Sport

Te Kosova të matur para ndeshjes me Zvicrën

Te Kosova janë treguar të matur në prag të ndeshjes me Zvicrën, që zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.

Në konferencën për shtyp të Kosovës, që u mbajt të premten pasdite, u paraqitën selektori Primozh Gliha dhe kapiteni Amir Rrahmani. Të dy kanë vlerësuar lart Zvicrën dhe kanë pranuar forcën e kundërshtarit.

Dueli mes Kosovës dhe Zvicrës zhvillohet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, prej orës 20:45. I takon Grupit I të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm, që do të mbahet në Gjermani. Selektori Gliha ka thënë se gjatë pesë ditëve është munduar të përgatitë ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme për këtë ndeshje të fortë. Ka pranuar se ka disa telashe të vogla me lëndime, por që shpreson se ato do të zgjidhen para ndeshjes. Gliha pret angazhim maksimal prej lojtarëve të Kosovës dhe paraqitje të mirë ndaj Zvicrës, e cila vlerësohet favorite.

Zvicra është lidere e grupit me 10 pikë, shtatë më shumë se Kosova që pas katër ndeshjeve të luajtura, ka tri barazime e një humbje.

“Në futboll gjithmonë ka probleme dhe këto janë situata të zakonshme. Por ne duhet të gjejmë zgjidhje. Gjatë këtyre ditëve kemi punuar mirë dhe jemi mundur të gjejmë zgjidhje për këtë ndeshje që na pret. Do ta shohim se si do ta kemi situatën pasi i kemi disa lëndime të vogla. E di mënyrën se si do të luajmë, por formacionin do ta vendosi para ndeshjes”, është shprehur Gliha.

Trajneri slloven ka pranuar se presioni është i madh për këtë ndeshje, duke pasur parasysh kundërshtarin me të cilin përballet Kosova. Mirëpo ka shtuar se suksesi arrihet vetëm duke e përballuar presionin.

“Nëse do të kesh sukses, gjithmonë duhet të jesh në gjendje të punosh në presion dhe ta përballosh. Nëse doni alibi, atëherë mund të thuash se kishte presion. Në futboll duhet të kemi mendime pozitive dhe të marrim maksimumin në secilën ndeshje”, ka thënë Gliha.

Ai ka folur edhe për sulmuesin Albion Rrahmani e mesfushorin Meriton Korenica. Nuk ka dhënë sinjale se mund t’i aktivizojë, pasi ka thënë se janë ende të rinj për të përballuar një ndeshje të nivelit me Zvicrën. Ka pranuar se të gjithë lojtarët që do të luajnë do të kenë përgjegjësi të madhe.

“Pikësëpari Rrahmani e Korenica janë të mirë, por presioni është i madh. Ata janë të rinj dhe është vështirë të përballen me një presion të tillë kundër Zvicrës. Por të gjithë ata që luajnë do të kenë përgjegjësi të madhe, pa dyshim”, ka shtuar Gliha.

Edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka vlerësuar lart Zvicrën. Ka pranuar se është një ndeshje e rëndësishme për Kosovën dhe ka shtuar se të gjithë lojtarët janë maksimalisht të motivuar.

“Është një ndeshje e rëndësishme dhe jemi të motivuar. Kemi kundërshtarin më të fortë në grup. E mirëpresim këtë ndeshje, ndoshta jo në këtë moment, sepse nuk kemi shumë pikë, por jemi të gatshëm”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani ka thënë se nuk ka folur me kapitenin e Zvicrës, Granit Xhaka, para kësaj përballjeje, por ka shtuar se futbollistët shqiptarë janë dhe mbeten të rëndësishëm te “helvetikët”.

“Zvicra është ekip shumë i fortë, gjithmonë shkon në Evropian e Botëror dhe atë nëpërmjet rrugës së kualifikimeve. Te Zvicra ka shumë lojtarë shqiptarë që luajnë, kanë luajtur dhe do të vazhdojnë të luajnë”, shtoi Rrahmani.

Futbollisti i Napolit ka pranuar se pas humbjes nga Bjellorusia, morali ishte shumë i ulët te Kosova. Mirëpo Rrahmani ka thënë se ka biseduar me lojtarët dhe është munduar t’ua ngrejë moralin për ndeshjet e këtij muaji dhe ato të tjerat deri në fund të ciklit eliminator. Sipas tij, është e rëndësishme të luajnë mirë dhe të përgatiten për kualifikimet e ardhshme.

“Me Bjellorusinë ramë moralisht dhe i kam motivuar lojtarët të përgatitemi nëse jo për këto, atëherë për kualifikimet e ardhshme. Këto ndeshje duhet t’i shfrytëzojmë të përgatitemi për kualifikimet e tjera dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne”, ka insistuar Rrahmani.

Futbollistët e Kosovës kanë mbajtur edhe një seancë stërvitore të lehtë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Kjo është hera e parë në këtë grumbullim që Kosova është stërvitur në këtë stadium, pasi të gjitha seancat e tjera i ka zhvilluar në kampin nacional në Hajvali.