Sport

M-Technologie, klubi që ka bërë traditë në transferimin e volejbollisteve nga Turqia

Vitet e fundit volejbolli i Kosovës është vërshuar nga lojtare të huaja. Transferimet nga vende të tjera i bëjnë kryesisht klubet që synojnë ta mbyllin edicionin me trofe.

Për dallim prej shumicës së klubeve që fokusohen te lojtaret nga Amerika Latine, një klub prishtinas vitet e fundit në radhët e veta rregullisht ka lojtare nga Turqia.

M-Technologie edhe këtë edicion ka në radhët e veta një volejbolliste turke. Bëhet fjalë për pranuesen me përvojë, Merve Korkmaz, e cila i është bashkuar klubit prishtinas në fund të janarit. Korkmaz është volejbollistja e katërt nga Turqia në katër edicionet e fundit te M-Technologie. Para saj pjesë e ekipit ishin Izel Kahraman, Ipek Vural e Ilayda Gozen.

Trajneri Naser Krasniqi thotë se ekipi i tij vitet e fundit e ka bërë si një lloj tradite përforcimin me lojtare nga Turqia. Ai thotë se u jep përparësi më shumë lojtareve nga Evropa, ndonëse në ekip ka edhe një volejbolliste nga Venezuela.

“Fillimisht kemi pasur lojtare nga Brazili e Kuba, por në katër vitet e fundit, falë bashkëpunimit që e kemi me disa persona që udhëheqin klube nga Turqia, e kemi bërë si traditë të marrim çdo vit nga një lojtare të re ose me përvojë nga ky vend. Këtë vit kemi një lojtare me përvojë që ka bagazh ndërkombëtar, por edhe vitet e fundit kemi pasur lojtare cilësore nga Turqia. Mentaliteti evropian, përfshirë Turqinë, ndryshon shumë prej atij të lojtareve nga Amerika Latine, që e kanë vërshuar volejbollin kosovar. Unë u jap përparësi lojtareve nga Evropa, pasi na përshtatet mentaliteti, relacioni është më i shkurtër, shpejt mund të marrim informacion për cilësinë e tyre dhe na konvenon të marrim nga Evropa”, ka thënë Krasniqi.

Volejbollistja Korkmaz po ndihet shumë mirë në ekipin kosovar. Kjo është përvoja e dytë e saj në karrierë jashtë Turqisë. Edicionin e shkuar luajti në Mal të Zi, te skuadra Herceg Novi. Ajo e ka parasysh lidhjen e ekipit kosovar me volejbollistet nga Turqia dhe thotë se nuk e ka pasur problem të ambientohet, përkundër vështirësive për të folur në gjuhën angleze.

“Jam shumë e lumtur në Kosovë dhe që jam pjesë e këtij ekipi. Të gjithë më kanë pritur mirë, duke filluar nga trajneri e deri te bashkëlojtaret. E di që në të shkuarën ky ekip ka pasur lojtare nga Turqia dhe unë jam e katërta, kështu që më bën të ndihem edhe më mirë. Para se të vij në Kosovë kam luajtur edhe në Mal te Zi, derisa pjesën tjetër të karrierës e kam ndërtuar në Turqi”, thotë Korkmaz.

Synimet me fanellën e ekipit kosovar, Korkmaz i ka të mëdha. Thotë se dëshiron të fitojë trofe, ndonëse pranon se nuk do të jetë aspak e lehtë. Vlerëson se liga është e fortë, ndërsa potencon se do të ishte mirë ta përsëriste suksesin e vitit të shkuar, kur e fitoi titullin e kampionit në Mal të Zi.

“Së pari dua ta ndihmoj ekipin të futet në plejof dhe pastaj dua të fitoj trofe, pasi sezonin e shkuar në Mali të Zi jam shpallur kampione. Liga nuk është aspak e lehtë, sepse konkurrenca është shumë e fortë. Por, rëndësi ka që fillimisht të futemi në plejof dhe pastaj të synojmë trofe”, shton volejbollistja turke.

Kapitenia Lyra Pireva thotë se tashmë janë mësuar të kenë në ekip lojtare të huaja, në veçanti nga Turqia. Ajo shpreson që përforcimet e këtij sezoni ta shtyjnë ekipin drejt sukseseve, duke shtuar se po punojnë që kampionatin ta mbyllin me njërin prej trofeve.

“Po punojmë shumë që të synojmë titullin dhe kupën e Kosovës për ta mbyllur sezonin me sukses.

Ne jemi mësuar të kemi lojtare të huaja, ku këtë vit e kemi një nga Venezuela, e cila paksa më vështirë e ka përshtatjen. Sa i përket lojtares nga Turqia, ne edhe vitet e kaluara kemi pasur lojtare nga ky vend, të cilat e kanë traditën e ngjashme me ne dhe më lehtë mund te ambientohen. Besoj se shpejt do të përshtatemi me njëra-tjetrën dhe së bashku të arrijmë synimet që kemi”, u shpreh Pireva.

M-Technologie vlerësohet prej skuadrave kryesore të volejbollit në vend.