Misioni i fundorit Atik Koshi si kapiten i skuadrës së Vëllaznimit këtë edicion nuk është aspak i lehtë. Ai edicionin e shkuar ndihmoi Vëllaznimin që të rikthehet në elitë pas një edicioni në Ligën e Parë dhe tani po synon që ekipit nga Gjakova t’ia sigurojë një pozitë për të luajtur në garat e plejofit.
Koshi nuk e diskuton mbetjen e Vëllaznimit në Superligë edhe për edicionin e ardhshëm, por insiston se dëshira e tij është që me klubin e qytetit të paraqitet në plejof. Për ta bërë këtë, Vëllaznimit i duhet ta sigurojë të paktën pozitën e gjashtë në tabelë deri në fund të pjesës së rregullt, në të cilën kanë mbetur edhe nëntë xhiro. Aktualisht Vëllaznimi është i shtati (parafundit) në tabelë, pozitë kjo që dërgon në plejaut.
Basketbollisti Koshi thotë se Vëllaznimi ka ekip për ta siguruar plejofin, ndonëse pranon se nuk është aspak e lehtë. Thotë se si kapiten ka përgjegjësi për ta dërguar Vëllaznimin në mesin e gjashtë skuadrave të para të elitës. Për Koshin ky është edicioni i parë si kapiten dhe po mundohet ta bëjë punën si është më së miri.
“Si kapiten, përgjegjësia është më e madhe për shkak se pritet shumë si prej meje, ashtu edhe prej lojtarëve të tjerë. Kështu që po e bëj të pamundurën për ta motivuar ekipin që të vazhdojmë tutje dhe të arrijmë synimin që e kemi prej fillimit të sezonit”, ka thënë Koshi 24-vjeçar të hënën për KOHËN. “Mbetjen në Superligë edhe për sezonin tjetër nuk e diskutojmë, por synimi është të përfundojmë në vendin e gjashtë për të luajtur në plejof. Sigurisht, nuk do të jetë lehtë, por i kemi edhe nëntë ndeshje deri në fund të pjesës së rregullt për ta siguruar plejofin. Jam optimist pasi jo vetëm unë, por i gjithë ekipi po angazhohet maksimalisht për këtë arritje”.
Në fakt, Koshi këtë sezon është njëri prej lojtarëve më të dalluar vendorë te Vëllaznimi. Gjakovari pranon se ky është edicioni i tij më i mirë në Superligë dhe me minutazhin më të madh. Në të shkuarën, Koshi kishte qenë pjesë e Rahovecit për dy edicione dhe e Prishtinës për një edicion, por nuk kishte pasur hapësirën që po e ka me fanellën e Vëllaznimit.
Këtë edicion, Koshi po luan me mesatare prej 8 pikëve, 3 kërcimeve dhe 2 asistimeve për ndeshje. Edhe pse është i kënaqur në aspektin personal, Koshi paralajmëron se mund të përmirësohet edhe më shumë dhe se në çdo stërvitje po punon maksimalisht për ta ngritur nivelin e lojës.
“Duhet të jem më i përgjegjshëm për kohën në parket dhe sigurisht se mundohem të jap më të mirën për t’i përmbushur synimet e klubit. Ndoshta ky edhe është sezoni më i mirë për mua në Superligë, pasi kam edhe minutazh më të madh”, është shprehur Koshi. “Deri diku jam i kënaqur me paraqitjet e mia, por mundem edhe më mirë, për shkak se ka vend për përmirësim. Shpresoj që deri në fund të sezonit të jem dukshëm më efikas dhe të mos ndalem me kaq për shkak se është e rëndësishme për mua që të jem lider i ekipit të qytetit tim”.
Koshi thotë se qyteti i Gjakovës e meriton që ekipi të luajë në plejof, për shkak të entuziazmit dhe përkrahjes së madhe që Vëllaznimi e ka pasur këtë kampionat. Sipas tij, KB Vëllaznimi e ka ringjallur sportin në Gjakovë dhe dëshmia më e mirë për këtë është palestra e stërmbushur pothuajse në çdo ndeshje si vendas.
“Basketbolli e ka ringjallur sportin në Gjakovë dhe jemi krenarë që në çdo ndeshje kemi përkrahjen e fuqishme të tifozëve. Ne po luajmë për ta, por duhet të kthehemi të fitoret dhe ta dërgojmë ekipin drejt pozitës së gjashtë”, shtoi Koshi. Ai vlerëson se Superliga është shumë e fortë. “Mund të them se liga është më e forta në 5-6 vjetët e fundit, pasi nuk ka ekipe të dobëta dhe nuk mund të fitosh lehtë. Secili ekip mund ta mposht secilin dhe kjo e ka bërë edhe më interesante dhe më atraktive ligë”.
Koshi ishte pjesë e Vëllaznimit edicionin e shkuar në Ligën e Parë dhe nuk dëshiron që të rikthehen në këtë kategori. Ai insiston se Vëllaznimi këtë herë nuk është kthyer si “turist” sikurse në të shkuarën kur ka luajtur vetëm një kampionat në Superligë për të rënë pastaj në Ligën e Parë.
“Ne po luftojmë për ta krijuar një stabilitet dhe të jemi pjesë e Superligës për shumë sezone rresht. Nuk duam që klubi të bie në një rang më poshtë pas vetëm një sezoni në elitë. Këtë herë jemi kthyer dhe duam të qëndrojmë gjatë, pasi edhe kryesia e klubit po bën një punë të mirë”, u shpreh Koshi, i cili beson se në ndeshjen e ardhshme Vëllaznimi do të kthehet te fitorja pas një serie prej tri humbjeve. “Do të përgatitemi maksimalisht gjatë tërë javës, pasi duam ta fitojmë këtë ndeshje kundër rivalit direkt për pozitën e gjashtë në tabelë. Besoj fuqishëm në këtë ekip”.
Duelin e radhës Vëllaznimi e luan në udhëtim te skuadra e Ponte Prizrenit, që po ashtu ka 26 pikë.