Listës së zgjeruar të selektorit të Kosovës, Rami Hadar, prej 17 basketbollistëve, tashmë i është hequr një emër. Hadar nuk do të mund të llogarisë në fundorin Mikaile Tmushiq, i cili nuk do të jetë pjesë e “Dardanëve” për ndeshjet e fazës së tretë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”.
Në fakt, Tmushiq edhe pse ishte në listën e zgjeruar të publikuar muajin e shkuar, nuk është bashkuar me ekipin në grumbullim.
Tmushiq edicionin e fundit ishte pjesë e Trepçës, ekip me të cilin ka vazhduar bashkëpunimin edhe për edicionin e ri. Karrierë në Kosovë ka bërë edhe te Bashkimi, Golden Eagle Ylli e Sigal Prishtina. Tmushiq jeton në Mal të Zi.
Kosova i ka nisur përgatitjet të shtunën, ndërsa Hadar i ka dhënë leje Tmushiqit për të munguar në këto parakualifikime. Tmushiq shkaku i disa çështjeve personale nuk ka mundur të bashkohet me ekipin. Atij i duhet të jetë në Mal të Zi. Kështu ka thënë drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Adriatik Rraci të martën për KOHËN.
Rraci ka shtuar se çështja e Tmushiqit është kuptuar dhe përgatitjet po vazhdojnë me lojtarët e tjerë. Kosova do t’i luajë katër ndeshje në kuadër të Grupit H, të cilin e përbëjnë edhe Zvicra e Danimarka.
“Ne kemi llogaritur në Tmushiqin për këto eliminatore dhe kemi pritur që ai të na bashkohet, por e kishte të pamundur për arsye personale dhe ka qenë i detyruar të mbetet atje. Ai ka biseduar edhe me trajnerin Hadar i cili e ka mirëkuptuar dhe e ka liruar”, është shprehur Rraci. “Stërvitjet po vazhdojnë normalisht me pjesën tjetër të ekipit që po përgatitet intensivisht për ndeshjet që do t’i luajmë në kuadër të këtyre parakualifikimeve. Të gjithë lojtarët e tjerë po stërviten dhe asnjëri deri më tani nuk ka shfaqur ndonjë shqetësim apo diçka për të munguar”.
Të martën Kosova ka stërvitur vetëm pasdite pasi Hadar i ka lënë të lirë lojtarët paradite. Me pjesën tjetër të lojtarëve po stërvitet edhe amerikani i natyralizuar Dominic Artis, i cili shkaku i vonesave të aeroplanit ka filluar grumbullimin prej ditës së hënë.
Trajneri nga Izraeli ka thënë se ndihet i nderuar që po e udhëheq Kosovën, derisa ka shtuar se është i kënaqur me qëndrimin e lojtarëve dhe punën që është bërë deri më tani. Hadar ka theksuar se detyra e tij është ta bëjë gati ekipin për t’i fituar ndeshjet, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë lehtë përballë Zvicrës e Danimarkës. Vetëm përfaqësuesja që përfundon e para në grup avancon tutje.
“Pikësëpari jam i lumtur që jam këtu dhe krenar që jam trajner i Kosovës dhe i nderuar që Federata më ka besuar këtë post. Lojtarët kanë ardhur në grumbullim me qëndrim të mirë dhe gjëra pozitive. Është ende herët të flitet për basketboll, pasi po punojmë çdo ditë që të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur”, është shprehur Hadar në një prononcim për sajtin zyrtar të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). “Shpresojmë të bëjmë një lojë të mirë, ndonëse nuk do ta kemi një punë të lehtë ndaj Zvicrës e Danimarkës, pasi gjithçka varet edhe prej ekipeve të tyre. Sidoqoftë duhet të luajmë për ta bërë punën tonë dhe puna ime është t’i fitoj ndeshjet me Kosovën. Dua ta bëjë ekipin që të jap maksimumin për Kosovën, të luajnë për njëri-tjetrin dhe për flamurin e Kosovës”.
Deri në fund të kësaj jave Hadar do ta reduktojë ekipin në 12 lojtarë, ndërsa ekipi prej të hënës do të zhvendoset në Prizren, ku do ta vazhdojë fazën përgatitore. Në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Kosova do t’i luajë ndeshjet si vendase. Duelin e parë e luan në shtëpi kundër Zvicrës më 19 korrik. Pastaj i zhvillon dy ndeshje në udhëtim, me Danimarkën (26 korrik) dhe Zvicrën (29 korrik), përpara se ta mbyllë ciklin parakualifikues më 5 gusht në Prizren kundër Danimarkës.