Selektorit të Kosovës, Primozh Gliha, i janë shtuar telashet në prag të ndeshjes me Andorrën, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Tre futbollistë që i kishte përfshirë në listë Gliha, nuk do të jenë pjesë e grumbullimit dhe kjo vështirëson edhe më shumë situatën për duelin e së enjtes që luhet në Andorrë.
Mungesat e konfirmuara të Kosovës janë Ismajl Beka i Luzernit, Leart Paqarada i Koelnit e Shkëlqim Vladi i Luganos, ndërsa në dyshim mbetet Edon Zhegrova, i cili është pjesë e Lillet. Katër futbollistët janë lënduar në ndeshjet e fundit me ekipet e tyre, ndërsa Zhegrova po i kryen kontrollimet mjekësore përpara vendimit final nëse do të jetë apo jo pjesë e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar menaxheri i Kosovës, Bajram Shala në konferencën për shtyp të hënën. Ai ka bërë të ditur se listës i është shtuar Mërgim Vojvoda.
Vojvoda nuk ishte ftuar fillimisht nga Gliha, por pasi është kthyer në ndeshjen e fundit te Torino dhe për shkak të mungesave të shumta, do t’i bashkohet ekipit.
“Dje ka pësuar lëndim Ismajl Beka, pastaj janë lënduar edhe Shkëqim Vladi e Leart Paqarada. Ndërkohë, Edon Zhegrova po i kryen kontrollimet mjekësore dhe po presim rezultatet përpara se të marrim një vendim definitiv. Aktualisht kemi tre lojtarë që janë pjesë e listës dhe është e sigurt se do të mungojnë, kurse listës do t’i shtohet Mërgim Vojvoda”, është shprehur Shala.
“Dardanët”, që kanë tubuar vetëm 4 pikë në këto eliminatore, të enjten prej orës 20:45 luajnë me Andorrën, e cila ka dy pikë dhe zë vendin e fundit në tabelë.
Përzgjedhësi Gliha ka insistuar se përballja me Andorrën nuk do të jetë aspak e lehtë për Kosovën. Dueli i parë që është luajtur në Prishtinë, ka përfunduar 1:1. Gliha ka thënë se bazuar në situatën aktuale, ku Kosova ka një ekip të ri dhe mungesat, pret një duel shumë të vështirë. Sipas tij, Andorra luan mbrojtje të ngjeshur e cila është e vështirë për t’u thyer.
“Në këtë situatë që jemi mund të them se kemi një ekip të ri pasi kemi shumë mungesa. Andorra luajti 0:0 me Bjellorusinë, 1:1 me ne, Zvicra ka fituar 2:1, ndërsa me Izraelin deri në minutën e 70-të ishte 1:1. Kështu që Andorra është ekip goxha i vështirë që të luhet futboll kundër tij. Andorrasit luajnë mbrojtje shumë të ngjeshur në stilin e famshëm italian ‘katanaço’ dhe është shumë vështirë t’u shënosh gola. Por, në futboll nuk dihet asnjëherë çka ndodh”, tha Gliha.
“Për mua është e rëndësishme që futbollistët e ftuar nga liga e Kosovës, por edhe ata që nuk kanë pasur rastin shumë deri më tani, të kenë paraqitje të mirë në aspektin individual pasi kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e tyre”.
Selektori Gliha ka pranuar se telashet më të mëdha do t’i ketë në repartin ofensiv, ku ka në dispozicion vetëm një sulmues. Bëhet fjalë për Albion Rrahmanin, pasi Vedat Muriqi është i suspenduar kurse Vladi i lënduar. Thotë se shkaku i situatës së krijuar e ka të pamundur të luajë me dy sulmues.
“Kemi telashe edhe me sulmues. Vladi nuk do të jetë pjesë e ekipit dhe do të kemi telashe në sulm. Zakonisht preferoj të luaj me dy sulmues dhe në situatën aktuale e kemi vetëm Rrahmanin dhe do të shohim se si do të përshtatemi për shkak të situatës konfuze me lëndimet dhe mungesat që i kemi”, është shprehur Gliha.
Megjithatë, tekniku slloven ka thënë se kjo është një mundësi e mirë që të testohen lojtarët e rinj. Gliha ka ftuar tre futbollistë të kampionatit të Kosovës, Lumbardh Dellovën e Qëndrim Zybën të Ballkanit, si dhe Ilir Krasniqin e Llapit.
“Kemi shumë mungesa dhe kjo situatë mbase është e mirë duke pasur parasysh se nuk luajmë për kualifikim dhe kjo na jep mundësinë që të testojmë disa lojtarë të rinj që të jenë pjesë e ekipit. Pra, të dëshmojnë veten edhe këta lojtarë që janë ftuar pasi është mundësi e mirë për të parë se a janë të gatshëm për t’u paraqitur në ndeshjet e këtij nivelit, pasi Përfaqësuesja është niveli më i lartë”, ka shtuar Gliha.
Ai ka thënë se të gjithë lojtarët që punojnë mirë dhe tregojnë angazhim në stërvitje do ta kenë rastin për të luajtur. Ka përmendur mesfushorin Meriton Korenica, i cili debutoi në barazimin 2:2 me Zvicrën muajin e shkuar dhe tregoi paraqitje të mirë. Sipas Glihas, Korenica luajti për shkak të angazhimit dhe me këtë ide ka ftuar lojtarë të rinj për ndeshjen me Andorrën.
Tekniku slloven foli edhe për sulmuesin e krahut, Emir Sahiti, i cili kohët e fundit po tregon paraqitje të mira me Hajdukun e Splitit. Tha se Sahiti është një lojtar i mirë, por për momentin konkurrenca në pozitën e tij është shumë e madhe.
“Sahiti luan te Hajduku dhe e njoh shumë mirë. Është lojtar i mirë por ka shënuar tri gola në shtatë muajt e fundit. Për momentin Krasniqi dhe Zhegrova mund të jenë në këtë ekip. Duhet pasur parasysh edhe konkurrencën në pozitën e tij”, u shpreh Gliha.
Selektori ka shpjeguar situatën me Edon Zhegrovën që kishte ndodhur gjatë ndeshjes me Rumaninë. Pas ndeshjes kishin dalë xhirime ku shihej Gliha duke tërhequr Zhegrovën për fanelle dhe duke i bërtitur. E gjithë kjo situatë kishte ndodhur gjatë ndërprerjes që ndodhi në duelin e luajtur në Bukuresht, ku ultrasit rumun kishin shpalosur mesazhin “Kosova është Serbi”.
Gliha ka thënë se gjatë kohës sa lojtarët ishin në fushë dhe nuk dihej nëse do të vazhdonte ndeshje, është munduar të qetësojë futbollistë e tij. Ai ka thënë se e kishte tërhequr Zhegrovën për ta motivuar dhe mos lejuar që të shpërqendrohet apo të ndëshkohet me karton.
“Me Rumaninë ka qenë një situatë speciale, ku të gjithë ishin të drejtuar kah gjyqtari dhe delegati pas asaj që ndodhi. Nuk ishte aspak ndeshje e lehtë në aspektin emocional, nëntë kartonë të verdhë dhe një i kuq. Unë kam qëndruar aty për t’i qetësuar lojtarët që mos të marrin ndonjë karton tjetër. E kam tërhequr Zhegrovën dhe i kam thënë se aty është porta ku duhet t’i shënosh tri gola dhe kjo është ajo që ka ndodhur”, ka zbuluar Gliha versionin e tij.
Për të dielën ishte planifikuar edhe ndeshja me Izraelin, por që është shtyrë.