I janë afruar dukshëm plejofit të Ligës së Konferencës, por te Ballkani nuk e kanë mendjen te kjo fazë që është e fundit para asaj grupore. Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, e ka bërë një hap të madh drejt avancimit në plejof, pasi e ka fituar ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues. Të enjten mbrëma Ballkani mposhti 2:0 kampionin e Gjibraltarit, Lincoln Red Imps në Prishtinë dhe javën tjetër do ta luajë ndeshjen e kthimit në “Victoria Stadium”.
Por, te Ballkani aktualisht nuk po mendojnë as për duelin e kthimit në Gjibraltar e as për kundërshtarin e plejofit. Fokusin e kanë të ndeshja e parë kampionale në Kosovë. Ekipi i trajnerit Ilir Daja nis të dielën mbrojtjen e titullit në Prizren kundër Lirisë, ekip i rikthyer në elitë pas katër vjetësh.
Sipas kapitenit të Ballkanit, Edvin Kuç, fillimisht vjen Liria, pastaj ndeshja e kthimit me Lincolnin dhe vetëm pas saj do të mendohet për plejofin e Ligës së Konferencës.
“Realisht, ne si ekip gjithmonë shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Të enjten e kemi përfunduar vetëm gjysmën e punës dhe këtë e kemi parasysh. Ndoshta nuk patëm paraqitjen më të mirë të mundshme, por është e rëndësishme që morëm një rezultat të favorshëm për ndeshjen e kthimit për shkak se në këtë fazë nuk ka kundërshtar të lehtë. Pra, gjithmonë duhet të jemi në nivelin më të lartë për të realizuar atë që synojmë”, ka thënë Kuç të premten për KOHËN. “Të dielën e nisim kampionatin ndaj Lirisë dhe pas kësaj ndeshjeje do të mendojmë për duelin e kthimit me Lincolnin”.
Mesfushori Kuç pranon se synimi është që të përsëritet suksesi evropian i vitit të shkuar, ku Ballkani u bë skuadra e parë nga Kosova që u paraqit në grupet e njërës prej garave të UEFA-s. Luajti në Ligën e Konferencës, ku në gjashtë ndeshje të zhvilluara pati një fitore, një barazim dhe katër humbje. Ballkani edhe këtë edicion e nisi aventurën evropiane në Ligën e Kampionëve, por u eliminua në raundin e parë kualifikues nga Ludogoretsi i Bullgarisë. Pastaj vazhdoi në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, në të cilin eliminoi Larnen e Irlandës së Veriut dhe tani është një hap larg plejofit. Nëse konfirmon kalimin në plejof javën tjetër, atëherë do të përballet me humbësin e ndeshjes mes Sheriff Tiraspolit dhe BATE Borisovit, ekipe këto që përballen në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshjen e parë e ka fituar Sheriffi me rezultatin bindës, 5:1.
“Ne kemi shpresuar se do ta kalonim raundin e parë kualifikues të Championsit, sidomos pas fitores 2:0 ndaj Ludogoretsit. Mirëpo, në ndeshjen e kthimit patëm shumë telashe që ishin evidente dhe u eliminuam”, pranoi Kuç. “Megjithatë ne nuk u dorëzuam dhe treguam cilësinë dhe karakterin tonë kundër Larnes që e eliminuam për të dëshmuar se jemi ekip për të luajtur në një nivel dukshëm më të lartë dhe këtë pres ta tregojmë edhe në ndeshjet që do t’i kemi”.
Kuç pranon se pjesëmarrja në fazën e grupeve të Ligën e Konferencës do të shënonte një sukses tjetër të jashtëzakonshëm te Ballkanit por duhet kaluar edhe pengesën tjetër pas raundit të tretë kualifikues – plejofin.
“Herët është të mendojmë për plejof, lëre më për fazën e grupeve, në të cilën sigurisht se do të ishte mirë dhe një sukses tjetër nëse paraqitemi. Kemi kohë derisa të vijmë aty dhe do të përgatitemi ndeshje për ndeshje për të qenë sa më gati për paraqitje të mira dhe rezultate të favorshme”, shtoi mesfushori me përvojë. “Mirëpo, mund të them se në një gjë jam i sigurt. Kjo skuadër që e kemi ka cilësi për të bërë gjëra të mëdha”.
Ballkani ka mbetur pa golashënuesin kryesor, Albion Rrahmanin, i cili ditë më parë u transferua në Rumani te skuadra e Rapidit të Bukureshtit. Megjithatë, pak orë para ndeshjes së parë me Lincolnin, Ballkani e prezantoi algjerianin Walid Hamidi, i cili do ta mbulojë mungesën e Rrahmanit. Walidi iu bashkua Ballkanit nga FC Shkupi, ekip për të cilin ka luajtur prej vitit 2021.