Sport

Leci shpreson në rezultat pozitiv kundër Rusisë

Portierja e Kosovës, Besarta Leci shpreson në një rezultat pozitiv të Kosovës në ndeshjen kundër Rusisë të premten.

Ndeshja mes Kosovës dhe Rusisë do të luhet në Wiesbaden të Gjermanisë dhe do të jetë në kuadër të Grupit A të eliminatoreve për Evropianin 2021 në futboll.

“Do të jetë ndeshje mjaft e vështirë, kur e marrim parasysh pozitën që ka Rusia në renditje të FIFA dhe UEFA-s. Është një shtet me traditë në futboll. Kemi përballë një skuadër kompakte. Por, mendoj se me një lojë të disiplinuar dhe me angazhim maksimal, mund të marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë Leci 26-vjeçare, për Koha.net.

Ndeshja mes Kosovës dhe Rusisë ishte dashur të luhej më 4 tetor në Prishtinë, por për shkaqe siguria, UEFA vendosi që kjo ndeshje të luhet në një vend tjetër. U përcaktua për Gjermaninë.

Leci, që jeton dhe luan në Gjermani, pret një përkrahje të madhe nga diaspora shqiptare në këtë ndeshje.

“Besoj se do të ndjehemi sikur po luajmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Në Gjermani ka shumë shqiptarë dhe po ashtu edhe gjermanët e duan shtetin e Kosovës. Besoj se do të kemi përkrahje të madhe dhe shpresoj t’i gëzojmë të pranishmit me rezultat pozitiv”, ka thënë Leci.

Përfaqësuesja e Kosovës zë vendin e katërt në renditje në Grupin A të eliminatoreve me gjashtë pikë pas tri ndeshjeve. Mposhti Turqinë në Prishtinë me rezultatin 2:0, para se të pësonte 5:0 si mysafire e Sllovenisë. Në tetor më pas triumfoi si mysafire e Estonisë me rezultatin 2:1.

“Kemi pasur tre ndeshje jo të lehta. E kemi mposhtur Turqinë në Prishtinë, në Slloveni kemi humbur dhe më pas kemi fituar në Estoni. Kemi një start të mirë, duke e marrë parasysh se jemi skuadër e re. Nuk kemi shumë grumbullime bashkë, po atmosfera është e mirë”, ka deklaruar Leci.

Besarta luan te klubi i kategorisë së katërt të Gjermanisë, VfL Sindelfingen. Por, ajo pos futbollit, ka edhe punë me orar të plotë. Punon në sigurime shëndetësore.

“Në futbollin e femrave nuk fitohet paraja. Thjeshtë është realizim një pasion për sport që ke dhe për krenarinë të përfaqësosh shtetin tënd. Kështu që patjetër, për të mbijetuar, duhet të punosh jashtë sportit. Në vitin 2012 pas shkollës së lartë, nisa të marrë zanat në sigurime shëndetësore. Fillova zanatin si punonjëse e specifikuar për sigurime shëndetësore. Tash kam punë me orar të plotë në këtë drejtim”, ka shtuar Leci.

Ajo tregon se ka pasur oferta nga klube të rangjeve më të larta në futbollin gjerman, por ka vendosur të mbetet te Sindelfingeni.

“Nga viti 2015 unë jam duke luajtur për klubin VfL Sindelfingen. Kam filluar në këtë klub si 21-vjeçare, kur garonte në Bundesliga 2. Mirëpo, ka pasur faza të ndryshme në klub dhe aktualisht jemi në kategorinë e katërt të futbollit gjerman. Kam pasur disa oferta nga klube në rangje më të larta, por kurrë nuk e kam shqyrtuar mundësinë e largimit. Një arsye e rëndësishme për mua është trajneri i portierëve Andreas Bellon. Jam shumë e kënaqur me punën e tij. Ka përvojë të madhe, sidomos në Bundesligë. Kam marrë mësime me shumë vlerë nga ai. Po ashtu e kam mirëkuptimin e klubit dhe nuk dua edhe të largohem nga familja ime e dashur. Familjes i jam shumë falënderuese, pasi më ka përkrahur në çdo moment ët jetës dhe më ka motivuar. Pa përkrahjen e familjes nuk do të isha ku jam sot”, ka deklaruar Besarta.