Sport

Llapi dhe Gjilani kërkojnë suksesin në Kupën e Kosovës

Edhe këtë sezon, fokusi i skuadrës së Llapit mbetet triumfi në Kupën e Kosovës në futboll. E nëpërmjet suksesit në këtë garë, Llapi synon ta sigurojë edhe pjesëmarrjen e tretë në garat evropiane. Në dy sezonet e fundit, Llapi e ka fituar Kupën e Kosovës, ndërsa një gjë të tillë po synon ta bëjë edhe këtë edicion. Për ta arritur këtë, Llapit i duhet të avancojë nga faza gjysmëfinale dhe ta fitojë ndeshjen finale.

Tri ndeshje larg trofeut të tretë rresht nuk janë shumë për trajnerin Tahir Batatina, i cili ka besim të madh në ekipin e tij. Megjithatë, Batatina ka thënë se fokusi i Llapit është te seria gjysmëfinale, në të cilën do të përballet me skuadrën e Gjilanit. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave, do të zhvillohet të mërkurën prej orës 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Te Llapi insistojnë se është shumë e rëndësishme ta fitojnë ndeshjen e parë, në mënyrë që të jenë më të qetë për duelin e kthimit që zhvillohet në Gjilan.

Edhe pse synim e ka fitoren ndaj Gjilanit, Batatina pranon se nuk do të jetë lehtë përball një ekip të komponuar mirë dhe që ka treguar rezultate të mira këtë sezon. Edhe në Superligë, këto dy skuadra nuk janë larg njëra tjetrës. Gjilani është i treti në tabelë me 40 pikë, ndërsa Llapi renditet në pozitën e pestë me katër pikë më pak.

“Na pret një ndeshje e vështirë, pasi luajmë me Gjilanin që ka një ekip të mirë dhe ka treguar formë të mirë. Nuk do të jetë aspak lehtë, por ne do të japim maksimumin nga vetja për të marrë një rezultat të favorshëm në ndeshjen e parë, pasi luajmë në shtëpi. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme para ndeshjes së kthimit dhe do të bëjmë të pamundurën për ta arritur”, ka thënë Batatina. “Sigurisht, që objektivi i Llapit është mbrojtja e këtij trofeu, pasi Kupa është rruga më e shkurtër për të dalë në garat evropiane. Kështu që, do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë në këtë garë, të cilën e kemi fituar në dy sezonet e fundit”.

Edhe te Gjilani, insistojnë se synim e kanë triumfin në Kupën e Kosovës. Mirëpo, pranojnë se nuk do të jetë lehtë për t’u kaluar pengesa në fazën gjysmëfinale. Mbrojtësi i krahut, Yll Hoxha ka thënë se Gjilani është përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe në Podujevë udhëton për një rezultat të favorshëm, duke pasur parasysh se ndeshjen e kthimit e luan në shtëpi.

“Është një ndeshje e vështirë, pasi përballemi me një nga rivalët më të fortë të kësaj gare. Jemi të vetëdijshëm për suksesin që ka pasur kundërshtari në këtë garë, por synimi ynë është gjithashtu fitimi i këtij trofeu”, është shprehur Hoxha. “Pavarësisht që kemi disa mungesa, ne do të bëjmë më të mirën e mundshme dhe do të japim gjithçka nga vetja për ta fituar këtë sfidë. Do të luhet me dy ndeshje, ndaj duhet pasur shumë kujdes. Në Podujevë do të udhëtojmë për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm”.

Të mërkurën, në të njëjtën kohë, zhvillohet edhe gjysmëfinalja tjetër. Skuadra e Prishtinës është mysafire e Vushtrrisë, ekipi i vetëm nga Liga e Parë që ka arritur të futet në mesin e katër skuadrave më të mira të kësaj gare. Prishtina vlerësohet favorite, pasi në këtë ndeshje futet pas një serie prej tri fitoreve, e cila e ka kthyer në pozitën e katërt në Superligë me 38 pikë të mbledhura. Në anën tjetër, Vushtrria është pjesë e Grupit B dhe zë vendin e tretë në tabelë.

“Pres te shohim të njëjtën Prishtinë si në ndeshjet e fundit duke dhënë maksimumin tonë dhe duke luftuar bashkë si ekip. Shpresoj do të dalim me rezultat të mirë që nga ndeshja e parë, dhe besoj që një nga qëllimet tona është kupa për të siguruar daljen në Evropë”, ka thënë mbrojtësi i Prishtinës, Muhamet Useini.

E mërkurë (15:00)

Llapi – Gjilani

Vushtrria - Prishtina