Për herë të 26-të, si askush tjetër në vend, KOHA i shpall sportistët më të mirë të vitit në Kosovë.
Më të mirët e vitit 2024 shpallen të dielën mbrëma në emisionin “Sporti TOTAL” që transmetohet në KTV nga ora 22:20.
KOHA tradicionalisht e mban më 23 dhjetor ceremoninë “Sportisti i Vitit” në të cilën shpallen më të mirët. Këtë herë ceremonia nuk është mbajtur pasi shumica e atyre që janë përzgjedhur ishin jashtë vendit, për stërvitje e obligime të tjera. Rrjedhimisht është vendosur që më të mirët të shpallen në emisionin qendror sportiv, Sporti TOTAL.
Që në vitin 1997, gazeta KOHA Ditore shpalli më të mirët. Atleti Zijadin Kryeziu ishte shpallur më i miri në atë vit, kur sporti në Kosovë kishte mision shumë fisnik, kur ishte formë e rezistencës ndaj okupatorit. Në dhjetëshen më të mirë ishin edhe Afrim Latifi, Jeton Qubreli, Anton Berisha, Shqipe Bajçinca, tashmë e ndjerë, Bedri Sadiku, Naim Malazezi, Edmond Vokshi, Bekim Maxhuni e Bujar Turjaka. Të gjithë këta, emra të respektuar të sportit në vendin tonë.
Pas luftës, KOHA Ditore, tashmë së bashku me KTV-në vazhdoi shpalljen e më të mirëve. Dhe të dielën, më të mirët shpallen për herë të 26-të.
Çmimet e KOHËS janë matës kredibilë për të arriturat në sport, ndërsa serioziteti i shfaqur për dy dekada e gjysmë ka bërë që vlera e tyre të jetë e madhe.
Fokusi kryesor gjatë vitit 2024, sa i takon sportit, ishte te Lojërat Olimpike. Kosova prej Parisit u kthye me medalje, ndërsa sportistët kosovarë kishin edhe suksese të tjera. Megjithatë jo sa është shpresuar.
Nominimet për çmimet kryesore të KOHËS i bën redaksia e sportit. Ndërkohë më të mirët shpallen me vlerësim të jurisë profesionale.
Këtë herë juria është përbërë nga Afërdita Fazlija, zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Krasniqi, udhëheqës i Departamentit të Mediave në Komitetin Olimpik të Kosovës, Kemajl Goca, gazetar i sportit ne Bota Sot, Erdin Hashani, trajner i futbollit dhe Faton Polisi, gazetar i sportit në KOHA.
Pos çmimit kryesor “Sportisti i Vitit 2024”, KOHA shpall edhe sportistin dhe sportisten më të mirë të re të vitit, klubet më të mira në dy konkurrencat, punëtorin sportiv të vitit.
Të nominuar për sportisten më të mirë të re të vitit janë: Sidorela Dodaj (xhudo), Blerina Gashi (xhudo), Hana Beiqi (not), Arjeta Imeraj (hendboll).
Rin Ahmeti (futboll), Elvir Gashijani (futboll), Jon Ismajli (basketboll) dhe Olsi Mulaj (hendboll) janë të nominuar për sportistin më të mirë të ri të vitit.
Klubet në nominim për më të mirin e vitit në konkurrencë të femrave janë Mitrovica (futboll), Bashkimi (basketboll), Istogu (hendboll), Drita (volejboll), Ferizaj (hendboll).
Në konkurrencë të meshkujve, klubet e nominuara për më të mirin e vitit janë Ballkani (futboll), Trepça (basketboll), Rahoveci (hendboll), Peja (volejboll), Drita (futboll).
KOHA shpall edhe punëtorin sportiv më të mirë të vitit, ku përfshihen edhe trajnerët, ndërsa këtë herë janë edhe dy çmime të veçanta. Njëri prej tyre është për frymëzim në sport dhe mban emrin “Majlinda Kelmendi”.
Fituesit e deritashëm
1997 - Zijadin Kryeziu
2000 - Besnik Hasi
2001 - Kushtrim Munishi
2002 - Luan Krasniqi
2003 - Afrim Latifi - Kaltrinë Krasniqi
2004 - Luan Krasniqi - Besire Domaniku
2005 - Luan Krasniqi - Majlinda Kelmendi
2006 - Habib Ademi - Daulina Osmani
2007 - Arben Muqolli - Majlinda Kelmendi
2008 - Visar Berisha - Majlinda Kelmendi
2009 - Majlinda Kelmendi
2010 - Majlinda Kelmendi
2011 - Majlinda Kelmendi
2012 - Nora Gjakova - Shpëtim Idrizi
2013 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2014 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2015 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2016 - Nora Gjakova - Herolind Nishevci
2017 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2018 – Nora Gjakova – Akil Gjakova
2019 – Loriana Kuka – Vedat Muriqi
2020 – Distria Krasniqi – Amir Rrahmani
2021 – Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova – Akil Gjakova
2022 – Distria Krasniqi - Armend Thaqi
2023 – Distria Krasniqi – Akil Gjakova
2024 - ?