Sport

Kuç vlerëson grupin, beson në cilësinë e Ballkanit

Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç ka folur për grupin dhe kundërshtarët me të cilët ekipi nga Suhareka do të përballet në Ligën e Konferencës.

Ballkani këtë edicion bën pjesë në Grupin C. Do të përballet me skuadrat si Dinamo Zagreb, Viktoria Plzen e Astana.

Kuç ka thënë për KOHËN se shorti nuk ishte aspak i lehtë, por ka shtuar se beson në cilësinë e Ballkanit.

Kampioni i Kosovës për vitin e dytë rresht po paraqitet në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Ai ka shtuar se pavarësisht kundërshtarëve, Ballkani do të tentojë të bëjë hapin e radhës në Evropë, të kalojë grupin.

“Mendoj se këtë edicion, Liga e Konferencës është dukshëm më e fortë sesa në dy edicionet e mëparshme pasi janë të përfshira shumë ekipe cilësore, të cilat kanë një histori të pasur. Do të japim gjithçka nga vetja për të fituar sa më shumë pikë që të jetë e mundur në fazën e grupeve dhe ta përfaqësojmë klubin dhe futbollin e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Kuç. “Këtë herë kemi më shumë përvojë në këtë garë dhe nuk do të jemi fare kundërshtar i lehtë për ekipet që do të përballen me ne. Do të bëjmë të pamundurën që këtë herë të shkojmë një hap më larg sesa edicionin e shkuar”.

Ballkani edicionin e shkuar u eliminua në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ku në gjashtë ndeshje pati një fitore, një barazim dhe katër humbje.