Në prezantimin zyrtar të konceptit të organizimit të lojërat Mmsdhetare “Prishtina 2030”, kreu i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zbuloi se çka pret nga sportistët e Kosovës në këtë ngjarje që e quajti historike për vendin. Çeku tha se synimi i Kosovës duhet të jetë që të rangohet e para në listën e medaljeve të shteteve pjesëmarrëse, duke pasur parasysh se është organizatore.
Prezantimi zyrtar i konceptit të organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 u bë të hënën në Prishtinë. Krahas figurave politike, të pranishëm ishin edhe sportistë e zyrtarë të federatave sportive dhe Komitetit Olimpik. Prishtina, përkatësisht Kosova, në fillim të këtij muaji ka fituar të drejtën e organizimit të edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare, ndërsa ministri Çeku tha se qysh tash duhet të fillojë punën për rezultatet sportive që Kosova duhet t’i arrijë në këtë ngjarje. Në prezantim më shumë është përmendur “Kosova 2030” e thuajse fare “Prishtina 2030”.
“Nga tash duhet të filloj edhe puna e përgatitjeve për rezultate sportive që do t’i arrijmë në Lojërat Mesdhetare. Synimi ynë, besoj shumë, duhet të jetë të rangohemi të parët në listën e medaljeve të shteteve pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare. Tash është koha që të gjithë të fillojmë punën që në vitin 2030 të shpalosim potencialin që kemi edhe si sport, edhe si shtet”, tha Çeku.
Ai përgëzoj komunitetin sportiv për këtë arritje, që tha se reflekton vullnetin dhe punën e sportistëve të Kosovës. Sipas ministrit, Lojërat Mesdhetare janë platforma që do t’i shërbejë organizmit të sportit në vend. Ai insistoi se Lojërat Mesdhetare për Kosovën janë të nivelit të njëjtë sikurse Lojërat Olimpike për Francën.
“Përgëzoj të gjithë komunitetin sportiv për këtë arritje historike e cila reflekton talentin, vullnetin dhe punën e deritashme të sportistëve tanë. I gjithë ky sukses, i gjithë ky angazhim do te ishte pa rezultat sikur mos te ishin puna dhe sukseset e juaja ndër vite. Nëse krahasojmë madhësinë e vendit, numrin e popullatës, zhvillimin tonë të gjithmbarshëm, Lojërat Mesdhetare për Kosovën janë të njëjtit nivel sikur Lojërat Olimpike për Francën”, shtoi ministri Çeku.
Çeku falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces të organizimit të Lojërave Mesdhetare dhe e quajti një kapitull të ri të sportit në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Falënderoi KOK-un, Qeverinë e Shqipërisë, KOKSH-in, Bashkinë e Durrësit për përkrahjen e plotë të kandidaturës së Kosovës. Gjithashtu, nuk la pa përmendur edhe komunat e Kosovës, në të cilat do të shtrihen garat e Lojërave Mesdhetare.
“Koncepti me të cilin kemi fituar aktualisht ka 2 shtete dhe 11 komuna që do të shndërrohen në qendra organizimi, përfshirë 10 komuna në Kosovë dhe Durrësin. Janë 24 objekte sportive prej të cilave 10 do të rinovohen, përfshirë sallën e djegur në Pallatin e Rinisë dhe sportit, 4 të reja do të ndërtohen, përfshirë stadiumin nacional dhe kompleksin e pishinave olimpike, 5 të tjera që janë në ndërtim e sipër, përfshirë stadiumin në Mitrovicë e Gjilan dhe 5 investime të përkohshme që do ti shërbejnë sporteve në disiplina te ndryshme”, ka treguar Çeku.
Sportet do të organizohen në komuna të ndryshme. 25 për qind të sporteve dhe garave do të mbahen në Prishtinë, nga 9 për qind në Podujevë, Gjakovë e Pejë, 6 për qind në Prizren, Gjilan e Mitrovicë dhe 3 për qind në Skenderaj, Drenas, Ferizaj e Durrës. 16 për qind të disiplinave sportive do të definohen pas hartimit të masterplanit për infrastrukturën e re sportive në vend.
Këtu parashihet edhe rinovimi dhe zgjerimi i qendrës së studentëve, që do të shërbejë si Fshat i Lojërave Mesdhetare. Për organizimin e LM “Prishtina 2030” për gjashtë vitet e ardhshme MKRS-ja është zotuar të ndajë mbi 253 milionë euro. Ndërsa për të përmbushur obligimin kontraktual në të cilin Kosova ka hyrë më 8 shtator, MKRS-ja dhe KOK-u kanë firmosur memorandumin me anë të cilit garantohen 2.5 milionë euro për mbulimin e shumës së garancisë për marrjen e të drejtave ekskluzive për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, insistoi se 8 shtatori është një prej datave historike për sportin e Kosovës dhe për Kosovën si shtet. Ai tha se nga organizimi i kësaj ngjarjeje, Kosova do të ketë përfitime shumë të mëdha në të ardhmen. Zbuloi se janë përballur me sfida të ndryshme për ta përjetuar këtë moment historik.
“Sfida e madhe edhe e pritshme ishte edhe ofensiva e jashtëzakonshme e Serbisë që me të gjitha forcat synonte ta parandalonte kandidaturën tonë. Natyrisht, pa marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi krijuar me të gjitha komitetet ndërkombëtare olimpike, pa lobimin tonë, përkrahjen e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, 55 vota të marra nga 66 asamblistë ku vetëm 8 ishin kundër, fitorja jonë në marrjen e organizimit të LM 2030 nuk do te ishte kaq bindëse”, tha Krasniqi.
Kampionia olimpike Majlinda Kelmendi tha se sporti ka qenë ambasadori më i mirë në krye me xhudon, që ka fituar tri të arta olimpike, dy të arta botërore dhe me dhjetëra evropiane. Majlinda është e lumtur që sukseset e mëdha të sportistëve të Kosovës po përcillen edhe me organizime të ngjarjeve siç janë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“T’i lëmë fjalët, t’i përvishemi punës, të punojmë në maksimum dhe t’i tregojmë botës çfarë vlerash kemi ne, jo vetëm në sport, por edhe si komb”, shtoi Kelmendi.
Zv.ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se pjesa e diplomacisë nuk është vetëm roli i zyrtarëve dhe ambasadorëve të Kosovës. Shtoi se diplomatët më të mirë janë qytetarët, e në këtë listë të diplomatëve më të mirë natyrisht që sportistët zënë një vend të veçantë.
Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, foli për prezantimin e kandidaturës së Kosovës në Heraklion të Greqisë. Zbuloi se do të sigurojnë që të gjithë pjesëmarrësit e akredituar të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare pa viza, pasi ky është modeli më i mirë për të hapur shtetin tonë dhe për të treguar mikpritjen e Kosovës. Aliti ka bërë një prezantim tjetër të konceptit të organizimit të Lojërave Mesdhetare.
Shumë gjëra kanë mbetur të qartësohen lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare. Por tashmë pritjet dihen edhe në aspektin sportiv – shumë medalje për Kosovën.