Karateistët e Kosovës nuk ia dolën të fitojnë medalje në Kampionatin Evropian në Zarë të Kroacisë.
Medaljes i janë afruar Fortesa Orana e Vlera Qerimi, që në fund përfunduan në vendet e pesta.
Orana të shtunën garoi për medalje bronzi në mbi 68 kilogramë. Humbi 3:1 nga francezja me përvojë, Nancy Garcia. Fortesa Orana për herë të tretë ka humbur luftën për medalje bronzi në Evropian.
Ajo mposhti karateiste nga Austria, Italia, Bullgaria. Por humbi në gjysmëfinale nga gjermania Johanna Kneer dhe të shtunën edhe për medalje të bronztë.
Me rezultat 3:1 humbi edhe Vlera Qerimi nga spanjollja Isabel Nieto Mejias, në kategorinë deri 68 kilogramë. Ajo mposhti karateiste nga Sllovakia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa u ndal nga francezja Alizee Agier. Në repesazh mposhti rusen Maryia Aliakseyeva, por jo edhe spanjollen në luftë për vend të tretë.
Prej ekipit të Kosovës, Benjamin Shabani ishte i shtati e Elmedina Istogu e nënta. Në ekipore, Kosovës po ashtu i mungoi suksesi.
Karateistët kosovarë kanë udhëtuar për në Kroaci me mjete individuale, ndërsa nuk kishin as përgatitje të përbashkëta para ngjarjes së rëndësishme.