Te Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll pranojnë forcën e Gjermanisë. Por “Dardanët” e rinj synojnë t’i marrim pikë Gjermanisë. Gjermania U21 e Kosova U21 të premten prej orës 18:00 luajnë ndeshje në Chemnitz. Ndeshja i takon Grupit D të kualifikimeve për “Euro 2025”.
Futbollisti i Aaraut, Milot Avdyli, e vlerëson të rëndësishme përballjen kundër gjermanëve.
“Ndeshja kundër Gjermanisë është tepër e rëndësishme për ne, duke marrë parasysh që kemi një skuadër shumë të fortë përballë. Por jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe uroj të dalim me rezultat pozitiv. Nuk do të jetë lehtë, por ne do ta japim maksimumin”, ka thënë Avdyli për KOHËN të enjten.
Ai pranon se Gjermania është favorite. Por insiston se Kosova ka gjasat e saj.
“Kemi punuar me përkushtim të madh gjatë grumbullimit këtu në Gjermani. Jemi të fokusuar maksimalisht për këtë ndeshje që për ne është shumë e rëndësishme. Këto ndeshje vijnë rrallë në jetë dhe duhet të jemi të bashkuar që në fund të arrijmë rezultat pozitiv. Shpresoj ta kemi ditën tonë dhe të kthehemi në Kosovë me rezultat pozitiv”, është shprehur Avdyli.
Kosova U21 i ka gjashtë ndeshje të zhvilluara. Ka dy fitore, dy barazime e dy humbje. Me tetë pikë renditet e katërta prej gjashtë përfaqësueseve sa janë gjithsej.
Shpresat e Gjermanisë kanë fituar katër ndeshjet e deritashme dhe udhëheqin në grup me 12 pikë.
Gjermanët janë favoritë të mëdhenj edhe për ndeshjen në Chemnitz. Më 12 shtator në Prishtinë, Gjermania U21 kishte fituar 3:0 ndaj Kosovës.
Përzgjedhësi i Gjermanisë U21, Antonio di Salvo, pret maksimumin nga lojtarët e tij për ndeshjen kundër Kosovës.
Di Salvo pret që sa më shpejt ta sigurojë biletën drejt Evropianit që mbahet vitin e ardhshëm. Fitore synon edhe ndaj Izraelit.
“Synojmë të marrim gjashtë pikë dhe të mbajmë diferencën me konkurrentët të nivelit tonë”, ka thënë Di Salvo.
Kosova U21 është grumbulluar në Gjermani për këtë ndeshje.