Sport

KOK-u shënon dhjetëvjetorin e pranimit në IOC, Bach me fjalë të mëdha

Thomas Bach

Me një ceremoni të mbajtur të hënën mbrëma, Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar dhjetëvjetorin e pranimit me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Në ceremoni ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti. Ata kanë vlerësuar sukseset që ka arritur Kosova gjatë dekadës sa është pjesë e familjes olimpike.

Në ceremoni kishte edhe shumë drejtues të sportit ndërkombëtar e po ashtu drejtues të sportit kosovar.

Pjesa kryesore e ceremonisë ishte fjalimi i presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Gjermani Bach është në fund të periudhës si president i IOC-së, ndërsa të gjithë të pranishmit janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur gjatë kur Bachu po merrte fjalën.

“Dua të shpreh ndjenjat e mia për Kosovën, për sportistët madhështorë që ka Kosova dhe për popullin tuaj të jashtëzakonshëm. Nder dhe privilegj i madh të festojmë këtë përvjetor. Vendi i juaj mund të jetë i vogël gjeografikisht, por ka dëshmuar që është vend me pasion të madh për sportin dhe vend  që arrin suksese të mëdha në sport. Sportistët tuaj janë shembull i këtij  pasioni”, ka thënë Bach, duke shtuar se në sport të gjithë janë të barabartë, pavarësisht se prej nga vijnë.

Pranimi i Kosovës në IOC u bë kur Bach ishte në fillim të mandatit të parë në krye të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, organizatës kryesore sportive në botë.

“Kremtimi i sotëm është moment emocional për  mua personalisht. Njohja e KOK-ut nga IOC-ja u bë në fillim të presidencës sime, në vitin 2014. Njohja e Kosovës është ngjarje e jashtëzakonshme për IOC-në dhe lëvizjen olimpike. Një njohje e tillë nuk ndodh shpesh dhe nuk është kurrë diçka që bëhet lehtë. Gjatë tërë mandatit tim kemi pranuar vetëm dy vende, Kosovën dhe Sudanin Jugor. Vizita ime e sotme që po zhvillohet në fund të presidencës sime tingëllon sikur po bëhet rrethi i plotë me miqtë e mi kosovarë”, ka shtuar Bach.

Ai ka përmendur Besim Hasanin dhe kontributin e tij të madh për pranimin e Kosovës në familjen olimpike.

“Shumë kohë para se unë të zgjidhesha president i IOC-së, Besimi do të shfrytëzonte çdo mundësi për t’u afruar me ne. Ai vuri themelet e pranimit. Ai dërgoi një ambasador jozyrtar në Lozanë, një person që ishte në Hotel Palace, Agim Morinën, i cili po ashtu është sonte me ne, e të cilin e përshëndes përzemërsisht”, ka thënë Thomas Bach, ndër të tjera.

Atij i ka lënë përshtypje vendosmëria e të gjithëve në sportin kosovar. Thotë se sukseset e arritura janë rezultat i asaj vendosmërie. Ka përmendur faktin që kur u pranua në IOC, Kosova nuk ishte e njohur nga të gjitha vendet. Por  Bach gëzohet që vota për pranim të Kosovës në IOC ishte unanime. Ai thotë se argumentet ishin në anën e Kosovës, ëndrrat e sportistëve.

“Gjatë vizitës së parë këtu në vitin 2015 u takova me njërën prej tyre, Majlinda Kelmendin. Storja e saj mbresëlënëse më siguroi se njohja e KOK-ut ishte gjëja e duhur për ju, sportistët tuaj dhe për lëvizjen olimpike. Dhe kjo na mundësoi që të gjejmë zgjidhje për këtë dilemë dhe t’iu mundësojmë shumë sportistëve kosovarë të ndajnë ëndrrën olimpike të Majlindës. Unë i premtova që nëse do ta fitojë medaljen që aq shumë e dëshironte, unë do t’ia dorëzoj atë. E nderuar Majlindë, ju e bëtë ëndrrën tuaj olimpike realitet”, ka thënë Bach derisa i është drejtuar Majlindës, që ishte pjesë e rëndësishme e ceremonisë.

“Çfarë momenti emocional ishte ky për të gjithë ne, kur u takuam sërish, këtë herë në podiumin olimpik dhe unë mund të jepja medaljen e parë olimpike për kampionen e parë olimpike nga Kosova. Sportistët tuaj vazhdojnë të na mahnitin, duke vënë Kosovën fuqishëm në hartën botërore. Tre nga sportistët tuaj fituan edhe katër medalje të tjera olimpike. Në atë që është unike për lëvizjen olimpike, të gjitha medalistet janë xhudiste dhe të gjitha janë vajza. Për këtë arsye ndiej se duhet të uroja Norën, Distrinë dhe Laurën, bashkë me trajnerin e tyre”, ka thënë Bach.

Presidenti Bach ka falënderuar që Kosova është bërë anëtare me vlera e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Ka falënderuar KOK-un për dhjetë vjet të përkushtimit, dhjetë vjet të miqësisë.

“Gjithmonë mund të llogarisni IOC-në si partnere”, ka thënë presidenti Bach.

Gjatë ceremonisë kishte fjalime të shumta, pika artistike dhe ndarje dhuratash.