Dy gjyqtarë nga Greqia dhe një nga Kosova drejtuan ndeshjen mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit, të luajtur të mërkurën mbrëma. Grekët A. Kardaris e D. Zacharis është pritur të jenë edhe në ndeshjen mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës, të luajtur të enjten mbrëma.
Por ndeshja e tretë gjysmëfinale e plejofit mes Prishtinës e Trepçës u drejtua nga gjyqtarë të vendit. Xhelal Mumini, Artan Gashi e Elldin Uglari drejtuan ndeshjen që ishte me shumë ngarkesë dhe kërkonte angazhim të madh për ta përfunduar me sukses.
Federata e Basketbollit e Kosovës në koordinim me klubet kishte vendosur që ndeshjet gjysmëfinale dhe finalen e plejofit ta drejtojnë gjyqtarë të huaj e vendorë. Por situata ndryshoi papritur të enjten dhe vetëm gjyqtarë vendorë do të ketë të paktën edhe në ndeshjet e fundjavës.
Të shtunën, Golden Eagle Ylli e pret Pejën në ndeshjen e katërt gjysmëfinale. Ndërkohë të dielën, Trepça e pret Prishtinën. Peja e Prishtina udhëheqin 2:1 në seritë gjysmëfinale dhe janë një fitore larg finales.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka folur të premten për KOHËN lidhur me ndryshimin e bërë, që nuk kaloi pa komente.
“Referët e deleguar për ndeshjen e mbrëmshme dhe për vikendin që po vjen është dashur të largohen nga Kosova për arsye objektive. Kështu që ndeshjet që luhen nesër e pasnesër do të referohen nga referët tanë”, ka theksuar Fetahu.
Fillimisht ndeshjet gjysmëfinale u drejtuan nga dy francezë e një refer i vendit. Më pas erdhën grekët. Kretari i FBK-së ka paralajmëruar kthimin e referëve të huaj.
“Po. Sipas planit fillestar që e kemi pasur. Delegimet janë të parapërcaktuara dhe të koordinuara me federatat që i kanë nominuar. Dhe të gjitha aranzhimet veçse janë finalizuar”, ka shtuar Fetahu.
I pyetur se a ka pasur vërejtje nga klubet lidhur me referimin e arbitrave të huaj apo për korrektësinë e tyre, kryetari i FBK-së është përgjigjur shkurt.
“Jo”.
Nga FBK-ja kishin arsyetuar vendimin për të angazhuar referë të huaj. Por jo të gjithë ishin pajtuar me këtë. Derisa trajneri i Yllit, Adis Beqiragiq kishte vetëm lëvdata për referimin e të huajve, trajneri i Trepçës, Engin Gençoglu ka theksuar pas ndeshjes së dytë gjysmëfinale se vendimi për të angazhuar referë të huaj është i pakuptimtë.
Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku kishte theksuar se vendimi për të angazhuar arbitra të huaj ishte marrë në konsultim me klubet dhe me qëllim që të eliminohen ankesat e polemikat, por edhe që gara të jetë më e fortë.
“Gjyqtarët tanë janë shumë të mirë, por na duhet për këtë fazë mbështetja nga të huaj. Kështu e kemi vlerësuar ne në FBK”, kishte thënë Dushku më 14 prill.
Nuk është fshehtësi që drejtimi i ndeshjeve nga arbitrat është prej pikave më kritike në basketbollin kosovar.