Në edicionin e kaluar te Trepça nuk e kishin medoemos për ta fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll. Por këtë edicion në klubin mitrovicas po e ndiejnë obligim një gjë të tillë. Kështu ka insistuar Drilon Hajrizi, i cili u shpall MVP i turneut të Kupës së Kosovës, të cilën e fitoi Trepça të dielën mbrëma në Rahovec.
Në finale Trepça e mposhti Sigal Prishtinën (74:66) për ta mbajtur trofeun e fituar vitin e kaluar. Edhe Hajrizi e “mbrojti” çmimin si lojtari më i vlefshëm i turneut “Final 8” të Kupës së Kosovës.
Të hënën Hajrizi ka thënë se triumfi në Kupën e Kosovës vetëm se e konfirmoi edhe më shumë Trepçën si favorite për titullin e kampionit, sukses që i mungon ekipit nga Mitrovica prej vitit 2012. Edicionin e shkuar Trepça arriti deri në finale të plejofit, ku u mposht nga Golden Eagle Ylli.
“Këtë sezon sigurisht se duhet patjetër ta fitojmë titullin, pasi edicionin e shkuar nuk e kishim me patjetër një gjë të tillë. Tani ndiejmë që ka ardhur koha për ta kthyer titullin në Mitrovicë pas 13 vjetësh dhe t’i gëzojmë tifozët tanë të cilët nuk po kursejnë asgjë nga vetja për të na përkrahur në secilën ndeshje”, është shprehur Hajrizi.
Sipas tij, suksesi në Kupën e Kosovës vetëm se ka motivuar edhe më shumë ekipin për të shkuar drejt titullit të kampionit dhe trofeut të tretë këtë edicion. Para Kupës së Kosovës, Trepça triumfoi edhe në Superkupën Mbarëkombëtare, turne ky i mbajtur në fillim të sezonit në Mitrovicë.
“Suksesi në kupë për sezonin e dytë rresht, sigurisht se është një arritje e madhe për klubin tonë. Me këtë vetëm e kemi konfirmuar veten edhe më shumë si pretendues për titullin e kampionit duke e shtuar motivin në pjesën e fundit dhe më të duhur të sezonit”, ka thënë Hajrizi. “Pra, kupa nuk ishte synimi i vetëm. Tani, pas kupës do të angazhohemi maksimalisht më të gjitha forcat edhe për ta fituar titullin, pasi kemi ekip dhe këtë tashmë e dëshmuam”.
Hajrizi paralajmëroi se te Trepça do të qëndrojnë me këmbë në tokë, në mënyrë që pjesën e rregullt të këtij kampionati ta mbyllin sa më lart në tabelë, përpara se t’i kthehen plejofit. Deri në fund të pjesës së rregullt kanë mbetur edhe gjashtë xhiro, ndërsa Trepça aktualisht renditet e katërta. Ka tubuar 35 pikë pas 22 ndeshjeve të zhvilluara, katër më pak se Golden Eagle Ylli që është lider. Dy skuadrat e para të pjesës së rregullt kualifikohen direkt në gjysmëfinale të plejofit, ndërsa skuadrat prej pozitës së tretë deri në të gjashtën luajnë në serinë çerekfinale.
“Është me rëndësi të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund të pjesës së rregullt dhe t’i fitojmë ndeshjet që i kemi përpara. Duhet të jemi të fokusuar dhe të shkojmë hap pas hapi. Sigurisht se nuk do të jetë lehtë por kemi cilësi për ta bërë një gjë të tillë”, ka insistuar Hajrizi.
Edhe trajneri i Trepçës, Engin Gençoglu, ka pranuar se pas kupës, synimi është titulli i kampionit. Ai beson në fondin e lojtarëve që ka dhe pret ta stolisë Trepçën me titullin e kampionit pas një kohe të gjatë. Gençoglu para një muaji ka ardhur në krye të Trepçës, ndërsa nën drejtimin e tij ekipi nga Mitrovica nuk di për humbje. Në shtatë ndeshje të luajtura me Gençoglun në stol, Trepça ka po aq fitore.
“Jam i lumtur që arritëm me sukses ta mbrojmë kupën e Kosovës. Nuk ishte lehtë, por ne ishim të vendosur dhe të përgatitur maksimalisht për një gjë të tillë”, pranoi Gençoglu për KOHËN. “Pas kupës, tani fokusi do të jetë te titulli i kampionit. Ky është synimi ynë tjetër dhe besoj se do t’ia dalim së bashku me lojtarët, kryesinë dhe përkrahjen e tifozëve”.
Pas Kupës së Kosovës, Trepça u kthehet garave në elitën e basketbollit kosovar. Në vikend, Trepça do të përballet në udhëtim me Bashkimin, ndeshje kjo që pritet të zhvillohet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.