Sport

Kurti takohet me përfaqësues të KOK-ut dhe Komunës së Prishtinës, temë Lojërat Mesdhetare

Albin Kurti - KOK - Komuna e Prishtines - Perparim Rama

Foto: ZKM

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën në takim përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe ata të Komunës së Prishtinës. 

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se u arrit dakordim që “bashkëpunimi i ngushtë sjell organizim të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare”. 

Prishtina është zgjedhur organizatore e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. 

“Hapat e mëtutjeshëm në kuptimin organizativ e ligjor janë në dakordim e sipër, me në thelb koordinimin e ngushtë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës me palët tjera nënshkruese të kontratës në Kretë, Komitetit Olimpik dhe Komunës së Prishtinës. Organizimi i suksesshëm i Lojërave Mesdhetare 2023 është interes shtetëror, andaj të gjitha palët shprehën gatishmëri për efikasitet të plotë përmes kontributit të menjëhershëm e përkushtimit të vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. 

Është raportuar për një përçarje mes pushtetit qendror dhe Komunës së Prishtinës sa i përket Lojërave Mesdhetare. 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media muajin e kaluar kishte thënë se Qeveria e Kosovës ka synuar të marrë në dorë menaxhimin e lojërave. 

Ai madje kishte folur për rrezikun që Lojërat Mesdhetare të mos mbahen në Prishtinë.