Futbollistët e Kosovës kanë dalë të martën në fushë për stërvitjen e parë pas fitores ndaj Izraelit. Përfaqësuesja e Kosovës të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri” fitoi 1:0 ndaj Izraelit në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Stërvitja e së martës është mbajtur në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Selektori Primozh Gliha kishte lënë të lirë lojtarët të hënën, ndërsa të martën nën urdhra i kishte 21 futbollistë.
Ashtu si pritej, mungoi sulmuesi Vedat Muriqi, i cili vlerësohet lojtari kryesor i përfaqësueses. Shtatlarti nuk do të paraqitet në dy ndeshjet e fundit të këtij cikli eliminator për shkak të lëndimit. Muriqi u lëndua ndaj Izraelit dhe u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 66-të. Muriqi ka lënduar pulpën e këmbës së majtë dhe pritet të mungojë për disa javë.
“Dardanët” në ndeshjen me Zvicrën në Basel dhe Bjellorusinë në Prishtinë do të jenë pa sulmuesin kryesor.
I pranishëm në stërvitje ishte edhe Florent Hadërgjonaj, i cili mungoi kundër Izraelit. Ishte edhe Mërgim Vojvoda, që ishte i suspenduar për ndeshjen ndaj Izraelit dhe zhvilloi ndeshje për Torinon në fundjavë.
Kosova të shtunën mbrëma e luan ndeshjen e radhës ndaj Zvicrës, në kuadër të Grupit I kualifikues.
Atmosfera brenda ekipit dukej e mirë dhe pozitive. Stërvitja filloi me mirëseardhjen për lojtarët e rinj që i janë bashkuar Kosovës në këtë grumbullim. Lojtarët krijuan një “tunel” nëpër të cilin u futën Ilir Krasniqi, Muhamet Hyseni e Kenan Haxhihamza që i morën disa “goditje të lehta” në shpinë nga reprezentuesit e tjerë. Në fakt përfaqësuesja kishte zhvilluar një stërvitje para ndeshjes me Izraelin, por pritja për të rinjtë u la për të martën. Natyrisht edhe fitorja ndaj Izraelit ka bërë që atmosfera të jetë më e relaksuar.
Futbollistët u vendosën në një kënd të fushës dhe filluan me vrapime të shkurtra, përpara se ta vazhdonin ngrohjen me top dhe të ndarë në grupe. Më pas selektori Gliha vazhdoi me punën e tij, duke u fokusuar në përgatitjen taktike të ekipit për ta shfrytëzuar në maksimum stërvitjen që nisi me disa minuta vonesë.
Fitorja ndaj Izraelit ka rritur motivin te “Dardanët” për të synuar që ta mbyllë këtë cikël eliminator në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk do të jetë lehtë duke pasur parasysh se mungesa e Muriqit ka bërë që Kosova të mos ketë shumë zgjedhje në rolin e qendërsulmuesit. Aktualisht, bazuar në listën e selektorit Gliha, është vetëm një qendërsulmues tipik, Muhamet Hyseni i skuadrës së Llapit. Hyseni për herë të parë është grumbulluar te Kosova dhe me Izraelin ishte në stol. Ai është golashënuesi më i mirë në Superligë, me nëntë gola të realizuar në 13 paraqitje për Llapin.
Gjasat janë jo të mëdha që Hyseni të startojë, kështu që Gliha duhet të bëjë improvizime të tjera. Ka gjasë që në krye të sulmit të jetë Milot Rashica, golashënuesi i vetëm ndaj Izraelit.
Edhe në repartet e tjera Gliha ka pak zgjedhje, marr për bazë mungesat e shumta. Amir Rrahmani, Edon Zhegrova, Arbër Zeneli, Betim Fazliji, Albion Rrahmani, Ismajl Beka janë prej lojtarëve që mungojnë në këtë grumbullim.
Kosova është pa gjasa për kualifikim në “Euro 2024” pasi zë vendin e katërt me 10 pikë të mbledhura, gjashtë më pak se Rumania që prin në grup. Zvicra është e dyta me 15 pikë, ndërsa Izraeli i treti me 11 dhe një ndeshje më pak të zhvilluar, të cilën e luajnë të mërkurën në Hungari.
Këtë cikël eliminator, Kosova mund ta mbyllë e katërta ose eventualisht e treta në grup, varësisht prej rezultateve.