Sport

Liria e vendosur ta befasojë Dritën në Prizren

Pasi e humbi ndeshjen hapëse të edicionit 2023/24 në Superligën e Kosovës së futboll nga Ballkani, skuadrën e Lirisë nga Prizreni, e pret edhe përballje tjetër e vështirë në kuadër të xhiros së dytë. Edhe në këtë xhiro Liria luan në stadiumin “Përparim Thaqi” në Prizren, por këtë herë kundër nënkampiones në fuqi, Dritës. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën dhe nis në orën 17:00, ndërsa stadiumi edhe këtë herë pritet të jetë i stërmbushur sikurse javën e shkuar ndaj Ballkanit.

Ballkani e fitoi ndeshjen me rezultatin minimal 1:0, por Liria tregoi paraqitje të mirë në duelin e saj të parë në elitë pas katër edicionesh të kaluara në Ligën e Parë. Disfata nga Ballkani nuk i ka demoralizuar futbollistët e Lirisë, përkundrazi i ka motivuar për të treguar një tjetër paraqitje të mirë ndaj Dritës.

Madje synojnë rezultat pozitiv në këtë përballje që e kanë vlerësuar si tejet të vështirë. Kështu ka insistuar mbrojtësi i Lirisë, Melos Zenunaj, të premten për KOHËN. Zenunaj edhe kundër Dritës pret përkrahjen e fuqishme të tifozëve, duke shtuar se këtë herë ata meritojnë rezultat dukshëm më të mirë sesa kundër Ballkanit.

“Pa dyshim që Prizreni jo vetëm në ndeshjen e kaluar, por edhe në të shkuarën ka treguar organizime madhështore. Kështu që, një organizim të tillë dhe përkrahje të madhe nga tifozët e presim edhe kundër Dritës. Neve lojtarëve na mbetet të dalim në fushë dhe të japim gjithçka nga vetja në këtë ndeshje, në mënyrë që tifozët t’i shpërblejmë me rezultat pozitiv”, është shprehur Zenunaj.

“Jemi përgatitur mirë dhe jo vetëm ndaj Dritës, por në secilën ndeshje të këtij edicioni do të futemi për rezultat të favorshëm. Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë, sidomos pas paraqitjes së mirë që e patëm ndaj Ballkanit edhe pse humbjen nuk e kemi merituar aspak. Mirëpo, jemi të motivuar dhe gatshëm për një ndeshje tjetër të fortë dhe sigurisht një rezultat pozitiv”.

Për dallim prej Lirisë, skuadra e Dritës e ka nisur edicionin me fitore. E mposhti në Gjilan skuadrën e Llapit me rezultatin 3:1. E një paraqitje sikurse ndaj Llapit, trajneri i Dritës, Akis Vavalis, e pret edhe kundër Lirisë. Ai vlerëson lart kundërshtarin, por thotë se Drita duhet ta dëshmojë prej fillimit të ndeshjes së është ekip i mirë dhe favorit.

“Na pret edhe një ndeshje tjetër e vështirë pas asaj ndaj Llapit, por këtë herë në udhëtim kundër Lirisë. Liria në ndeshjen e parë me Ballkanin tregoi se është ekip i mirë dhe për këtë arsye nuk do të jetë aspak lehtë për ne. Madje punën do të na e vështirësojë edhe më shumë atmosfera e zjarrtë dhe përkrahjen e fuqishme që do ta ketë Liria nga publiku i saj entuziast. Kështu që, duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe tejet të disiplinuar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, ka thënë Vavalis në konferencën për shtyp të premten.

“Për mua gjëja më e rëndësishme është të tregojmë lojë të disiplinuar sikurse ndaj Llapit. Në radhë të parë duhet të jemi shumë agresivë dhe mendoj se gjithçka nga kjo ndeshje varet prej paraqitjes sonë. Që nga fillimi duhet të tregojmë se jemi ekip i mirë dhe favorit në këtë përballje, duke luajtur mirë gjatë tërë ndeshjes”.

Të shtunën po ashtu në të njëjtën kohë zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e kësaj xhiroje. Skuadra e Malishevës që xhiron e shkuar fitoi në udhëtim te Dukagjinit e pret Fushë Kosovën. Kjo ndeshje do të luhet në Suharekë, pasi stadiumi “Liman Gegaj” në Malishevë është në rinovim e sipër. Për Fushë Kosovën, e rikthyer këtë edicion në Superligë, kjo do të jetë ndeshja e parë këtë edicion në elitën e futbollit kosovar. Xhiron e shkuar, Fushë Kosova është dashur të përballej me Gjilanin, por ndeshja u shty për kohë të pacaktuar me kërkesën e ekipit gjilanas.

Edhe të dielën do të zhvillohen dy ndeshje. Kampioni në fuqi, Ballkani, e pret Feronikelin ’74, ekip që u mposht javën e shkuar në udhëtim te Prishtina (3:1). Ndërsa Llapi pas humbjes në Gjilan luan në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë kundër skuadrës së Dukagjinit, që po ashtu e nisi edicionin me disfatë.

Xhiroja e dytë e Superligës do të mbyllet të hënën, me duelin ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës, i cili nis në orën 17:00 dhe luhet në stadiumin me bar sintetik në qytetin e Gjilanit. Në fakt, kjo përballje është dashur të zhvillohej të shtunën, por është shtyrë për disa ditë me kërkesën e Gjilanit që kohët e fundit ka pasur telashe si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë financiar.