Sport

Llapi shpreson për finalen e tretë, Gjilani i vendosur ta mbrojë fitoren e ndeshjes së parë

Stërvitjet e fundit skuadra e Llapit i ka mbajtur në fushën me bari sintetik të stadiumit “Sami Kelmendi” në Lipjan. Llapi ka vepruar në këtë mënyrë që të jetë sa më i përgatitur për ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të edicionit.

Këtë ndeshje Llapi do ta luajë në fushë me bari sintetik. Do të përballet me skuadrën e Gjilanit në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Ndeshja Gjilani - Llapi zhvillohet të mërkurën prej orës 15:00 në Gjilan.

Duelin e parë të luajtur në Podujevë, Llapi e humbi me rezultatin 2:1 dhe ekipi i trajnerit Tahir Batatina po synon ta përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit për të avancuar në finale. Nëse avancon për Llapin do të jetë finalja e tretë rresht. Në dy vjetët e kaluar ekipi nga Podujeva ka triumfuar në garën për kupë. Te Llapi kanë pranuar se kualifikimi në finale dhe eliminimi i Gjilanit nuk do të jetë i lehtë, por kanë insistuar se nuk udhëtojnë me “flamur të bardhë”.

Llapi në këtë ndeshje futet pas humbjes që e pësoi vikendin e shkuar në udhëtim te Trepça ’89 (2:1) në kuadër të Superligës. Ndërkohë, Gjilani triumfoi 2:0 në udhëtim te Malisheva për t’u forcuar në pozitën e tretë në tabelë me 43 pikë, katër më shumë se Llapi që renditet i gjashti.

“Kualifikimi nuk është aspak i lehtë dhe gjasat për të shkuar në finale janë 50 me 50. Megjithatë, ne jemi përgatitur mirë dhe do të japim maksimumin për të shkuar në finale për herën e tretë rresht, duke e shkruar historinë e klubit. Jemi në disavantazh prej ndeshjes së parë, por nëse kemi ditën tonë dhe luajmë mirë, atëherë do t’ia dalim. Po luajmë mirë në udhëtim dhe synimet i kemi të mëdha, por sigurisht se edhe Gjilani ka një ekip të mirë dhe lojtarë me përvojë, e që do të jetë shumë vështirë”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Edhe te Gjilani synojnë avancimin në finalen e Kupës së Kosovës. Futbollisti Armend Halili ka thënë se rezultati i ndeshjes së parë e favorizon ekipin e tij, por ka pranuar se në ndeshje të tilla nuk ka favorit. Sipas Halilit, për Gjilanin kjo mund të konsiderohet ndeshja me e rëndësishme e sezonit, pasi ekipi synon triumfin në Kupën e Kosovës. Ai ka thënë se fitorja e fundit ndaj Malishevës ka motivuar ekipin, ndërsa pret edhe ndihmën e tifogrupit “Skifterat” për ta tejkaluar Llapin në gjysmëfinale.

“Ndeshja ndaj Llapit është ndoshta më e rëndësishmja e sezonit. Jemi gati për ta arritur objektivin, i cili është finalja e Kupës. Kemi disa mungesa të theksuara, mirëpo në këtë ndeshje futemi me motivin dhe besimin më të madh. Presim edhe përkrahjen e tifozëve, sepse me ta jemi së bashku në çdo sfidë”, ka insistuar Halili.

Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen Prishtina dhe Vushtrria. Duelin e parë Prishtina e fitoi në udhëtim me rezultatin 2:1. Këtë fitore ekipi nga kryeqyteti po kërkon ta ruajë në ndeshjen e kthimit, të cilën synon ta fitojë gjithashtu. Ndeshja luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, të mërkurën dhe nis në orën 15:00.

Mbrojtësi i Prishtinës, Bujar Pllana, ka thënë se janë përgatitur mirë dhe janë të gatshëm për të avancuar në finale të Kupës. Sipas tij, Prishtina synon të triumfojë në garën për kupë, pasi kjo është rruga e shkurtër për të siguruar daljen në Evropë. Në Superligë, Prishtina është e katërta me 41 pikë.

“Jemi në epërsi dhe ndoshta pak më të qetë prej ndeshjes së parë, të cilën e kemi fituar në udhëtim, por kjo nuk do të thotë se ka përfunduar gjithçka. Jemi përgatitur mirë dhe sigurisht se duam ta fitojmë këtë ndeshje për të avancuar në finale. Takimit do t’i qasemi prej fillimit me seriozitetin më të madh, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të fitojmë dhe të kalojmë tutje”, është shprehur Pllana.

Ndeshjet e dyta gjysmëfinale

E mërkurë (15:00)

Gjilani – Llapi (2:1)

Prishtina – Vushtrria (2:1)

*Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para