Sport

Lojtarët në gjendje të rëndë psikologjike: “Doja të shihja vetëm gjëra që lidheshin me vdekjen”

Richarlison-Raphinha

Richarlisoni, në një intervistë dhënë disa ditë më parë për mediumin “ESPN”, ishte i fundit që pranoi se është dashur të këshillohet me një psikolog. Por, numri i lojtarëve që kërkojnë ndihmën e psikologëve është në rritje, ka shkruar të enjten mediumi spanjoll “Marca”. 

Benjamin Pavard shumë kohë më parë e kishte shpjeguar në mënyrë të përkryer situatën me të cilën ishte përballur. 

“Vetëm pse bën jetë të mirë, nuk do të thotë se je i lumtur”, kishte thënë Pavard, tani lojtar i Interit. 
Pasuria nuk të garanton gjithmonë gjëra të mira. 

Ndonjëherë, ne harrojmë që jemi njerëz, shkruan mediumi spanjoll. 

Lojtarët janë të pasur, janë idhuj të qindra e mijëra njerëzve. Madje, ata fitojnë edhe çmime. Por, vuajnë. 

“Kjo gjë duhet të trajtohet hapur. Duhet të tregohen gjëra që mund t’u ndodhin edhe futbollistëve. Ne luajmë rol të rëndësishëm në shoqëri”, kishte thënë Niklas Schmidt, që luan për Toulousen francez. 
“Ata mund ta përdorin famën e tyre, si shembull, për ta ngritur vetëdijesimin”.

Ana tjetër e Richarlisonit

Richarlisoni kishte bërë me dije se i është dashur ndihma e psikologut pas Kupës së Botës në Katar. Ai ka shfaqur publikisht atë në të cilën kishte kaluar. 

“Pas Kupës së Botës duhej të shkoja në stërvitje dhe doja të shkoja në shtëpi, në dhomën time. Nuk e di se çfarë po ndodhte në kokën time. Madje i kam thënë babait se dua ta lë futbollin. Pas Kupës së Botës më dukej se asgjë nuk po shkonte mbarë”, ka thënë braziliani. 

“Seanca me psikologun më ktheu në jetë. Mendoja vetëm mbeturina, edhe në Google kërkoja vetëm mbeturina. Mendoja për gjëra që lidheshin me vdekjen. Sot mund t’u them që të konsultoheni me psikolog nëse keni nevojë, sepse është mirë që të hapeni dhe të flisni me njerëz”, ka thënë Richarlisoni për “ESPN”.

Për këtë çështje ka folur edhe Raphinha

Raphinha, lojtari i Barcelonës dhe bashkëlojtari i Richarlisonit te Brazili, është një tjetër futbollist që ka folur për këtë çështje dhe ka treguar pa frikë për përfitimet e ndihmës së psikologut. 

“Para kësaj, mendoja se ata janë për njerëz të çmendur, por duke e ditur rëndësinë që kanë për njerëzit dhe për lojtarët, e bëra hapin. Ka njerëz që besojnë se psikologu është vetëm për ata që kanë probleme mendore. Unë takohem me psikolog tash e disa vjet dhe kjo më ka ndihmuar”, kishte thënë ai në një intervistë dhënë për “Catalunya Radio”.

Mst: Shumë probleme kishte edhe Niklas Schmidt

Niklas Schimdt, tani te Toulouse, ka kaluar nëpër kohë të vështirë gjatë kohës sa ishte anëtar i Werder Bremenit. Ai ishte 25-vjeçar dhe në depresion.

“Futbolli nuk ishte më kaq i rëndësishëm. Nuk kisha entuziazëm për jetë, por kur të afërmit frikësohen për ty, duhet ta ndjekësh këshillën e tyre dhe të kërkosh ndihmë. Ashtu veprova”, kishte shpjeguar ai në vitin 2023. 

“Gjëja më e rëndësishme është t’i shfaqësh këto probleme. Dua t’ua bëj me dije se tani ndiej kënaqësi sërish”, kishte shtuar ai.

Vuajtjet e Iniestas

Andres Iniesta është emri tjetër i madh i futbollit që ka pasur telashe të këtij lloji. 

Iniesta ka qenë shënues i golit të triumfit të Spanjës në Kupën e Botës. Pavarësisht sukseseve në karrierë me Spanjën dhe Barcelonën, edhe Iniesta është përballur me depresion. 

Ai nisi të kishte probleme pas vdekjes së shokut të tij, Dani Jarque, i cili vdiq pas sulmit në zemër në vitin 2009. 

Më saktë, ai ia kishte dedikuar golin e shënuar në Afrikën e Jugut shokut të tij. 

“Nuk e kisha kënaqësinë apo energjinë që të jep jeta. Nis të ndihesh keq, bën teste që dalin mirë, por thua se diçka nuk po shkon mirë. Sheh vetëm zi. Doja që vetëm të vinte nata dhe të merrja ilaçin e të pushoja. Ai ka qenë momenti i vetëm i kënaqësisë”, ka thënë Iniesta.

Traumat e Dele Allit

Dele Alli ka pasur në jetë shumë ngritje e ulje. Ai kishte përjetuar abuzim seksual në moshën gjashtëvjeçare, ndërsa është marrë me drogë në moshën tetëvjeçare. Kishte edhe probleme alkoolike. Problemet u theksuan pas aventurës në Turqi te Beshiktashi, derisa një ditë kërkoi shërim. 

“Kam frikë të flas për këtë. Kur u ktheva nga Turqia e kuptova se duhej t’i nënshtrohesha një operimi dhe isha në gjendje të rëndë mendore dhe kam shkuar te një qendër rehabilitimi”, kishte thënë ai në emisionin “The Overlap” të Gary Neville. 

Edhe shumë lojtarë të tjerë të njohur të futbollit kanë vuajtur. Borja Iglesias, Di Maria, Buffon, Jesse Lingard në mesin e tyre.