Xabi Alonso e ka transformuar Bayer Leverkusenin nga një kandidat për rënie në lider të pamposhtur të Bundesligës në pak më shumë se një vit që kur mori drejtimin e ekipit. Skuadra e Alonsos fitoi 22 nga 35 ndeshjet që i pati në Bundesligë në vitin 2023 - rekord klubi brenda një viti kalendarik. I konsideruar shumë si një mesfushor me klas për Real Madridin, Liverpoolin, Bayern Munichun dhe Real Sociedadin, Alonso nuk u testua si trajner në një klub të madh derisa drejtori sportiv i Leverkusenit, Simon Rolfes ia besoi skuadrën në tetor të vitit të kaluar. Leverkuseni ishte i parafundit në Bundesligë me vetëm pesë pikë nga tetë ndeshjet e para, veçse i eliminuar në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë dhe duke pasur vështirësi në Ligën e Kampionëve. Pasi filloi me disfatë 4:0 ndaj Schalkes, Alonso duhej të priste që idetë e tij të zbatoheshin pasi skuadra nuk arriti të fitonte asnjë nga gjashtë ndeshjet e ardhshme. Por më pas erdhi fitorja 5:0 ndaj liderit të atëhershëm, Union Berlinit në nëntor të vitit 2022. Ishte rezultati që i duhej Alonsos për të rikthyer besimin tek ai dhe ekipi i tij. Ata janë bërë më të fortë ndërkohë. Të mërkurën, Leverkuseni qëndroi me katër pikë më shumë në krye të Bundesligës me një fitore 4:0 ndaj Bochumit, ndërsa vendosi gjithashtu një rekord gjerman për ecurinë më të gjatë pa humbje që nga fillimi i edicionit. Leverkuseni nuk ka humbur asnjë nga 25 ndeshjet në të gjitha garat këtë edicion. I ka fituar të gjitha, përveç tri ndeshjeve.
“Ne donim të luanim një gjysmë të mirë të sezonit, por sigurisht, edhe optimistët më të mëdhenj nuk do ta kishin menduar se do ta bënim kaq mirë”, tha Alonso të enjten. “Jemi në këtë situatë, do të kënaqemi, por duam të vazhdojmë. Ne nuk duam të ndalemi”.
Leverkuseni është duke luajtur futbollin më tërheqës në ligë. Mbrojtësit e shpejtë të krahut, Jeremie Frimpong dhe Alex Grimaldo nisin sulme nga anët, Granit Xhaka sjell përvojën e tij në qendër dhe Florian Wirtz sjell magjinë e tij përpara. 20-vjeçari Wirtz ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar në 12 të tjerë në të gjitha garat këtë edicion. Por Alonso ka edhe alternativa tjera në skuadrën e tij. Kundër Bochumit të mërkurën, ai zgjodhi të startojë me çekun Patrik Schick në vend të Victor Bonifacet për herë të parë në Bundesligë këtë edicion. Sulmuesi çek u përgjigj me “hat-trick” në pjesën e parë. Boniface duhej të priste hyrjen si zëvendësues përpara se të arrinte golin e tij të 10-të në ligë këtë edicion. Vetëm Bayerni ka më shumë gola se Leverkuseni, i ndihmuar nga 21 golat e sulmuesit Harry Kane në 15 paraqitje në ligë. Nuk është rastësi që Leverkusen ka mbrojtjen më të mirë - kundërshtarët janë shumë të zënë duke u përpjekur të ndalojnë sulmin e tij. Ai gjithashtu ka Jonathan Tah, Edmond Tapsoba dhe Odilon Kossounou që ruajnë portën e portierit Lukas Hradecky.
“Ne e dimë nëse nuk luajmë aq mirë, nëse nuk luajmë me këtë personalitet dhe vetëbesim, mund të kemi probleme”, tha Alonso. “Tani kemi pak kohë për t'u rikuperuar dhe më pas të fillojmë përsëri”.
Alonso ka të ngjarë të bëjë pa pesë lojtarë kur liga të rifillojë më 13 janar, ku Leverkuseni është mysafir i Augsburgut. Kupa e Arfikës fillon në të njëjtën ditë dhe Boniface (Nigeri), Tapsoba (Burkina Faso), Kossounou (Bregu i Fildishtë), Nathan Tella (Nigeri) dhe Amine Adli (Marok), pritet të thirren për të luajtur në turneun që do të mbahet në Bregun e Fildishtë. Formacioni i Alonso kundër Bochumit la të kuptohet se si ai do të luajë pa lojtarët afrikanë dhe ekipit tregoi se mund të përballojë.
“Ne gjithmonë kemi thënë se besojmë në cilësinë e lojtarëve edhe nëse disa nuk do të jenë për shkak të Kupës së Afrikës. Ne kemi një skuadër shumë, shumë të mirë,” tha Rolfes.
Leverkuseni mund të pretendojë titullin jozyrtar të “kampionit vjeshtor” për kryesimin në gjysmë të fazës. Bayerni, është katër pikë prapa pasi ka luajtur një ndeshje më pak.
“Leverkusen është në formë të jashtëzakonshme, ka shumë pikë, i meriton të gjitha”, pranoi trajneri i Bayernit, Thomas Tuchel.