Në ditën e dytë të grumbullimit, numri i futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës në stërvitjen e pasdites ishte dukshëm më i madh se në ditën e parë.
Të premten pasdite u mbajt stërvitja e radhës e Kosovës, ndërsa nën urdhrat e selektorit Alain Giresse ishin 17 futbollistë. Seanca e parë stërvitore, të enjten, u mbajt me vetëm shtatë lojtarë, prej tyre tre portierë.
Kosova po i mban stërvitjet në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Të pranishëm ishin ndër të tjera edhe Leart Paqarada, Jetmir Topalli, Elbasan Rashani, Mërgim Vojvoda, Hekuran Kryeziu e Bersant Celina. Munguan tre prej lojtarëve kryesorë, Vedat Muriqi, Milot Rashica, Edon Zhegrova dhe tre të tjerë. Në fundjavë nën urdhrat e Giresset pritet të jenë të gjithë të ftuarit.
Përfaqësuesja përbëhet prej 23 futbollistëve të ftuar nga trajneri Giresse për ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Atmosfera brenda ekipit dukej e mirë, ndërsa lojtarët, përveç ngrohjes së zakonshme dhe zgjatjeve, patën vrapime të lehta dhe punuan me top.
Portierët Arijanet Muriq, Samir Ujkani e Visar Bekaj u ndanë nga grupi i lojtarëve për të punuar në anën tjetër të fushës më trajnerin Ahmet Beselica. Futbollistët i bënin vrapimet me njërin prej ndihmësve të selektorit Giresse.
Përzgjedhësi shikonte nga distanca dhe bisedonte me ndihmësin e parë, Sebastien Bichard.
Edhe stërvitja e së premtes pasdite nuk ishte me intensitet të lartë për shkak të mungesave të theksuara në ekip. Deri te ndeshja e parë Giresse ka në dispozicion edhe një javë.
Të premten e ardhshme Kosova përballet me Rumaninë, ndeshje kjo që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Tri ditë pas duelit me Rumaninë, Kosova do të luajë në Budapest të Hungarisë kundër Përfaqësueses së Bjellorusisë. Të dyja ndeshjet i takojnë Grupit I kualifikues për Euro 2024, të cilin e përbëjnë edhe Zvicra, Izraeli e Andorra.
Kosova ka dy barazime deri më tani dhe renditet e treta në grup.