Në Komitetin Olimpik të Kosovës shpresojnë se austriakja Sophie Sorschag do të garojë sërish për Kosovën në kërcime me ski.
Sorschag në fillim të vitit të kaluar u prezantua me shumë bujë si garuese e Kosovës, ndër të tjera edhe nga KOK-u.
Një vit më parë ajo fitoi të drejtën që të garojë për Kosovën, ndërsa në dhjetor dhe janar i zhvilloi 13 gara për Kosovën. Por prej atëherë as KOK-u e as Federata Skitare e Kosovës nuk kanë njoftuar asgjë për Sorschagun, ish-kampionen e botës në konkurrencë ekipore me Austrinë.
25-vjeçarja javën e kaluar foli për KOHËN dhe tha se i ka dhënë fund karrierës në kërcime me ski për shkak të mungesës së përkrahjes nga FSK-ja. Ajo tha se FSK-ja e KOK-u nuk i janë përgjigjur në letrat lidhur me mungesën e përkrahjes nga federata.
Por KOK-u vlerëson punën e Federatës Skitare.
"Ne vlerësojmë punën dhe përkushtimin e madh që po bën Federata Skitare e Kosovës në ngritjen e kapaciteteve sportive, duke kontribuuar në rritjen e numrit të sportistëve dhe cilësisë së tyre për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore, ku sportistët e saj përkundër mungesës së kushteve infrastrukturore në Kosovë, po vazhdojnë përgatitjet jashtë vendit për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026'", shkruan në një përgjigje me shkrim të KOK-ut.
Për mosmarrëveshjet Sorschag - FSK, KOK-u konsideron se janë punë të brendshme të federatës dhe garueses.
"Sa i përket çështjes Sophie Sorschag, është ekskluzivisht punë e brendshme e federatës dhe garueses në fjalë, për çka ne si KOK shpresojmë që nëse ka mosmarrëveshje të tilla, të rregullohen dhe Sophie të vazhdojë të garojë për Kosovën", ka shkruar tutje Komiteti Olimpik.
KOK-u thotë se austriakja Sorschag ka refuzuar mundësinë për të përfituar bursë nga Solidariteti Olimpik.
"Sa u përket deklarimeve për mungesë të mbështetjes financiare, KOK i ka ofruar bursën e Solidaritetit Olimpik të IOC, përmes së cilës mbështeten edhe sportistët që përgatiten për Lojërat Olimpike Verore e po ashtu edhe sportistët për Lojërat Olimpike Dimërore, por që vetë Sophie e ka refuzuar".
Sorschag ka theksuar se i ka shpenzuar 100 mijë euro për të garuar në edicionin e kaluar dhe për stërvitje. Sipas saj, shumë prej këtyre parave i mori borxh, duke pritur që FSK-ja t'ia kompensojë në bazë të kontratës së firmosur.
Por ajo thotë se deri më tani nuk mori asnjë cent dhe për më tepër drejtuesit e Federatës as nuk po i përgjigjen.
Federata Skitare nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS.