioze pas dy fitoreve të para.
“Dy paraqitjet e para ishin të mira, por tani do të jetë dukshëm më vështirë sepse kundërshtarët do të kenë qasje më serioze ndaj nesh pas këtij starti. Synimi është të vazhdojmë me këtë ritëm, por primare është të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe mos të kaplohemi nga euforia. Në fund të fundit, nuk është asgjë pasi kemi marrë gjashtë pikë në dy ndeshjet e para të këtij edicioni”, u shpreh Alirifa. “Synimi është që të kemi sa më shumë pikë dhe të ngjitemi sa më lartë në tabelë. Sigurisht, kërkojmë edhe të luftojmë për vendin e katërt nëse na jepet mundësia për të dalë në Evropë edicionin e ardhshëm”.
Vet Alirifa pranon se nuk ka pritur një start të tillë të Malishevës, ndonëse shton se kur e ka parë orarin dhe dy ndeshjet e para, ka pasur një bindje se ekipi i tij do të dalë i pamposhtur nga këto ballafaqime. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme në këtë ecuri të Malishevës është se drejtuesit e klubit kanë arritur të mbajnë shumicën e lojtarëve që ishin pjesë e ekipit në dy edicionet e mëparshme. Malisheva debutoi në Superligë në edicionin 2021/22, në të cilën mbetjen e siguroi nëpërmjet plejautit. Ndërsa, edicionin e shkuar arriti të përfundoj në pozitën e gjashtë në tabelë.
“Kur kam biseduar me drejtuesit para se ta pranojë detyrën e trajnerit, e kam ditur se çfarë ekipi do të kem në dispozicion. Kam kërkuar që lojtarët kyç të mbesin dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi ata luajnë së bashku në vitin e tretë në Superligë”, ka thënë Alirifa. “Sa i përket startit me dy fitore në dy ndeshjet e para, sigurisht se nuk e kam pritur as unë e as të tjerët. Ndoshta, kur e kemi parë orarin nuk kemi pritur 6 pikë, por të paktën 4 pikë. Çdo pikë është e vlefshme për ne këtë edicion dhe në secilën ndeshje do të futemi me objektivin për rezultat pozitiv”.
Alirifa mori drejtimin e Malishevës para fillimit të këtij edicioni dhe është trajneri më i ri në Superligë. 32-vjeçari pranon se ndoshta angazhimi i tij është parë me skepticizëm nga të tjerët dhe ka qenë i vetëdijshëm për këtë. Por, thotë se ka besuar në punën e tij dhe beson se tashmë i ka bindur të gjithë ata që dyshuan me rezultatet dhe lojën që po tregon Malisheva. Në fakt, Alirifa edhe më përpara ka qenë në krye të Malishevës dhe e njeh ambientin. Ai ka punuar tri vjet në këtë ekip (2018 – 2021), duke e promovuar në Ligën e Parë nga Liga e Dytë.
“Tri vjet kam qenë trajner i Malishevës. E kam inkuadruar në Ligën e Parë nga kategoria e dytë dhe në edicionin e pandemisë në ndeshjen për inkuadrim për Superligë u mposhtëm nga Arbëria e Dobrajës. Jam larguar në janar të vitit 2021, duke e lënë ekipin në vendin e parë në tabelë ku pastaj Arsim Thaqi e inkuadroi në elitë”, shtoi Alirifa, i cili edicionin e shkuar udhëhoqi Rahovecin në Ligën e Parë. “Jam trajneri më i ri në moshë në Superligë dhe ndoshta edhe unë do të isha skeptik nëse ndonjë ekip i Superligës do të angazhonte dikë të kësaj moshe dhe i kuptoj të gjithë. Kam qenë i vetëdijshëm për këto paragjykime por kam qenë i qetë sepse besoja në punën time dhe në faktin se të gjithë do ti bindi se Malisheva nuk gaboi me mua. Unë do të vazhdoj punën me ekipin për të dëshmuar se pse më angazhoi Malisheva”.
Në xhiron e tretë Malisheva do ta ketë një test më të vështirë se në dy xhirot e para. Do të jetë mysafire e skuadrës së Prishtinës, ndeshje kjo që zhvillohet në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në Hajvali.