Sport

Kthimi i tifozëve me “fazë testuese”

Dy ditë pasi në parketin e palestrës “13 Qershori” në Suharekë u hodhën karrige të shumta, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës anuloi një vendim që ishte kritikuar shumë nga tifozët.

të martës nuk vlen vendimi që ndalonte pjesëmarrjen në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese të grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit. Tifozët në fakt ishin prezentë në ndeshje të basketbollit. Ata u grumbulluan në shumë ndeshje, por pa shfaqur shenja dalluese. Tani mund të paraqiten edhe me shenjat e tyre.

Bordi i FBK-së ka vlerësuar se prej kur ndaloi paraqitjen e organizuar të tifozëve, më 15 dhjetor, nuk ka pasur probleme të mëdha në ndeshjet e basketbollit.

Incidenti në Suharekë, në ndeshjen mes Bashkimit e Trepçës, megjithatë nuk ishte i vogël. Pasi basketbollisti i Trepçës, Mikaile Tmushiq, shkelmoi dhe përplasi karrigen ku qëndrojnë ulur lojtarët që duhet të zëvendësohen, tifozët e Bashkimit hodhën disa karrige në parket. Ka pasur edhe tollovi në tribuna e po ashtu tollovi mes lojtarëve. Ndërprerja zgjati afro një orë, ndërsa loja vazhdoi në palestër të zbrazët.

Tifozët e Bashkimit në palestrën në Suharekë ishin pa shenjat dalluese të tyre. Prej fundjavës së ardhshme mund të paraqiten me të gjitha simbolet që i kanë.

FBK-ja kishte vendosur që të përjashtonte grupet e organizuara të tifozëve nga palestrat pas incidenteve të rënda në turneun e Superkupës, përkatësisht në finalen mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Ishte Këshilli për Sport që dha një rekomandim të tillë.

Tifozët tani kthehen në palestra, por megjithatë do të kenë një fazë testuese. Nëse ka incidente, vendimi i shfuqizuar të martën mund të fuqizohet sërish. Periudha e testimit zgjat deri në plejof, përkatësisht në pesë xhirot e ardhshme.

Këtë e ka konfirmuar sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

“Ky ishte rekomandim nga Këshilli për Sport, të cilin Bordi i FBK-së e ka kthyer në vendim. Gjithçka do të bëjmë në koordinim me Këshillin për Sport, pasi do të monitorojmë situatën dhe detajet pas lejimit të tifozëve në mënyrë të organizuar dhe me simbole. Sigurisht, është e kuptueshme që vendimi i mëparshëm mund të kthehet në fuqi në rast se shfaqen shenja dhune apo huliganizmi në tribuna”, është shprehur Dushku.

Pas 15 dhjetorit palestrat janë zbrazur shpesh. Sa herë që ka pasur fyerje në kor apo hedhje të gjësendeve, gjyqtarët kanë zbrazur sallën. Ndërprerja ka zgjatur deri në një orë dhe kjo po ashtu ishte kritikuar. Por nuk ka pasur ndonjë incident të madh si ai në Superkupë. Incidente më të vogla ka pasur edhe në ndeshjet për Kupë të zhvilluara në Rahovec.

Palestrat do të vazhdojnë të zbrazen nëse ka fyerje dhe hedhje të gjësendeve.

“Natyrisht që nëse ka gjëra të tilla palestrat do të zbrazen pasi do të veprohet konform propozicioneve të garave. Megjithatë, shpresojmë se nuk do të ketë gjëra të tilla dhe tifozët të reflektojnë duke përkrahur klubet e tyre me anim korrekt”, ka shtuar Dushku.

Klubet e Superligës i janë gëzuar vendimit. Te Vëllaznimi presin që tribuna e tifozëve në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë të mbushet në vikend për ndeshjen ndaj Sigal Prishtinës.

“Mendojmë që është një vendim i mirë, pasi tribuna e tifozëve tanë, që na kanë përkrahur fuqishëm këtë sezon, do të jetë e mbushur prej kësaj xhiroje. Për ne vendimi për t’i ndaluar tifozët në mënyrë të organizuar nuk ka qenë asnjëherë i drejtë, pasi tifozët tanë kanë qenë shembullorë dhe nuk e kanë merituar ndalesën”, ka thënë drejtori i Vëllaznimit, Ideal Bakija.