Kampionia në fuqi, Peja është e vendosur që të mbetet e pamposhtur edhe pas xhiros së katërt në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas triumfit ndaj Trepçës në ndeshjen e mbetur të javës së tretë, Peja synon fitore edhe ndaj Golden Eagle Yllit. Pas tri ndeshjeve të luajtura deri më tani, Peja i prin tabelës me gjashtë pikë dhe është ekipi i vetëm këtë sezon në elitën e basketbollit kosovar që nuk di për humbje. Dueli mes Yllit dhe Pejës, në fakt, është edhe derbi i xhiros së katërt që zhvillohet të shtunën dhe të dielën.
Ylli e pret Pejën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, në ndeshjen që luhet të dielën dhe nis në orën 17:00. Te Peja, e vlerësojnë lart Yllin por insistojnë se do të udhëtojnë për fitore. Kështu, ka thënë të premten për KOHËN, basketbollisti i Pejës, Meriton Ismaili. Ai ka thënë se pret një ndeshje të fortë, por beson se Peja do të kthehet me pikët e plota nga ky udhëtim për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive.
“Fitorja e fundit na ka motivuar edhe më shumë, dhe sigurisht që synojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. Ndaj Yllit na pret një ndeshje e vështirë, por besoj se mund të kthehemi me fitore pas paraqitjeve të mira që i kemi treguar deri më tani këtë edicion. Ylli ka një ekip të mirë dhe së fundmi, ka shtuar edhe një përforcim por edhe në kemi ekip të mirë dhe jemi të gatshëm për ta konfirmuar formën e mirë që po e kalojmë”, është shprehur Ismaili.
Edhe tek Ylli janë të vendosur për ta fituar ndeshjen me Pejën. Madje, kanë paralajmëruar se duke filluar nga kjo përballje, do ta bëjnë rikthimin e fuqishëm pas startit të dobët. Në tri ndeshjet e para të sezonit, Ylli ka vetëm një fitore karshi dy humbjeve. Ka mposhtur Istogun, ndërsa ka pësuar nga Bashkimi dhe Sigal Prishtina. Ndaj Pejës, tek Ylli pritet të debutojë edhe përforcimi më i ri, qendra Anthony Lee, i cili iu bashkua ekipit ditë më parë.
Pas derbit në Suharekë, xhiroja do të mbyllet me duelin mes Trepçës dhe Vëllaznimit. Edhe kjo ndeshje luhet të dielën, por prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Trepça synon të kthehet nga fitorja pas humbjes nga Peja dhe llogaritet favorite e madhe përballë Vëllaznimit. Për dallim prej Trepçës, skuadra nga Gjakova ende nuk di për fitore këtë edicion dhe është ekipi i vetëm në Superligë që i ka humbur tri ndeshjet e para. Në kërkim të fitores së parë, Vëllaznimi është forcuar para këtij dueli, duke shtuar në ekip amerikanin Myreon Jones.
Ndërkohë, të shtunën kur edhe hapet java e katërt e elitës së basketbollit kosovar, do të zhvillohen dy ndeshje. Dueli i parë do të jetë ai ndërmjet Istogut dhe Sigal Prishtinës që nis në orën 17:00. Edhe pse Istogu është vendas, kjo ndeshje do të luhet në Prishtinë për shkak se palestra e ekipit që po debuton në Superligë nuk i përmbush kushtet për zhvillimin e ndeshjeve. Istogu do të jetë i motivuar për duelin me Prishtinën, pasi javën e shkuar mposhti Bashkimin në Prizren për ta regjistruar fitoren e parë.
Ndërkohë, prej orës 19:00, do të luhet ndeshja mes rivalëve të qytetit, Bashkimit dhe Proton Cable Prizrenit në palestrën “Sezai Surroi”. Bashkimi ka dy fitore dhe një humbje deri më tani, ndërsa Prizreni pas dy humbjeve rresht, xhiron e shkuar e shënoi fitoren e parë pasi mposhti Vëllaznimin në Gjakovë.
Superliga – 4
E shtunë
Istogu – S. Prishtina (17:00)
Bashkimi – P.C. Prizreni (19:00)
E diel
G.E. Ylli – Peja (17:00)
Trepça – Vëllaznimi (19:00)