Basketbollistët e Kosovës nuk kanë opsion tjetër veçse ta mposhtin Zvicrën për herën e dytë brenda dhjetë ditësh, në kuadër të rundit të tretë parakualifikues për “Eurobasket 2025”. Fitorja në Fribourg do të mbante gjallë shpresat e Kosovës për vendin e parë në Grupin H, i cili siguron kalimin në kualifikimet e rregullta të “Eurobasket 2025”.
Dueli mes Zvicrës dhe Kosovës zhvillohet të shtunën prej orës 17:30, ndërsa “Dardanët” në këtë përballje futen pas humbjes në udhëtim te Danimarka. Kosova të mërkurën u mposht 82:75 nga Danimarka që ka dy fitore në po aq ndeshje të zhvilluara dhe i prin grupit me katër pikë. Tri pikë i ka Kosova, ndërsa Zvicra është e fundit me dy pikë pas dy humbjeve.
Kosova llogaritet favorite përballë Zvicrës, duke pasur parasysh se në ndeshjen e parë të luajtur në Prizren triumfoi me rezultatin 76:49. Fitorja e re ndaj Zvicrës do ta motivonte edhe më shumë Kosovën që në ndeshjen e fundit të këtij rundi, të cilën e luan në shtëpi ndaj Danimarkës, ta kërkojë fitoren. Në rast se Kosova e mposht Danimarkën me më shumë se shtatë pikë dallim, atëherë e ka të garantuar vendin e parë në grup dhe avancimin në rundin tjetër. Por vetëm nëse fillimisht fiton ndaj Zvicrës.
Basketbollistët kosovarë këtë e kanë parasysh, por për momentin nuk e kanë mendjen te Danimarka, pasi janë tërësisht të fokusuar te përballja me Zvicrën. Pavarësisht fitores së thellë në ndeshjen e parë, kapiteni Dardan Berisha ka theksuar se assesi nuk duhet nënçmuar Zvicra. Ai ka kërkuar angazhim maksimal në këtë ndeshje, që sipas Berishës mund edhe ta përcaktojë fatin e ekipit në këtë rund parakualifikues.
“Dardanët” të enjten mbrëma kanë zbarkuar në Zvicër. Presin përkrahje nga tribunat prej mërgimtarëve për t’i shtyrë dhe motivuar edhe më shumë drejt triumfit.
“E kemi fituar ndeshjen e parë me Zvicrën, por nuk do të thotë se do ta kemi të lehtë dhe mund të triumfojmë sërish, nëse nuk angazhohemi dhe nuk aplikojmë lojën që e kërkon trajneri. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi fitorja do të thotë se jemi në garë për pozitën e parë në grup, të cilën e kemi pasur synim prej fillimit”, është shprehur Berisha të premten për KOHËN. “Jemi me këmbë në tokë dhe për asnjë moment nuk do ta nënçmojmë kundërshtarin. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë dhe këtë e kemi parasysh. Kështu që do të futemi maksimalisht të motivuar për ta fituar ndeshjen. Gjithashtu presim edhe përkrahje nga shqiptarët që jetojnë në Zvicër për të arritur synimin tonë. Zvicrën e njohim dhe jemi të gatshëm për ndeshjen e radhës”.
Te Kosova humbjen nuk e mendojnë pasi do të shuante gjasat për vendin e parë në grup. Berisha tha se disfata nga Danimarka nuk i ka zhgënjyer por i ka bërë edhe më të fortë dhe më të motivuar që ti fitojnë dy ndeshjet e radhës. Ai e ka parasysh se Zvicra do të tentoj ti prish punë Kosovës, por insiston se janë maksimalisht të mobilizuar për të mos lejuar një gjë të tillë.
“Sigurisht se ata do të mundohen të prishin planet tona, por ne duhet të luajmë edhe më mirë se në ndeshjen në Prizren për ta arritur fitoren e dytë në tri ndeshje të këtyre parakualifikimeve. Atmosfera është e mirë në ekip dhe pres të reflektojmë pas humbjes në Danimarkë, ndeshje të cilën patëm paraqitje të mirë, por na mungoi fati në fund”, shtoi Berisha.
Duelin me Danimarkën, Kosova e luan të shtunën e ardhshme (5 gusht) në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. E fitorja dhe paraqitja e mirë ndaj Zvicrës do të ishin dëshmi e fortë për danezët se nuk do ta kenë të lehtë duelin me “Dardanët”, i cili do të vendoste për vendin e parë në grup.
Edhe Danimarka ka triumfuar ndaj Zvicrës në ndeshjen e parë, 60:46.
“Me fitore në Fribourg, dueli me Danimarkën në Prizren do të jetë një finale e vërtetë pasi nuk mund të ketë kalkulime, sepse do të luhet për vendin e parë. Jemi ende në garë për kualifikim tutje dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund. Fillimisht, duam ta mposhtim Zvicrën dhe pastaj të përgatitemi për Danimarkën”, ka thënë Berisha.
Berisha është njëri prej më të dalluarve te Kosova në këtë rund të kualifikimeve. Po luan me mesatare prej 18.8 pikëve. Deri më tani më efikasi te “Dardanët” është amerikani i natyralizuar, Dominic Artis, që ka 21 pikë, 3 kërcime dhe 5 asistime për ndeshje.