Sport

Kuç i bindur se Ballkani do ta mbrojë titullin e kampionit

Te Ballkani e kanë parasysh se mbrojtja e titullit të kampionit në Superligën e Kosovës në futboll varet prej tyre.

Kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të këtij edicioni, Ballkani është lider në tabelë me dy pikë më shumë se Drita, konkurrentja e vetme e ekipit nga Suhareka. Pas 34 xhirove të luajtura, Ballkani ka tubuar 69 pikë, kurse Drita ka 67. Kampioni në fuqi, Ballkani, të dielën e ka rimarrë kreun e tabelës dhe është shkëputur në dy pikë ndaj Dritës, e cila nuk mori më shumë se një barazim në derbin lokal ndaj Gjilanit (1:1). Ballkani mposhti Llapin (1:0) në shtëpi dhe sipas kapitenit Edvin Kuç, tani i ka edhe dy finale që duhet patjetër t’i fitojë për ta festuar titullin e dytë rresht.

Mesfushori Kuç ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë të mbahet pozita e parë deri në fund të edicionit. Në xhiron e parafundit Ballkani e pret Ferizajn, ekip që po lufton për mbijetesë. Ndërsa në javën e fundit të këtij edicioni Ballkani është mysafir i Gjilanit të papërshtatshëm, që është i treti në tabelë dhe është kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës.

“Tash lirisht mund të them se gjithçka varet prej nesh apo më saktësisht situatën e kemi në duart tona për ta mbrojtur titullin e kampionit. Deri në fund të edicionit i kemi edhe dy ndeshje, saktësisht finale të mëdha dhe sigurisht se nuk do të jetë lehtë. Por, synimi ynë tashmë është më se i qartë. Të japim gjithçka nga vetja për ta fituar titullin e kampionit për edicionin e dytë rresht që do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm për ekipin tonë”, është shprehur Kuç të hënën për KOHËN.

Kapiteni Kuç insiston se te Ballkani besimi ka qenë i madh se do të arrijnë ta mbrojnë titullin e kampionit, me gjithë një krize që e kanë pasur më herët. Ai thotë se futbollistët nuk kanë kursyer asgjë nga vetja për ta sjellë ekipin në këtë situatë të favorshme. Kuç vlerëson se Ballkani meriton të shpallet kampion i Kosovës edhe këtë edicion. Thekson se e kanë ekipin më të mirë në elitën e futbollit kosovar.

“Sigurisht që kemi besuar pasi e kemi ditur se jemi ekipi më cilësor në ligë. Kemi pasur një krizë të rezultateve, e cila mendoj se ka qenë normale për shkak të orarit të ngjeshur. Por, në momentet më të duhura kemi treguar karakterin tonë dhe jemi kthyer aty ku e kemi vendin”, ka thënë Kuç. “Mund të them se ky edicion ka qenë i ngjeshur duke pasur parasysh edhe ndeshjet që i kemi luajtur në Evropë, por ne nuk jemi dorëzuar për asnjë moment dhe jemi përpjekur ta mbajmë ritmin, gjë që besoj se edhe e kemi arritur”.

Në përgjithësi Kuç thotë se është i kënaqur me këtë edicion të Ballkanit. Sipas tij, me mbrojtjen eventuale të titullit, ekipit nga Suhareka do t’i mbetet peng vetëm triumfi në Kupën e Kosovës. Kupën, Ballkani do ta synojë në të ardhmen.

Ekipi suharekas tashmë e ka fituar Superkupën e Kosovës, ndërsa me plot sukses luajti edhe në garat evropiane ku arriti të kualifikohej në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Mund të them se jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë edicion. Kemi arritur suksese të mëdha, pasi kemi luajtur në grupet e Ligës së Konferencës dhe kemi fituar Superkupën e Kosovës. Me mbrojtjen e titullit që besoj se do ta arrijmë, atëherë na mbetet vetëm Kupa e Kosovës, por besoj se edhe këtë sukses do ta arrijmë”, është shprehur Kuç. “Tani fokusin e kemi te titulli përpara se të shkojmë në një pushim të merituar dhe pastaj të mendojmë për një rrugëtim tjetër në garat evropiane”.

Skuadra e Dritës duket se ka një orar paksa më të lehtë. Në ndeshjen e ardhshme Drita e pret në shtëpi skuadrën e Malishevës, kurse edicionin e mbyll me duelin që e luan në Skenderaj kundër Drenicës. Skuadra e Drenicës tashmë është përshëndetur nga Superliga dhe edicionin tjetër do të luajë në Ligën e Parë.