Sport

Kroati Plantak sërish me mision për ta shpëtuar Vëllaznimin

Sikurse edicionin e shkuar, edhe këtë edicion trajnerit Josip Plantak i është ngarkuar detyra e njëjtë te KB Vëllaznimi. Plantak jo vetëm që mbajti Vëllaznimin në Superligën e basketbollit, por për herë të parë ia siguroi paraqitjen në garat e plejofit.

Një mision të tillë, Plantak duket se do ta ketë edhe këtë edicion. Në fakt atij i është besuar drejtimi i Vëllaznimit këtë edicion ngjashëm sikurse kampionatin e shkuar. Vjet, Plantak mbeti në krye të ekipit nga Gjakova pas shkarkimit të trajnerit Franko Sterle. Ishte asistent i Sterles dhe me shkarkimin e këtij të fundit, Plantakut iu besua ekipi.

Një situatë e ngjashme i ka ndodhur edhe këtë edicion. Ai gjatë verës iu bashkua Vëllaznimit për të punuar me gjeneratat e reja, por edhe për ta ndihmuar ekipin e parë. Ishte asistent i lituanezit Audrius Prakuraitis që u shkarkua pas dy ndeshjeve dhe Plantak mori detyrën e kryetrajnerit. Nën drejtimin e kroatit, Vëllaznimi i ka fituar dy ndeshjet e fundit ndërsa i ka edhe katër humbje.

“Fillimisht këtë edicion kam ardhur për të provuar që ta organizoj punën me gjeneratat e reja te Vëllaznimi, por edhe ta ndihmoj ekipin e parë. Nuk do ta komentoja ndërrimin e trajnerit pasi kjo nuk më takon mua. Mund të flas për punën time që e kam bërë deri më tani dhe jam i kënaqur me fitoret që i kemi arritur, ku kemi treguar karakter të fortë si ekip”, është shprehur Plantak për KOHËN.

Ai pranon se edhe këtë edicion Vëllaznimi do të përpiqet të siguroj mbijetesën. Ka thënë se po punohet maksimalisht në këtë aspekt. Edicionin e shkuar, Vëllaznimi përfundoi në pozitën e gjashtë dhe u paraqit në çerekfinale të plejofit.

“Sa u përket synimeve, mendoj se thjesht duhet të shkojmë nga ndeshje në ndeshje pasi me përvojën që e kam prej edicionit të shkuar, e di shumë mirë se shumë gjëra mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. E them këtë për shkak se është shumë specifike liga”, shtoi Plantak.

Ai thotë se ekipi aktual i Vëllaznimit dallon prej edicionit të shkuar, ndërsa pranoi se edhe Superliga është e fortë. Insiston se ekipi i tij në secilën ndeshje do të futet për fitore, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet synimi.

“Ekipi dallon shumë prej atij të edicionit të shkuar edhe pse është herët për të bërë krahasime. Liga po ashtu është e fortë, pothuajse sikurse edicionin e shkuar dhe nuk do të jetë lehtë. Duhet që në secilën ndeshje të shkojmë në fitore dhe nëse krijojmë këtë mentalitet atëherë fitoret nuk do të mungojnë”, shtoi Plantak. “Fitorja e parë me Yllin ishte shumë e rëndësishme pasi bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë. Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për ne, pasi ndërkohë morëm edhe fitoren e dytë dhe jemi të motivuar për ndeshjet e tjera”, tha Plantak.

Krahas Yllit, skuadër e Vëllaznimit e ka mposhtur edhe Istogun.

Në xhiron e shtatë, Vëllaznimi takohet në Gjakovë me Sigal Prishtinën, ndeshje kjo që luhet të shtunën prej orës 17:00. Gjakovarët shpresojnë për fitoren e tretë.