Sport

Kosova synon biletën e fundit për kualifikimet e “Eurobasket 2025”

Vendin e vetëm të mbetur ende të lirë në kualifikimet e rregullta për “Eurobasket 2025” po synon ta sigurojë përfaqësuesja e Kosovës.

“Dardanët” nuk do ta kenë të lehtë ta sigurojnë biletën e fundit, pasi nuk u mjafton vetëm fitorja ndaj Danimarkës. Kosova duhet ta mposhtë Danimarkën me të paktën tetë pikë dallim për të qenë në mesin e 32 përfaqësueseve në kualifikimet e Evropianit 2025, që do të mbahet në Letoni, Qipro, Finlandë e Poloni.

Dueli mes Kosovës dhe Danimarkës do të zhvillohet të shtunën prej orës 20:45 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Është kjo ndeshja e fundit e Grupit H të fazës së tretë parakualifikuese dhe do të përcaktojë nëse Kosova apo Danimarka do të jenë në kualifikimet e rregullta. Danimarka i prin grupit me 6 pikë të mbledhura pas tri fitoreve në po aq ndeshje të luajtura në këtë fazë parakualifikuese. Kosova është e dyta në grup me 5 pikë, pas dy fitoreve ndaj Zvicrës dhe humbjes nga Danimarka, e cila e mposhti në shtëpi me shtatë pikë dallim.

Fitorja e Kosovës me tetë apo më shumë pikë dallim do të ketë vlerë pasi në të kundërtën Danimarka avancon tutje.

Te Kosova nuk e diskutojnë humbjen dhe besojnë se mund t’ia dalin pasi do ta kenë edhe përkrahjen e fuqishme nga tribunat. Motivimi është i madh te lojtarët, të cilët ditëve të fundit nëpërmjet videove të postuara nga FBK-ja u kanë bërë thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm në numër sa më të madh. Palestra e mbushur plot, angazhimi i lojtarëve në parket dhe loja e mirë do të jenë “formula” drejt fitores dhe kalimit të Kosovës në kualifikimet e rregullta për “Eurobasket 2025”. Kështu ka insistuar kapiteni Dardan Berisha, i cili ka thënë se fitorja ndaj Danimarkës do të jetë historike. Ai ka shtuar se janë të gatshëm dhe të përgatitur maksimalisht për ta shënuar edhe fitoren e tretë dhe më të rëndësishme në këto parakualifikime.

“Jemi gati të luftojmë për këtë fitore historike, e cila do të jetë shumë e rëndësishme për ne. Pres që palestra të mbushet, të krijohet atmosferë e zjarrtë dhe të gjithë së bashku të kërkojmë fitoren deri në fund. Jemi gati dhe të përgatitur maksimalisht. Pres që të gjithë lojtarët të japim gjithçka nga vetja në këtë finale”, ka thënë Berisha të premten për KOHËN.

Berisha ka pranuar se nuk do të jetë lehtë, duke theksuar se Danimarka ka ekip të mirë dhe këtë e dëshmoi në ndeshjen e parë. Javën e shkuar, Danimarka triumfoi me rezultatin 82:75 në Naestved, përkundër paraqitjes së mirë që tregoi Kosova.

“Është një lojë shumë e vështirë, një finale e vërtetë. Duam ta fitojmë dhe të paraqitemi në kualifikimet për Evropian. Me angazhimin tonë në parket dhe përkrahjen e fuqishme nga tribunat shpresoj t’ia dalim mbanë dhe të festojmë të gjithë në fund të ndeshjes”, është shprehur Berisha.

Ka kohë që përfaqësuesja e Kosovës nuk ka regjistruar asnjë sukses. Suksesin e vetëm e kishte në vitin 2017, kur kaloi me sukses parakualifikimet evropiane për Botërorin 2019, kur përfundoi para Maqedonisë së Veriut. Selektor atëbotë ishte amerikani Brad Greenberg. Prej atëherë, Kosova nuk ka kaluar asnjë fazë kualifikuese.

Në fakt, Kosova është paraqitur një herë në kualifikimet e rregullta të Evropianit. U pat inkuadruar direkt në kampanjën për “Eurobasket 2017”, të cilën e mbylli me 6 humbje në po aq ndeshje të luajtura, në vitin 2016. Atëbotë, ishte në grup me Slloveninë, Ukrainën e Bullgarinë.