Sport

Kloppi shpreson në eliminim të hershëm të Egjiptit shkaku i Salahut

Juergen Kloppi i ka dëshiruar Mohamed Salahut një lloj fati për Kupën e Afrikës në futboll.

Golashënuesi më i mirë i sezonit te Liverpooli mund të jetë mungesë e skuadrës për më shumë se një muaj, varësisht paraqitjeve të Egjiptit në Bregun e Fildishtë.

Nëse Egjipti shkon në finale – siç bëri në vitin 2022 – atëherë Salah do të mungojë të paktën shtatë ndeshje për Liverpoolin, ndoshta edhe tetë, nëse skuadra nga Merseyside e kalon Arsenalin të dielën në rrethin e tretë të Kupës FA.

Mesfushori defensiv, Wataru Endo, po ashtu do të jetë mungesë për liderin e Premier Leagues pasi është në detyrë me Përfaqësuesen e Japonisë në Kupën e Azisë.

“Po them, ‘nëse i dëshiroj fat do të ishte gënjeshtër’”, ka thënë trajneri i Liverpoolit me shaka të premten. “Jo, natyrisht se i dëshiroj fat. Nga pikëpamja ime personale do të isha i lumtur nëse ata do të eliminoheshin në fazën grupore. Por kjo ndoshta është e pamundur, kështu që do të ishte mirë nëse egjiptianët shkojnë deri në fund dhe triumfojnë. Paç fat, shihemi dhe kthehu i shëndoshë – këto janë fjalët që mund t’i them”.

Liverpooli ia doli mirë pa Salahun herën e kaluar, duke regjistruar pesë fitore e një barazim derisa ai ishte larg. Salah e ndihmoi Egjiptin të avanconte në finale, ku u mposht nga Senegali i ish-bashkëlojtarit të tij te Liverpooli, Sadio Mane.

Salah ka shënuar 18 gola në të gjitha garat në edicionin aktual. Ai është golashënuesi më i mirë i Premier Leagues bashkë me Erling Haalandin e Manchester Cityt – me nga 14 gola. Salah po ashtu ka tetë asistime, më së shumti në kampionatin anglez, bashkë me Ollie Watkinsin e Aston Villas.

Egjiptiani realizoi dy gola në fitoren e Liverpoolit ndaj Newcastlet, 4:2, para se të shkonte në detyrën me përfaqësuese.

“A dëshiron të luash pa Mohamed Salahun? Jo. Në të kaluarën nuk kemi luajtur shpesh pa të, por mendoj se ne gjithmonë e kemi gjetur mënyrën për ta kaluar këtë periudhë”, ka thënë Klopp.

Lojtari ofensiv që luan në disa pozita, Diogo Jota, pritet që të përdoret si zëvendësues i Salahut në krahun e djathtë të sulmit. Harvey Elliott është një opsion tjetër.

Egjipti është në grup me Ganën, Kepin e Gjelbër dhe Mozambikun. Ndeshja e fundit e fazës grupore për Egjiptin do të jetë më 22 janar.

Finalja e turneut afrikan është më 11 shkurt në Abidjan.

Përveç Salahut, Liverpooli mungesë do ta ketë edhe mesfushorin hungarez, Dominik Szoboszlai.

Szoboszlai ka marrë lëndim muskulor, që do ta lërë jashtë fushës së gjelbër për dy ndeshjet e ardhshme, ka thënë Klopp. Mesfushori ishte lënduar në fitoren kundër Newcastlet.

“Dom është shumë pozitiv. Nuk ka shumë dhimbje, por ne duhet të presim paksa”, ka thënë trajneri i Liverpoolit.